• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, April 12, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Prifti gjerman i Fushë-Arrëzit ngjall shpresën e banorëve të varfër

by Aalison Pearse Stevens
30/06/2016 10:34
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Pader Andreas ka bërë në Fushë-Arrëz shumë më tepër sesa shteti në 25 vite, duke ndërtuar shtëpi për familjet e varfra dhe realizuar projekte infrastrukturore dhe sociale për zbutjen e varfërisë ekstreme. Në rrugën kryesore të Fushë-Arrëzit, një “Land Rover” i bardhë tërheq vëmendjen e këmbësorëve, të cilët ndalin hapin dhe përshëndesin me dorë nga shoferi; një 58 vjeçar i bëshëm me një kryq të varur në qafë. I përqendruar në timon, Pader Andreas reagon me drojë ndaj popullaritetit të tij të padiskutueshëm.

“Më shumë më njohin mua këtu,” thotë ai me një shqipe të pastër.

I ardhur në Fushë-Arrëz prej tetorit 2008, prifti Andreas Waltermunh nga rajoni i Vestfalisë në Gjermani është kthyer në një institucion për banorët e varfër të qytezës së Fushë-Arrëzit dhe fshatrave përreth. Ai e ka fituar këtë status duke udhëtuar 500 kilometra çdo javë nga njëri cep i zonës në tjetrin, ku perveç predikimeve fetare, monitoron situatën sociale dhe mban  shënim hallet e banorëve.

Pas tetë vitesh shërbim në Fushë-Arrëz, Pader Andreas njeh në detaje problemet e zonës, ndërkohë që përpjekjet e tij kanë përmirësuar jetën e qindra banorëve, në qytezë apo në fshatrat përreth. Prifti katolik numëron 180 projekte ndërtimesh të realizuara prej tij, të cilat përfshijnë infrastrukturën, por edhe ndërtimin e shtëpive për banorët më të varfër të komunitetit.

Pader Andreas i tha BIRN se misioni i tij për zbutjen e varfërisë në zonë ka ecur në gjurmët e punës që kishin bërë më parë Motrat Françeskane. Të ardhura në Fushë-Arrëz prej vitit 1998, ato shfaqën një angazhim të fortë social me ngritjen e kopshteve për fëmijët, ambulancave për të sëmurët apo shpërndarjen e ndihmave për njerëzit në kufinjtë e varfërisë.

Prifti katolik gjerman është megjithatë i ndërgjegjshëm se nevojat në zonë janë shumë më të mëdha se mundësitë.

”Po hedhim një pikë ujë në gurin e nxehtë,” thotë Pader Andrea, duke perifrazuar një fjalë të urtë gjermane.

Prifti katolik është i zhgënjyer nga roli që luajnë institucionet shtetërore për të zbutur varfërinë dhe përmirësuar jetën e banorëve në këtë zonë të thellë. Ai mendon se megjithë ndihmën e Kishës, është detyrë e shtetit që t’u gjejë zgjidhje problemeve e që sipas tij nuk ndodh.

“Kisha mund t’i  ndihmojë njerëzit, por së pari është puna dhe detyra e shtetit. Kisha mund të bëjë një përkrahje, por ka zëra që pushteti mund të bëjë më shumë, ndërkohë që nuk bën asgjë për këta njerëz,” thotë ai për BIRN.

Padër Andreas përpiqet të zëvendësojë me gjithçka mundet rolin e munguar të institucioneve shtetërore në këtë zonë. Me nismën e tij të drejtpërdrejtë janë zgjidhur probleme të theksuara të infrastrukturës dhe të varfërisë ekstreme në këtë zonë.

Bashkia e Fushë-Arrëzit bashkë me fshatrat përreth saj është një nga zonat më të varfra të Shqipërisë, për shkak të terrenit të thyer malor, rrugëve të këqija dhe mungesës së punës. Infrastruktura rrugore në këtë zonë lë shumë për të dëshiruar, pasi pjesa më e madhe e saj është e amortizuar jo vetëm në akset rurale, por edhe në ato nacionale.

Ndërhyrja e Pader Andreas ka zbutur një pjesë të këtyre problemeve, përmes ndërtimit të një ure mbi lumin Fan në fshatin Kalvinaj apo hapjes për herë të parë të një rruge që lidh këtë fshat me rrugën automobilistike.

Megjithatë, projekti më i rëndësishëm i Pader Andreas është ai i ndërtimit të shtëpive për njerëzit e moshuar, familjet në nevojë apo ato që kanë pjestarë të sëmurë mes tyre.

Projekti i shtëpive

Pas një jete të kaluar brenda një banesë me mure të shembura, Fran dhe Pashke Lleshi po i gëzohen së fundmi shtëpisë së tyre të re.

