Nga Shpëtim Nazarko
Pas studentëve, opozitës, Ramës, në lojë ka hyrë dhe presidenti. Me kthimin e ligjit për buxhetin e ardhshëm edhe presidenti rreshtohet përkrah studentëve. Situata duket sa tragjike edhe komike. Të gjitha palët nuk janë kundër kërkesave te studentëve dhe në ajër duket se po reflektohet ideja se, ai që nuk do realisht të mos realizojë kërkesat e studenëve, është praktikisht kryeministri.
Vetëm ky i fundit ka të drejtën, që me një të lëvizur të gishtit, të realizojë kërkesat.
Kjo është pamja e parë dhe e drejpërdrejtë e problemit. Po cfarë mund të ndodhë nëse vërtet Kryeministri e lëviz dorën dhe firmos automatikisht kërkesat e studentëve?
Nuk po themi që brenda të drejtës së shënjtë që ca kategori të tjera më të vuajtura se studentët, si psh minatorët, pensionistët, policët etj etj, të kërkojnë po dorën e tij, të firmosë për rritje të rrogave pensioneve etj etj. Cfarë thua do më bërtiste një militant partiak apo luzma e militantëve që here pas here ndyjnë portalet me komente,e jo me ide qoftë edhe të kundërta.
Këtu po flasim për studentët dhe duhet së pari të zgjidhim hallet e tyre.
Çfarë ndodh realisht nëse kryeministri firmos kërkesat e studentëve?
Së pari, presidenti, opozita dhe të tjerë që bëjnë pjesë në burokracinë e universiteteve, do të fërkojnë duart dhe të vazhdojnë si tani të notojnë në një sistem universitar që është sa i varur aq dhe i pavarur, po që për mua nuk është as mish dhe as peshk, packa se të tjerë e quajnë autonomi universitare…
Presidenti, opozita dhe burokracia universitare, janë në të drejtën e tyre të thonë se kryeministrit ju thye hunda se ata kishin të drejtë në përkrahjen e studentëve.
Eh mirë mund të thotë dikush. Çfarë ke ti që kërkon të mbrosh kryeministrin? Le ti thyejë hundët dhe shumë mirë ti bëhet.
E kam thënë mendimin qartë ditë më parë dhe besoj se ka vetëm një rrugë , Ajo është e dialogut. Tjetër nuk ka… dhe po të ketë ajo do të sjellë vetëm ato që thashë më lart.
Po pse studentët që nuk e kanë qejf këtë filozofi duke thënë që u rrinë larg partive politike dhe këtë po e besojmë në mënyrë të plotë. nuk kanë qejf të dëgjojnë apo dialogojnë me kryeministrin?
Mundet të kenë të drejtë por unë besoj në dicka tjetër.
Së pari, ndryshe nga studentët dhe opozita, unë nuk besoj se kryeministri ka aq fuqi sa per të firmosur, sa të tëra gjërat do venë në vend. Dikur në kohën e Enver Hoxhës pas ca sukseseve në shah, ekipin kombëtar e priti Enver Hoxha i cili i pyeti se cfarë kërkese kishin.
“Duam 5 orëshin shoku Enver”, i thanë.
“Të bënet menjëhere”, u tha ai.
Të gëzuar dolën nga takimi derisa burokrati që ishte me ta u tha:
“Eh eh e tha shoku Enver po duhet të trokisni në shumë dyer, deri sa ta merrni”.
Në fakt 5 orëshi u mor dhjetë vjet pas takimit me Enver Hoxhën.
Ajo që nuk kuptojnë studentët është se përballë tyre, nuk është vetëm Rama, por një burokraci më e poshtër dhe më e ligë se ajo e Hoxhës.
Kjo nuk është ndonjë gjë e re. Kam pasur rast kohë më parë të takoj një nga njerëzit më të famshëm të botës, që është nga autorët e thyerjes së komunizmit, Gorbacovin.
Pyetjes se kush ja kishte hedhur në erë Pjerestrojkën apo Gllasnostin, plaku ju përgjigj në mënyrë të ngatërruar duke aluduar më shumë për armiqtë e jashëtm të BRSS.
Natyrisht që armiku kryesor i tij ishte burokracia e llahtarshme e BRSS, që në përpjekjen e tij shihte humbjen e privilegjeve të mbajtura për aq kohë. Ato nuk mund të lejonin këtë plak të rrjedhur, t’u hidhte në erë gjithcka….
Në rastin tonë kemi jo një burokraci që i nënshtrohet partisë shtet, po nje burokraci hibride që mbrohet pas disa të drejtave po aq hibride, që edhe Stalini apo Hoxha të ishte gjallë, zor t’u bënte gjë..
Në një pozicion të tillë praktikisht është edhe Rama. Realizmit të kërkesave, që për mua kërkojnë kohë dhe luftë të gjatë e jo vetëm të tij, nuk do ti bashkangjiten duatrokitje po vetëm përqeshje të gjithë faktorëve që përmënda më sipër.
Nuk po flasim për kërkesa sic janë ato të 5 përqindëshit të GDP që ti jepet arësimit, por edhe Vetingut akademik. Ky i fundit do të mbante një erë Revolucioni kulturor kinez…
Hapja e drejpërdrejtë e thesit pa u ulur në dialog, jo vetëm do të zbrazte thesin, do fuste kategori të tjera të pakënaqurish në lojë, por do ta rrëzonte shtetin më shpejt sa mendojnë disa.
Problemi është shumë më i rëndë. Papritur shoqëria shqiptare dhe politika së pari po përballen me tërë atë periudhë maskarallëqesh që kanë prodhuar për 30 vjet rresht. Me ndërtime idiote, me piramida parash dhe piramida universitare …Këto të fundit më të rrezikshme se ato të parave.
Rama po bën përpjekje diku direkte dhe diku indirekte të thotë, se këtu nuk është punë kërkesash . Ato janë të fundit në radhë. Ai po kërkon që përpjekjet e studentëve ti kanalizojë në atë luftën kundër burokracisë që është sa e ligë në politikë, po aq edhe në universitete.
Ta besojmë? Është në të drejtën e secilit të mendojë si ti dojë qejfi. Unë edhe ta besoja plotësisht, e di se kjo është luftë e lemerishme, bile më duket gati gati me mullinjtë e erës.
Po ndërkaq për një gje jam i bindur; se në apolitizimin e studentëve po shoh që tani se si fërkon duart një pjesë e opozitës, pozitës, apo e burokracisë shtetërore si dhe një pjesë e mirë e asaj universitare.
Si i bëhet? Para pak ditësh botova një shkrim duke ju referuar Gavroshit që këndonte nëpërmjet gojës së Hygoit vargje për Volterin dhe Rusoin. Cështja është e thjeshtë. Për të kuptuar se kush ka të drejtë, duhet ti referohemi të mëdhenjve të kësaj bote, apo nëse nuk i duam ata, të dëgjojmë gjyshërit tanë të mëdhenj.
Ku ështe elita e Kombit? Ndërsa në 90-tën i kuptoja se ishin pa bukë dhe lejuan të keqen të na mbërthente edhe 30 vjet pas Hoxhës, sot nuk justifikohen dot.
Kjo betejë nuk është për militantët qorra apo idiotët e dobishëm partiakë, sic i quante komunisti Lenin.
Beteja nuk është për numurat.. Beteja është për shumë më tepër…
Studentët me intuitë kanë hapur Kutinë e Pandorës…
Ajo mund të mos rrëzojë vetëm pushtetin… por edhe shtetin.
a.ç