Në një kohë pasigurish politike dhe sfidash në sigurinë evropiane, bashkëpunimi mes vendeve është thelbësor për forcimin e stabilitetit dhe paqes. Kështu u shpreh presidentja e Maqedonisë së Veriut Siljanovska-Davkova gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin shqiptar Bajram Begaj.
“Ajo që është e rëndësishme në këtë botë të pasigurt, është lidhja e dyanshme e politikës së jashtme dhe të sigurisë mes BE-së dhe vendeve të tjera. Kjo na bën edhe më rezistentë. Gjithmonë kemi dhënë dhe do të vijojmë të japim kontribut në ruajtjen e paqes. Në këtë vizitë është bashkangjitur edhe rektori i Universitetit të Tiranës, dhe kjo përbën një dorë të zgjatur bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe shkencës. Lidhshmëria mes institucioneve do të kontribuojë në forcimin e miqësisë mes dy vendeve”.
Sipas saj, pakicat etnike dhe statusi i shqiptarëve përbëjnë ura të rëndësishme lidhëse, duke e cilësuar takimin si një nxitje të re për thellimin e bashkëpunimit dhe miqësisë dypalëshe.
“Një urë e rëndësishme është edhe pakica etnike në Shqipëri, por gjithashtu edhe statusi i shqiptarëve tek ne. Para së gjithash, ju falënderoj për vizitën, President Begaj, dhe dëshiroj të theksoj se ky takim i sotëm për mua është një stimulim dhe nxitje shtesë për bashkëpunimin bilateral, si edhe një shtesë në miqësinë dhe përkrahjen e ndërsjellë mes dy vendeve”, tha presidentja.











