Partia Demokratike e Kosovës kërkon që Kuvendi të nisë pa vonesa procedurën për ndryshim e ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë, nismë të cilën kjo parti e ka dorëzuar në qeveri. Deputeti Përparim Gruda tha se nisma duhet të miratohet para 6 tetorit, kur përfundon edhe afati për zgjedhjen e presidentit.
Gruda tha se ligji është hartuar me ekspertizë lartë dhe nuk prish asnjë detyrim ndërkombëtar të ndërmarrë nga Kosova për themelimin e Gjykatës Speciale.
“Ligji është hartuar me një ekspertizë të lartë të njerëzve brenda dhe jashtë PDK-së, por nuk do te thotë që nuk jemi te hapur te dëgjojmë opinione të tjera për ta përmirësuar. Ligji nuk prish asnjë detyrim ndërkombëtar.”
Gruda sqaroi edhe shqetësimet se ligji mund të shfuqizohet nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Pr.Ligji i heq kompetencën dhomës kushtetuese në Hagë për kontroll abstrakt te ligjit. Ky ligji nuk do t’i nënshtrohet kurrë kontrollit kushtetues nga dhomat në Hagë, por nga GJK në Kosovë. Ndryshimi kryesor eshte qe krimet e luftës nuk do të gjykohen më në Hagë, por në institucionet në Kosovë. Për të akuzuarit aktualë edhe Apeli do të vendoset atje, por shkalla e tretë, Gjykata Supreme do të kthehet në Kosovë. “
Kreu i grupit parlamentar të PDK-së Arian Tahiri i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të çojë pr.ligjin në Kuvend për miratim, duke e veçuar këtë çështje nga ajo e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
“Ligji është mbi çdo llogari politike. Presidenti është konsensus dhe vullnet politik i subjekteve politike. Por ligji eshte obligim kombëtar i yni.”
Një javë nga përfundimi i afatit Kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, partitë politike ende nuk kanë publikuar emrin e një kandidati të mundshëm si pasardhës të Vjosa Osamanit. Postin e saj prej gati gjashtë muajsh e mban krye parlamentarja Albulena Haxhiu, por kjo e fundit mund të qëndrojë në zyrën e presidentit deri më 4 tetor.











