Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se fusha që në vazhdimësi gjeneron korrupsion është ajo e prokurimit publik. Kreu i AKK-së ka thënë se Agjencia gjatë këtij viti në prokuroritë kompetente i ka dërguar më shumë se 80 emra të zyrtarëve për dyshimin se janë përfshirë në afera të ndryshme korruptive. “Numri i kallëzimeve penale për këtë vit është më shumë se 80, vitin e kaluar 131. Për vitin e kaluar është publikuar raporti i punës me të gjitha detajet”.
Pyetjes nëse kanë marrë përgjigje nga Prokuroria dhe gjykatat për rastet të cilat kanë iniciuar?-është përgjigjur: “Se si janë përgjigjur prokuroritë në të kaluarën ju lutem të shikoni raportin vjetor të punës. Agjencia në baza vjetore i publikon të dhënat në lidhje me trajtimin e rasteve. Ka një progres të dukshëm në komunikimin e ndërsjellë, ka pak lëndë nga ato të viteve paraprake për të cilat nuk kemi informata kthyese”.