“Zoti në qiell, Pader Andrea në Tokë,” thonë plot mirënjohje bashkëshortët, të cilët falë ndihmës së priftit janë çliruar tashmë nga një barrë e rëndë.

Burrë e grua i thanë BIRN se familja prej 5 anëtarësh mban frymën gjallë me një pension minimal, ndërsa djali i vetëm e humbi punën pas mbylljes së fabrikës së bakrit në Fushë-Arrëz. Frani vetë ka punuar për 30 vjet në gjeologji-miniera, pa mundur të ndërtojë një jetë më të begatë për familjarët e tij.

“Edhe me vdekë nuk kam gajle, pasi po i le djalit një shtëpi,” shton Pashke Lleshi.

Familja Lleshi nuk është e vetmja që ka përfituar një strehë mbi kokë falë priftit katolik. Marash Koliqi nga fshati Kryezi jetonte vetë i katërt brenda një dhome të ndërtuar 80 vjet të shkuara, para se familja e tij të përzgjidhej nga Pader Andreas.

Ndërsa punon bashkë me skuadrën e Pader Andreas për ndërtimin e shtëpisë së tij të re, Koliqi tregon se burrë e grua punojnë për të mbajtur frymën gjallë dhe për të mbështetur dy djemtë e tyre që studiojnë në Vlorë dhe Tiranë. Marashi thotë se ishte lidhur me Pader Andrean gjatë një meshe.

“Më kishin thënë se i ndihmon njerëzit në nevojë. Unë I dola përpara dhe i thashë: ”po më ndihmove, të ndihmoftë Zoti. Kur e ka padër Andrea se ku jetoj, tregoi mëshirë për mua,”  thotë Marash Koliqi.

Pader Andreas vlerëson se në Fushë-Arrëz ka një numër të madh familjesh që jetojnë në varfëri ekstreme dhe kushte të këqija të strehimit. Sipas tij, ka raste ku familje me pesë persona jetojnë në 12 metra katrorë, ndërsa ngushtica në banim krijon shpesh konflikte dhe gjeneron dhunë.

“Ne kemi parë shtëpi ku ishte e shembur krejt çatia, ose kur njerëzit kanë jetuar në tenda prej plastmasi, ndaj kemi ndërhyrë,”thotë Pader Andreas.

Megjithatë, ai shpjegon se kanë një rrjet prioritetesh përmes së cilës zgjidhen familjet më nevojtare. Ata vlerësojnë nëse ka njerëz të moshuar, persona me aftësi të kufizuar apo familje që janë në konflikt me të tjerët, të cilët kanë prioritet në përzgjedhje.

Megjithëse është një prift katolik, projektet e Pader Andreas përfshijnë edhe familje myslimane. Ai tregon se është në pritje të një lejeje ndërtimi nga bashkia e Fushë-Arrëzit për ndërtimin e shtëpisë së një familjeje myslimane në Kryezi.

”Varfëria nuk është as myslimane, katolike apo ortodokse”, thotë prifti gjerman.

Shteti i munguar 

Përveç projekteve dhe ndihmave në fushën e ndërtimit, prifti gjerman i Fushë-Arrëzit mbulon gjithashtu edhe çështjet sociale apo ato të blegtorisë. Ai siguron përkrahje financiare për familjet më të varfra, pensionistët apo invalidët dhe u paguan shpenzimet e studimit 20 studentëve nga kjo zonë.

Pader Andreas thotë se 100 studentë të tjerë mbështeten me bursa nga murgeshat françeskane. Gjithashtu, ai u ka dhuruar gica për një numër të konsiderueshëm familjesh.

Për ndërtimin e shtëpive, ai ka punësuar një skuadër prej 5 muratorësh dhe 3-4 bashkëpunëtorë, ndërkohë që përpiqet të përfshijë edhe familjarët në procesin e punës.

Projektet e Pader Andreas kërkojnë para dhe ato nuk kanë munguar, pasi prifti ka dëshmuar se janë investuar në vendin e duhur. Donacionet vijnë nga bamirës në Gjermani dhe Austri, të cilët prifti u dërgon në shenjë mirënjohjeje edhe letra falenderimi.

Familje në rajonin e Fushë-Arrezit me shtëpi të shkatërruar që Pader Andrea i ka ndërtuar shtëpinë | Foto : Bashkim Shala

“Unë jam i habitur se sa shumë ndihma në të holla dhe ndihma materiale grumbullojnë për të bërë këtë punë. Nuk bëjmë shumë kërkesa, megjithatë njerëzit na japing, pasi  janë të bindur se paratë e tyre do i investojmë për qëllimet që ata i japin,” thotë ai.

