Hetuesit e politikanëve duhet t’i thonë lamtumirë privatësisë së tyre. Njerëzit që do të bëjnë pjesë në byronë kombëtare të hetimit dhe prokurorinë e posaçme do të jenë në përgjim të përhershëm të telefonatave dhe llogarive bankare.
Sipas ligjit të ri për institucionet që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, hetuesit dhe familjarët e tyre nuk lejohen të përdorin numër tjetër telefoni dhe adresë emaili përveç atyre që u jep shteti për 10 vjet radhazi.
“Nëse Oficeri Përgjegjës i Byrosë Kombëtare ka dyshim të arsyeshëm se një telefonatë, mesazh apo komunikim me postë elektronike është provë e korrupsionit, nxjerrjes së informacionit, komunikimit me organizata kriminale, ndikimit politik apo çfarëdo veprimi tjetër, ai ia raporton atë një prokurori të posaçëm të Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në ligj i cili detyron shtetin t’i gjejë zyra pune byrosë kombëtare të hetimit dhe të nisë rekrutimin e stafit të saj 4 muaj pas miratimit të ligjit, pjesë e reformës në drejtësi.
Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit të njohura nën siglën SPAK do të hetojnë zyrtarë të të gjithë niveleve përfshirë politikanë dhe gjyqtarë, do të kenë akses të drejtpërdrejtë në sistemet e informacionit apo bazat e të dhënave të ët gjithë organeve shtetërore.
Sipas ligjit të ri, drejtori i Byrosë ka mandat 5 vjeçar. Ai propozohet nga drejtuesi dhe 2 prokurorë të prokurorisë së posaçme dhe emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë një seksion i specializuar i policisë gjyqësore, që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.
Drejtuesi i Byrosë, ndryshe nga ai i SHISH, duhet të ketë vetëm shtetësinë shqiptare dhe arsim të lartë policor, drejtësi apo ekonomi. Me këtë arsim duhet të jenë dhe hetuesit e tjerë të kësaj strukture të re./Report tv/a.k
PER-ORG.-DHE-FUNK-E-INST.LUFTUAR-KORRUPS-DHE-KRIMIN-E-ORG