Shkolla është laike dhe nuk duhet të promovojë fe të caktuara, as të mësojë doktrina fetare, por një gjë e tillë ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Gustav Majer”.
Mësuesi i anglishtes ka predikuar fenë e Jehovait me nxënësit e arsimit bazë, dhe pas shqetësimit të prindërve, profesori është përjashtuar.
Me video për dashurinë hyjnore për Zotin dhe detyra në fletore për nxënësit e fillores, që lidhen me urdhërimet e Perëndisë, si këto foto të siguruara ekskluzivisht nga Top Channel, prindërit e klasës së katërt ngritën alarmin në drejtorinë e shkollës në fillim të javës. Pas verifikimit nga komisioni i disiplinës, u vendos masa e largimit të mësuesit.
“5 orë mësim për Zotin. Thoshte fjalët e Zotit për fundin e botës. Na vendoste vetëm 10 për Zotin”, shprehet një nga nxënësit.
“Ka ndodhur një gjë e paparë, a ka më turp dynjaja, t’i thuash fëmijës ‘vdis sot, se do ngjallesh nesër?!’ Ti jashtë, në mbasdite, ki besimin tënd, po në shkollë jo. Gabim që nuk falet!”, thonë prindërit.
Dëshmitë e fëmijëve dhe prindërve janë tronditëse, teksa tregojnë përpjekjet për indoktrinimin e nxënësve brenda ambienteve shkollore. Rrëfimet zbulojnë se qasja e profesorit të anglishtes ishte e dukshme, por situata u përkeqësua kur bindjet e tij u bënë pjesë e programit mësimor.
Mësuesi i anglishtes shfrytëzonte orën e mësimit për të diskutuar tema fetare. Ndonëse shquhej si mësues i përgatitur në njohuritë e lëndës, kishte prindër pa dijeni mbi rastin ose të kënaqur me rezultatet e notave.
Një nga prindërit thotë: “Unë 5 vite e kam vajzën që bën anglisht dhe s’kam pasur shqetësim”.
Por, institucioni arsimor dhe drejtuesit rajonalë vendosën pushimin nga puna të mësuesit, si rast në shkelje të rregullores dhe ligjit që dikton arsimin laik.











