Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, kombëtares së Kosovës i duhet një vend dinjitoz për zhvillimin e garave ndërkombëtare.
“Do të bëjmë çmos, që sa më parë të fillojë ndërtimi i stadiumit të ri në kryeqytet, me kapacitet prej 30 mijë ulëse, i prezantuar kohë më parë”, ka shkruar Presidenti në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Këtë shkrim ai e ka shoqëruar me një fotografi të një stadiumi, duke lënë të kuptohet se ajo paraqet projektin e stadiumit të ri të Prishtinës.
Por, stadiumi në fotografinë që e ka publikuar Presidenti i vendit, është stadium i një qyteti britanik. Më saktësisht, bëhet fjalë për Stadiumin e Qytetit të Kardifit, në Uells, ku luan ndeshjet e tij ekipi Cardiff City, shkruan Gazeta Express.
Këtë e ka hetuar Agron Demi, përfaqësues i organizatës GAP, i cili e ka akuzuar Presidentin se është përpjekur ta shesë stadiumin e Kardifit si stadium të dizajnuar enkas për Kosovën.
“Kur Presidenti ta shet stadiumin e Cardiff si stadium i “dizajnuar” enkas për Kosovën, mbetet vetëm me shpresu se ndërtimi i një stadiumi të tillë eventual s’ka me u mvar prej premtimeve të tij”, ka shkruar Demi në faqen e tij në Facebook. (b.an)