Edhe pse aktiviteti i tij është një shuplakë për autoritetet shtetërore, Pader Andreas ka fituar simpatinë e përfaqësuesve vendorë në Fushë-Arrëz. Ndue Doda, nënkryetar i bashkisë mendon se veprimtaria e priftit gjerman dhe e motrave françeskane është e pazëvendësueshme.

“Pader Andrea dhe motrat françeskane kanë një autoritet të padiskutueshëm dhe një simpati të veçantë nga qytetarët e të dyja besimeve, myslimane dhe katolike,” tha Doda për BIRN.

Por Pader Andreas nuk e fsheh zhgënjimin se sa pak bëhet për banorët nga ana e autoriteteve.

“Unë mendoj që së pari duhet një angazhim më i madh për të krijuar vende pune për njerëzit. Me mbylljen e minierave dhe fabrikës së bakrit në Fushë-Arrëz nuk ka vende pune  dhe kjo shkakton një vuajtje tek njerëzit e këtij rajoni,” sugjeron ai.

“Papunësia ka edhe pasoja ku njerëzit varfërohen dhe nuk kanë një shans për të punuar dhe për  të përmirësuar standardin e jetesës,” shton ai.

Fratel Keqi nga fshati Orosh i Fushë-Arrëzit është njëri prej banorëve që vuan mungesën e punës dhe barrën e varfërisë. Ai jeton bashkë me gruan dhe tre fëmijët në një barakë pranë ish-parkut të mallrave në Fushë-Arrëz, në kushte shumë të vështira ekonomike.

“Jemi me fat që kemi Pader Andrean,” thotë Keqi, edhe pse vetë nuk ka përfituar nga projektet e tij.

Vetë ai u përpoq t’i shpëtonte varfërisë përmes emigrimit në Gjermani, por e kthyen pasi qëndroi për disa kohë në kampet e azilantëve. “Kur jam kthyer në Rinas nga Gjermania, fëmijët e mi kanë qarë. Ata nuk gëzonin që u ktheva, por qanin,” përfundon Fratel Keqi. /Bashkim Shala-Birn/

ma.me

Next Post

Më të mirët në Europian pas 1/8-ve

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Rritja e kompensimeve për ushtarakët, Rama: Objektivi ynë, të rritet paga me 70% për efektivët

Rama jep lajmin e mirë: Në qershor rritje pagash, fokusi te shëndetësia

April 12, 2026
Nesër Samiti i Diasporës në Tiranë, Rama: Një hapësirë e zgjeruar e Shqipërisë përtej kufijve të saj

Nesër Samiti i Diasporës në Tiranë, Rama: Një hapësirë e zgjeruar e Shqipërisë përtej kufijve të saj

April 12, 2026
Kokainë e kanabis tek adoleshentët, në pranga një i mitur

Kokainë e kanabis tek adoleshentët, në pranga një i mitur

April 12, 2026
“Dhëndri i Trump dhe miku i tij i golfit”, Demokratët kritika për delegacionin e SHBA në bisedimet me Iranin

“Dhëndri i Trump dhe miku i tij i golfit”, Demokratët kritika për delegacionin e SHBA në bisedimet me Iranin

April 12, 2026
Pas Ramës edhe presidenti Begaj vizitë zyrtare në Kosovë

Pashkët ortodokse, Begaj uron besimtarët: U përhaptë kudo drita e pranisë së Zotit dhe ndriçoftë jetën tuaj

April 12, 2026
Artemis II – Rikthimi në Tokë dhe çfarë vjen më pas? Planet e ardhshme të NASA-s: Dërgimi i njerëzve në Hënë

Artemis II – Rikthimi në Tokë dhe çfarë vjen më pas? Planet e ardhshme të NASA-s: Dërgimi i njerëzve në Hënë

April 12, 2026
Pashkët Ortodokse, besimtarët ndezin qirinj dhe luten në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë

Pashkët Ortodokse, besimtarët ndezin qirinj dhe luten në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë

April 12, 2026
Dështojnë negociatat SHBA-Iran, JD Vance largohet nga Islamabadi: Nuk ka marrëveshje

Dështojnë negociatat SHBA-Iran, JD Vance largohet nga Islamabadi: Nuk ka marrëveshje

April 12, 2026
Ivanka Trump sërish në Vlorë. Sot drekë me kryeministrin Rama në Dhërmi

Ivanka Trump sërish në Vlorë. Sot drekë me kryeministrin Rama në Dhërmi

April 12, 2026
Bisedimet SHBA–Iran nuk ndalen as gjatë orëve të natës, ja vendimi që e solli Teheranin në tryezë

Bisedimet SHBA–Iran nuk ndalen as gjatë orëve të natës, ja vendimi që e solli Teheranin në tryezë

April 11, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In