Një inspektor i Shërbimit Informativ Shtetëror në Tiranë, është arrestuar të enjten me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi dyshohet se i ka dhënë informacione me vlerë Ilri Memushajt, personit të arrestuar për vrasjen e Denis Kasës dhe plagosjen e dy personave të tjerë.
Ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e 8 janarit në autostradën Lushnje-Fier. Kanë qenë drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Blerim Tominaj dhe zv.Drejtori i Policisë së Shtetit, Adrian Çipa, të cilët nga qyteti i Durrësit kanë dhënë detaje për këtë arrestim.
“Në lidhje me personin për të cilin bëhet fjalë është shtetasi Florian Bushi, punonjës i SHISH-it, i cili është arrestuar sot (e enjte) me kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprën penale të parashikuar në Nenin 319 fillimisht, dhe më pas me vijimin e hetimeve do të konkuldojmë saktësisht në lidhjen e tij apo personave të tjerë për ngjarjet e kësaj natyre”, u shpreh Blerim Tominaj.
“Ne me të gjitha strukturat hetimore të Policisë së Shtetit jemi të angazhuar për ndjekjen me shumë kujdes të gjitha ngjarjeve të rënda kriminale siç është vrasja e Vlorës, e Fierit që për hir të së vërtetës është duke ecur shumë mirë në drejtim të identifikimit, dokumentimit dhe arrestimit të autorëve. Jo më vonë se sot (e martë) Prokuroria për Krime të Rënda ka identifikuar një punonjës të SHISH të implikuar në këtë ngjarje i cili ka nxjerr të dhëna të rëndësishme që u kanë shërbyer autorëve”, deklaroi zv.Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardian Çipa.
Burime nga grupi hetimor, bëjnë të ditur për Top Channel se inspektori i SHISH, Florian Bushi, i kishte nisur me fotografi, Ilir Memushajt, transkriptet e përgjimit të një personi tjetër, i cili deri më tani rezulton se nuk ka lidhje me ngjarjen, por mbetet për t’u verifikuar lidhjet e Memushajt me personin që ka qenë në përgjim.
Në momentin e arrestimit, Ilir Memushajt, në celular iu gjetën foto të dokumentit të përgjimit, ku pasi u verifikua, rezultoi se dokumenti ishte fotografuar dhe dërguar Memushajt nga inspektori i SHISH, Florian Bushi.
Ndërkaq, Tominaj dhe Çipa gjatë takimit të zhvilluar në Drejtorinë e Policisë së Durrësit kanë diskutuar dhe lidhur me ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në këtë qytetet, duke theksuar se hetimet vijojnë intensivisht si për identifikimin e autorëve të vrasjes së Gazmend Çollakut, por edhe të Ervin Kodrës dhe Endri Çaushajt, duke mos përjashtuar dhe lidhjet që vrasjet mund të kenë mes tyre, por janë shprehur të rezervuar në dhënien e detajeve të tjera.