Një pjesë e mirë e politikanëve tanë kanë ushtruar sportin në rininë e tyre, përfshi dhe politikanët më të lartë. Por është fakt se nga politikanët e nivelit të lartë vetëm Edi Rama ka arritur në nivelin më të lartë sportiv, atë të pjesëmarrjes në ekipin kombëtar të basketbollit.
Kundërshtarët politikë të kryeministrit kanë tentuar ta minimizojnë këtë kontribut të Ramës në përfaqësuese, duke vënë në dyshim aftësitë e tij sportive dhe pjesëmarrjen në Kombëtaren e Basketbollit e kanë cilësuar “me hatër dhe urdhër nga lart”.
Por të vërtetën e tregon Astrit Greva, trajneri i përfaqësueses së koshit para vitit 1990, njëherësh trajner i Edi Ramës. Greva, një personalitet i basketbollit tonë, me mbi 55 vjet kontribut në sport, cmon se Edi Rama ishte një lojtar që e meritonte të ishte pjesë e skuadrës kombëtare, madje një lojtar që gëzonte simpatinë e grupit dhe shfaqej si lider i tij.
“Jam pyetur shpesh në lidhje me praninë e Edi Ramës në ekipin kombëtar të basketbollit.
Ka pasur dhe media që kanë shkruar sikur unë paskam pasur presione që të marr në ekip basketbollistin Edi Rama.
Por unë edhe sot e besoj fuqishëm se Edi Rama plotësonte kushtet për të qenë lojtar i ekipit kombëtar. Ishte i gjatë, i fuqishëm.
Nuk ka qenë një basketbollist që kishte teknikë të lartë, por ishte i kërkuar për dy cilësitë që thashë më lart.
Nga ana tjetër, ishte lojtar i ri, që krijonte shoqëri të paparë me grupin. E donte tejmase grupi.
Madje lojtarët më thoshin shpesh: “Profesor! Të lutem merre Edin me vete jashtë shtetit”.
Mua gjithnjë më ka habitur shoqëria e fortë që ai krijonte me grupin dhe besimi që lojtarët kishin tek vlerat e tij, duke e bërë Edi Ramën jo vetëm të domosdoshëm në skuadër, por një lojtar me peshë”, shprehet Greva.
Më tej ish-trajneri i Kombëtares thekson se Edi Rama nuk është mbajtur me hatër në ekip, por e ka merituar atë, falë cilësive sportive që kishte.
“Unë nuk kam mbajtur me hatër asnjërin. Sot është momenti të themi të vërtetën dhe e vërteta është se Edi Rama ishte i domosdoshëm në Kombëtare. Jashtë kësaj s’ka të vërtetë tjetër”, thekson Greva.











