Mario Manxukiçi e mbylli sezonin e tij në minutën e 60-të të ndeshjes së vajtjes në Amsterdam me Ajaksin, kur Masimiliano Alegri e thirri në stol, për t’i lënë vendin Duglas Kostës. Mesa duket, sulmuesi kroat ka luajtur i dëmtuar në atë takim dhe për më shumë, problemi është më i rëndë sesa mendohej, duke qenë se siç konfirmoi trajneri juventin, përpara ndeshjes me Fiorentinën, 32-vjeçari do t’i nënshtrohet kurave për të kaluar një tërheqje të gradës së dytë.
Por sipas uebsajtit “Goal.com”, prapa këtij dëmtimi mund të fshihet diçka tjetër, diçka shumë e madhe, një sherr mes Manxukiçit dhe “Kontit Maks”, përpara çerkefinales së kthimit me Ajaksin në Torino, për më shumë pas firmës së hedhur nga futbollisti në kontratën e re, që do ta mbajë te Juvja deri në vitin 2021. Arsyet e përplasjes mes palëve nuk ka, ndonëse hipoteza më e madhe mund të lidhet me arsyen e zëvendësimit në “Johan Krojf Arena”, por ballkanasi është ai që i ka dhënë fund të gjithë këtyre thashthemeve.
Madje, vetë Manxukiç e ka ripublikuar lajmin në adresat e tij të rrjeteve sociale, ku nuk ka dashur që të bëjë asnjë koment me fjalë, por thjesht ka përdorur ikona ironike, të qeshura me lot, gishtin lart dhe ikonë “TOP”. Shkurt, Mario e ka marrë me sarkazëm ndërsa Alegri nuk është pyetur nga asnjë media mbi këtë lajm të “Goal.com”.
g.kosovari