Papa Francesko ka vizituar të martën më 10 nëntor qytetin e Firences. Gjatë Kuvendit Kombëtar Kishtar të mbledhur në Katedralen e këtij qyteti, Ati i Shenjtë dëgjoi dëshminë e priftit emigrant shqiptar Bledar Xhuli, anëtar i dioqezës së Firences.
“Për herë të parë shkova në meshë, tha don Xhuli, për të mos u ndjerë i vetmuar”.
Rrëfimi i tij qe dëshmia e një realiteti të fortë e të dhimbshëm e një emigranti minoren i mbërritur i vetëm në tokën italiane. Fjalët e tij shkaktuan emocion të fortë tek pjesëmarrësit e Kuvendit Italiane Kishtar dhe tek vetë Papa Francesko.
Ja rrëfimi i tij;
I dashur Papa Françesku, quhem Bledar Xhuli
Jam këtu për të treguar se e kam takuar Krishtin në jetën time. Jam lindur në Fier, në Shqipëri, në një familje ateiste. Pas rënies së diktaturës, prindërit e mi, që punonin për shtetin, humbën punën, nuk kishte asnjë perspektivë për të ardhmen.
Në vitin 1993, 16 vjeç, vendosa kështu të nisem për të punuar në Itali, për të realizuar një ëndërr e pastaj, për t’u kthyer në Shqipëri. Me një pasaportë falco kapërceva Adriatikun me anije, duke menduar se do të gjeja lehtësisht punë e shtëpi, por shpejt, zbulova se nuk ishte kështu. Fakti se isha klandestin dhe i mitur nuk e përmirësonte gjendjen.
Duke lëvizur nëpër qytete të ndryshme të Italisë, flija jashtë në stacionet hekurudhore. U ndala në Firence, ku një bashkatdhetar më tha se kishte mundësi për të ngrënë e për të fjetur gratis: në të vërtetë flinim nën një urë të gjatë “Mugnone” dhe hanim në mensën e Karitasit.
Rrotullohesha gjithë ditën duke kërkuar punë, por pa dokumente, ishte e pamundur. U bija veglave në kisha për të kërkuar lëmoshë e ndihmë. Shpesh, natën, nuk flija dot nga të ftohtët e lagështira, por edhe sepse gjendesha në një situatë më të keqe se më parë e nuk mund të kthehesha mbrapsht, për shkak të parave të marra borxh për të kaluar detin. Fshehtas nga të tjerët, natën qaja e bërtisja i dëshpëruar. Zoti e dëgjoi zërin e të dëshpëruarit.
Një ditë, më 2 dhjetor 1993, trokita në kishën e shën Gjervazit, jo për të kërkuar lëmoshë, por për të marrë një letër. Prifti, don Giancarlo Setti, filloi të më pyeste kush isha e çfarë bëja. Nuk më dha lëmoshë, por u interesua për mua. Kur i thashë se flija nën urë e se isha 16 vjeç, nuk arrinte ta besonte. Filloi të telefononte për t’u kërkuar ndihmë njerëzve, që njihte, por çështja nuk ishte e lehtë. Më tha të kthehesha të nesërmen, duke më premtuar të gjente një zgjidhje.
Ditën tjetër, pasi nuk kishte gjetur gjë, më tha: “për mua, ka trokitur Jezusi, prandaj eja e rri në shtëpinë time”. Më la të hyj e të banoj në shtëpinë e tij si të isha i biri, jo për një ditë o një muaj, por për gati 10 vjet, deri në vitin 2002, kur vdiq pas një sëmundjeje të rëndë.
Një bujari e mikpritje, që më lanë pa mend. E më bëri të kuptoj një të vërtetë të madhe:
Isha klandestin, por jo keqbërës. Qe takimi i parë me Krishtin, pavarësisht se nuk isha i vetëdijshëm për këtë.
Falë tij, gjeta punë në një pompë benzine e rifillova studimet, duke u diplomuar si llogaritar. U regjistrova pastaj në fakultetin e Shkencave Politike dhe vazhdova të punoj si menaxher i një firme shumëkombëshe.
