Presidenti i Partisë Socialiste Europiane Sergei Stanishev, ka adresuar një sërë mesazhesh për kryeministrin Edi Rama, opozitën e vendit dhe shqiptarët.
Në fjalën e tij pas mbylljes së Konferencës ai tregohet i kujdesshëm në trajtimin që i bën punëve të brendshme të shqipërisë ku sugjeron më tepër dialog nga ana e opozitës.
“Nuk dua të futem në çështjet e brendshme të vendit tuaj, por kur flitet për procesin e integrimit mund të them se marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës, janë shumë emocionale, pasionante gjithmonë. E kam takuar Edin kur ka qenë në opozitë. Kam qenë edhe në vendin tim, kam qenë edhe në opozitë dhe qeveri, por kur bëhet fjalë për përparësitë eurpiane të vendit e gjejmë një rrugë. Të mos lejojmë çështjet e vogla që të na pengojnë. Rëndësi ka të mos pengohet zhvillimi i vendit”,- tha ai.
Stanishev, thotë se në javët e ardhshme priten lajme të mira për Shqipërinë sa i përket rrugës së saj Europiane dhe ndaj nevojitet edhe bashkëpunimi i opozitës.
“Jemi këtu me mesazhe të mira politike për shqiptarët. Gjatë javëve të ardhshme do të kemi ngjarje mjaft të rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Është bërë një reformë shumë e vështirë.
Sistemi i drejtësisë do të jetë transparent.
Ky është një kredit vetëm i zotit Rama dhe e PS. Duhet të përgëzohet edhe fushata kundër kanabisit dhe ky është një moment shumë i rëndësishëm.
Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i rajonit, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Unë mendoj se bashkëpunim me Malin e Zi është zhvilluar shumë.
Ka pasur progres edhe me Greqinë dhe duhet të vazhdohet edhe me vendet e tjera. Shumë vende kanë thënë se nuk do të kemi më zgjerim nëse ka probleme komisioni, por në fakt nuk është kështu.
Falë përpjekjeve të Mogherinit, sigurisht që ne kemi një strategji të besueshme, e cila është një tregues shumë i qartë për mënyrën se si ne duhet të ecim përpara”, tha Stanishev
a.ç