Kuvendi i Shqipërisë doli sot, 12 shkurt, me një deklaratë të përbashkët për gjyqin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, theksoi se kjo shkresë është në përputhje të plotë me qëndrimin që kjo forcë politike gjithnjë ka mbajtur ndaj procesit gjyqësor.
Pretenca, tha ai, është një batërdi e tmerrshme dhe një baltë në vijim të baltave që janë përpjekur të hidhen në këto 27 vite kundër luftës çlirimtare në Kosovë.
“Valët biblike njerëzore që i iknin kasaphanës, na qenkan zeruar, duke u lënë vendin trillimeve se gjoja UÇK na paska qenë një grup i strukturuar kriminal. Ajo pretencë është një alarm i madh, për çdo shqiptar në çdo cep të globit”, tha Balla.
Më tej, përmendi krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë.
“Kam një pyetje për prokurorët, janë 12 mijë bij e bija shqiptare të cilëve iu grabit jeta në Kosovë. Janë 20 mijë gra dhe vajza shqiptare në Kosovë që u përdhunuan, janë 1 600 shqiptarë të vdekur e të pakallur, ose siç thuhet me këtë gjuhën burokratike të Hagës, rezultojnë të zhdukur. Po për këta, çfarë mund të bëhet dhe si do t’i bëhet?!”
Theksoi se për asnjë nga personat e akuzuar për krime në Kosovë, nuk ekziston një kërkesë për 45 vite burg, përveç ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.











