Edhe dy objekte të tjera të Trashëgimisë janë djegur në Kosovë. Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit nuk ka një strategji për mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore, referuar burimeve të medias kosovare. Shembujt e dy objekteve të vjetra të djegura brenda tre muajsh janë dëshmi që institucionet kanë dështuar në sigurimin e monumenteve. Nuk ekziston as listë me objektet të cilave u kanoset rreziku. Njohësit e trashëgimisë kulturore alarmojnë se institucionet do të duhej të monitoronin më mirë objektet që mbrohen me ligj – e sidomos ato që janë jofunksionale e të pabanueshme – teksa dakordohen në pikën se deri më tani nuk është bërë asgjë për të parandaluar rreziqet. Ministria e Kulturës në buxhetin e këtij viti ka ndarë gjysmë milioni euro për masat preventive dhe intervenime emergjente në trashëgiminë kulturore, por një gjë e tillë nuk e ka ndalur shkatërrimin.