Ergys Luga, i cili ndodhet prej pesë muajsh në qytetin Shenzhen në Kinën Jugore si trajner i klubit të futbollit të këtij qyteti, është shprehur për TemA TV se situata atje po qetësohet dhe qytetarët po i kthehen normalitetit të tyre të përditshëm.
Qyteti i Shenzhenit është në kufi të Hong Kongut, shumë larg epiqendrës së shpërthimit të koronavirusit, por pavarësisht këtij fakti, qytetarët janë ndier të frikësuar dhe mbi të gjitha të panikuar, veçanërisht nga raportimet e medias.
Luga tha se në Kinë jetojnë rreth 250 shqiptarë, gjendja e tyre shëndetësore është e shkëlqyeshme dhe dalëngadalë edhe ata po i rikthehen normalitetit.
Përshëndetje Ergys, ju aktualisht jetoni dhe punoni në qytetin e Shenzhen-it, a mund të më thoni si paraqitet gjendja atje, vetëm disa muaj nga përhapja e koronavirusit?
Përshëndetje, unë kam ardhur në Kinë që në muajin tetor dhe të them të drejtën kishte ndryshim shumë Kina në kohën e koronavirusit nga Kina pas koronavirusit. Ditët e para kur shpërtheu epidemia, e cila përkoi edhe me Vitin e Ri kinez, të krijonte bindjen se ishte çdo gjë e paimagjinueshme, popullsia e madhe u zhduk brenda ditës dhe qyteti i Shenzhenit u boshatis komplet. Ishte me të vërtetë një gjendje e çuditshme për nga mënyra se si rrodhi ngjarja. Aktualisht, çdo gjë është drejt stabilitetit dhe Kina po rikthehet siç ishte, shkalla e gatishmërisë ka rënë ndjeshëm dhe qyteti po fillon të mbushet me njerëz, pikërisht ashtu siç e gjeta më parë.
Ju preferuat të kaloni pushimet në Kinë, duke mos ardhur në Shqipëri, ndërsa mediat lokale dhe ato kombëtare transmetonin një situatë tepër të frikshme atje. Ergys nuk ndjetë aspak frikë përderisa qëndruat aty?
Duke e ditur që kinezët qoftë edhe për një grip të thjeshtë vendosin maskat, më bëri të mendoj që janë të kujdesshëm dhe patjetër që intuita ime më bëri të besoj që është thjeshtë një virus bakterologjik. Nga inforamacionet që dolën menjëherë u tha se personat e vdekur atëherë ishin njerëz të cilët vuanin nga sëmundjet kronike, duhet të keni parasysh se po flasim për kohën kur numri ishte rreth 600 të vdekur, kjo më bëri të qëndroj këtu dhe mos të kthehesha.
Jeni një trajner futbolli në Shenzhen, ju jeni paraqitur rregullisht në stërvitje?
Ekipet akoma nuk janë kthyer nga faza përgatitore, ekipi ku unë aderoj është në Spanjë për momentin dhe besoj se do kthehet në fund të marsit. Kampionati normalisht është shtyrë dhe gjithashtu ne jemi pushim dhe për të rekuperuar kohën e humbur do detyrohemi të punojme disa orë shtesë, derisa çdo gjë të rregullohet.
Keni tentuar të largoheni nga qyteti që ju jetoni?
Fatmirësisht, qyteti ku unë jetoj dhe punoj është shumë larg nga qyteti ku shpërtheu epidemia dhe nuk është se kam menduar të largohem, duke qenë se ndjehem shumë mirë këtu.
Keni komunikime me njerëz të afërt ose shqiptarë që jetojnë atje, si paraqitet gjendja e tyre?
Me sa informacion unë kam, ndodhen rreth 250 shqiptarë flasim në grupe ëebchati dhe me sa di gjendja e tyre është e shkëlqyeshme dhe po i rikthehen normalitetit. Patjetër që çdo gjë është ekzagjeruar dhe fakti që është grip i panjohur më përpara ka alarmuar autoritetet shëndetësore.
Ergys, nuk e di a mund t’ju pyes në lidhje me eksperiencën tuaj, si keni shkuar në Shenzhen dhe si po ju ecën karriera profesionale atje?
Në kohën kur punoja në Shqipëri, kam punuar si ndihmës trajner në Superligen shqiptare, trajner moshash dhe trajner i ekipit të parë të FK.Kamzës. Menaxheri im më kontaktoi dhe më tha që kemi ofertë të mirë nga Kina. Unë nuk hezitova dy herë dhe vendosa të shkoj, duke e ditur mjaft mirë për kushtet dhe vështirësitë që ka futbolli në Shqipëri. Këtu është shumë ndryshe, në Kinë ecet me projekte dhe kushtet i kanë shumë më të mira. Mund të them se është diçka që më pëlqen, por edhe pagesa normalisht që është një motivim plus. /tema/