SPECIALE JAVANEWS/ A po kthehen Organizatat jo Fitimprurëse (OJF) në Shqipëri në paradhoma të partive politike? Më saktë OJF-të po ristrukturojnë rrjetin e organizatave parapolitike dhe pro-partiake në vend? Duket se për këtë pyetje nuk ka shumë mëdyshje. Në bazë të një analize lidhur me aktivitetin e shumë OJF-ve, mjafton ti referohesh për këtë portaleve të tyre, ku konstatohet lehtësisht se janë mbi 75 site të krijuara përgjatë vitit 2015, ku shquan se ato dominohen tërësisht nga fryma partiake. Sipas një raporti të INSTAT në Shqipëri numërohen rreth 2409 OJF. Numërin më të lartë të OJF-ve e mban Tirana. Por mendohet se numëri i këtyre organizatave është më i madh po të kemi parasysh se shumë prej tyre nuk janë deklaruar pranë institucioneve tatimore.
Ligji
Organizata Jofitimprurëse, sipas Ligjit Nr. 8788, Datë 7.5.2001 është një person juridik shoqatë, fondacion apo qendër, që nuk ka për qëllim sigurimin e fitimit dhe vepron si e pavarur nga shteti apo ndikimet politike të partive dhe angazhohet kryesisht në aktivitete që kontribuojnë në të mirën publike. Por a ndodh kështu? Vështirë të thuhet. Në site-t e këtyre organizatave gjen opinione kritike që nga mënyra sesi forcat politike riorganizojnë degët e tyre partiake, që nga analiza e të zgjedhurve vendorë, që nga operacionet e policisë, taksat, tatimet, e deri në opinione për politikën e jashtme. Shumë prej këtyre portaleve që deklarohen siOJF u mungojnë veprimtari me karakter kontribues për të mirën publike.
Deformacionet
Prej kohësh misioni i OJF në Shqipëri duket se është kompromentuar jo pak. Ortakërit politike, pjesëmarrjet në jo pak raste në mitingje politike të krerëve të këtyre OJF-ve, aktivitet me karakter të pastër politik, si dhe katapultimi në jo pak raste i drejtuesve të këtyre OJF-ve në forumet më të larta drejtuese të partive politike në vend, kanë shfaqur në jo pak raste deformin e misionit të cilin kanë OJF, të paktën sipas ligjit. Kjo tablo bën të qartë se në jo pak raste mjaft OJF po kthehen në organizata parapolitike, ku drejtuesit projektojnë të ardhmen e tyre politike.