Duke banuar në famulli, frekuentoja të rinjtë e moshës sime; të dielën, në orën 11.00, zhdukeshin të tërë për të shkuar në kishë. Shkova edhe unë, ‘për të mos mbetur vetëm’. Mesha më pëlqeu shumë, sidomos Leximet liturgjike, që nuk i njihja, si edhe këngët, që ma gëzonin zemrën e më kujtonin të dashurit, larg.
Në meshën e dytë, ku mora pjesë, duke ndjekur shembullin e të tjerëve, u vura në radhë për Kungimin, të cilin meshtari ma mohoi e unë mbeta shumë keq.
Kur e pyeta përse, në sakresti, m’u përgjigj se nuk isha i pagëzuar. Doja të pagëzohesha menjëherë për të marrë Kungimin, por m’u përgjigj se nuk ishte e mundur: duhej të përgatitesha e të bëja katekizëm!
Pranova me gëzim e çdo mbrëmje, kur kthehesha nga puna e nga shkolla e natës, bëja një orë katekizëm.
Natën e Pashkëve të vitit 1994 mora Pagëzimin, Krezmimin dhe Kungimin, sipas ritit për të rriturit. Takim tjetër me Krishtin! Zbulova gradualisht se Pagëzimi ishte një fillim i ri. Fillimi i një udhe shpirtërore, e cila, duke kaluar përmes studimit e punës, më bëri të zbuloj thirrjen për meshtari gjatë Jubileut të vitit 2000.
“Mbaro universitetin, që ke filluar e, ndërkohë, do të verifikosh edhe thirrjen. Zoti nuk ngutet – më tha don Setti – shpesh, jemi ne, që nuk kemi shumë durim”. Fatkeqësisht, më 22 shtator 2002, ai vdiq.
Duke ndjekur këshillën e tij, pas diplomës universitare, hyra në seminarin dioqezan, ku kam jetuar 7 vite të mrekullueshme me lutje, studim e vëllazërim. Që nga 11 prilli i vitit 2010 jam meshtar i Kishës së Firences.
Për 5 vjet kam qenë zv.famullitar në San Casciano, i pritur si në një familje nga famullitari dhe nga bashkësia. Nga janari i këtij viti jam famullitar i Shën Marisë në Kampi, një bashkësi plot gjallëri e bujare, ku nuk mungon as puna baritore, as ajo shpirtërore.
Si të gjithë meshtarët, përpiqem t’i shërbej Zotit dhe vëllezërve në gëzimin e në lodhjen e përditshme për të jetuar këshillën e marrë në ditën e shugurimit meshtarak, kur ipeshkvi, duke më dorëzuar Ungjillin, më tha: jeto atë, që u mëson të tjerëve!
Në dashurinë, në afërsinë dhe në lutjen e shumë njerëzve e familjeve, kam takuar Krishtin: e kam zemrën plot mirënjohje, pavarësisht se kam provuar shpesh vështirësi për ta shpërblyer këtë bujari.
Duke e zgjeruar frymëmarrjen e këtij Kuvendi të Kishës Italiane në këndvështrimin ndërkombëtar, dua t’ju them faleminderit nga zemra për udhëtimin tuaj në Shqipëri. Inkurajoi jo vetëm Kishën, por edhe mbarë vendin për të fluturuar lart si shqiponjat.
Duke pasur parasysh titullin e Kuvendit të Kishës sonë Italiane “në Krishtin, humanizmi i ri” e duke iu kthyer fjalëve të don Setti-t “për mua trokiti Krishti”, pas 22 vjetësh mund të pohoj – i dashur Papa Françesku – se Krishti nuk ishte i pranishëm në atë që trokiste, por në atë që hapi derën. E akoma sot, në prag të hapjes së Vitit Jubilar të Mëshirës, i përsërit Kishës dhe botës: “trokisni e do t’ju hapet”.
/Oranews.tv/