Lidhjet mes politikës, biznesit dhe medias kanë marrë formën e një “trekëndëshi Bermude” në Shqipëri, që minon gazetarinë cilësore dhe gjeneron censurë e vetëcensurë mes gazetarëve.
Një studim i BIRN Albania që përfshiu 121 gazetarë, drejtues mediash dhe ekspertë arrin në përfundimin se interesat ekonomike të pronarëve, lidhjet e tyre me politikën dhe pamjaftueshmëria financiare janë faktorët kyçë në prodhimin e censurës; një fenomen mjaft i përhapur në Shqipëri.
“Kur kam qenë gazetar, jam ndeshur me dhjetëra herë me censurën e redaktorëve të mi për lajmet që çoja në gazetë apo TV. Si redaktor, jam ndeshur me dhjetëra herë me dëshpërimin e gazetarëve të mi, pasi u kam censuruar një lajm,”-i tha BIRN një kryeredaktor lajmesh në Tiranë.
Megjithatë, ai është vetëm njëri prej profesionistëve të medias, që përmbledh në vetë të parë rrethin vicioz të censurës që dominon prej vitesh median shqiptare.
Mbi 70% e profesionistëve të përfshirë në studim besojnë se gazetarët në Shqipëri shmangin mbulimin e lajmeve të caktuara. Pothuajse gjysma e gazetarëve raportojnë se vetë ata kanë shmangur lajme, një apo disa herë gjatë praktikës së tyre të punës.
Arsyet identifikohen lehtë në piramidën mediatike, që dominoi tregun në dy dekadat e tranzicionit në Shqipëri: biznesmenë të fushave të ndryshme u bënë njëherazi edhe botues mediash në vend. Mediat e tyre u financuan ose u mbajtën në këmbë nga paratë e biznesit dhe të dyja bashkë ushqyen lidhje të ngushta me politikën.
Përveç ndërthurjes së këtyre interesave, klima mediatike në Shqipëri raportohet të jetë nën presionin e fortë të faktorëve të jashtëm, të cilët ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe negative në cilësinë e saj.
Gazetarët e përfshirë në studim rendisin edhe reklamuesit e mëdhenj, reklamat shtetërore dhe institucionet publike si faktorë shtesë në ushtrimin e presionit mbi raportimin e lajmeve. Megjithatë, ato kanë më pak ndikim se interesat ekonomike dhe politike të pronarëve të medias.
Sfidat e gazetarëve
Shqipëria-një vend me vetëm 2.8 milionë banorë numëron sot më shumë se 25 gazeta të përditshme, më shumë se 100 kanale televizive, 36 revista të përmuajshme dhe 69 publikime periodike. Megjithatë, numri i madh i mediave në treg nuk dëshmon për nivel të lartë të lirisë dhe pavarësisë së shtypit.
Në raportin e vitit 2014, Reporterët pa Kufinj e renditën Shqipërinë në vendin e 85-të nga 173 vendet e analizuara në raportin e tyre “Indeksi i Lirisë së Shtypit”. Freedom House-një tjetër organizatë që analizon lirinë e shtypit e rendit Shqipërinë në zonën “gri”, duke evidentuar njëanshmëri të fortë dhe partizanizëm, veçanërisht në kohë fushatash elektorale apo gjatë tensionit të ndezur politik.
Situata sot paraqet një rënie të ndjeshme nga viti 2003, kur Shqipëria renditej në vendin e 34-rt dhe vlerësohej se kishte performancën më të mirë në Ballkanin Perëndimor.
Gazetarët shqiptarë mendojnë se ekzistojnë një mori arsyesh për këtë situatë të errët që po kalon media. Siguria e punës dhe e pagës renditet në krye, për të cilën 80 për qind e të anketuarve e vlerësojnë si negative apo shumë negative.
Në një studim të vitit 2012, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë zbuloi se vetëm 42 për qind e gazetarëve në Shqipëri kanë një kontratë të rregullt pune. Në anën tjetër, një pjesë e mirë e gazetarëve në vend përballen me vonesa në pagesat e tyre mujore.
Studimi i BIRN Albania arrin në përfundimin se kushtet e punës dhe pasiguria e gazetarëve krijon terren për censurë dhe vetëcensurë mes gazetarëve.
“Ky është problemi kryesor, mbijetesa. Një gazetar që nuk paguhet, do bëjë gazetari të keqe. Media është një profesion, por gjithashtu edhe pasion. Megjithatë një gazetar nuk mund t’i ushqejë fëmijët me pasion. Maksimumi mund të ushqejë iluzionin e tij e rrjedhimisht zhgënjimin,” i tha BIRN një kryeredaktor në Tiranë.
Mungesa e një politike editoriale të shkuar është gjithashtu një tjetër faktor që nxit vetëcensurën dhe krijon konfuzion në mënyrën se si mbulohen lajmet. Rreth gjysma e gazetarët pjesmarrës në anketim mohojnë të kenë dijeni për ndonjë media që e ka të shkruar politikën editoriale.
Pavarësisht se e pashkruar, politika editoriale e mediave, e perceptuar si anësi politike, raportohet se është e njohur nga ana e gazetarëve që përpara se ata t’i bashkohen medias specifike, ose u përcillet përgjatë punës në mënyrë informale, përmes urdhrave ose sinjaleve nga ana e pronarëve ose redaktorëve, censurës së lajmeve, apo sugjerimeve nga kolegët.
Këto presione brenda organizatës mediatike, në zbatim të linjës editoriale të vendosur nga pronari i medias, raportohen se ndikojnë në mënyrë të rëndësishme “shmangien e lajmeve të caktuara”, “mbulimin e njëanshëm të lajmeve”, “mbulimin pozitiv/reklamues të partnerëve politikë ose financiarë”, si dhe “mungesën e gazetarisë kritike dhe investigative”.
Faktori “vetcensurë”
Mund të ketë këndvështrime të ndryshme mbi atë se çfarë është një politikë editoriale, por udhëzimet e pronarëve dhe drejtorëve të medias që shpërndahen përmes redaktorëve ndiqen në përgjithësi nga gazetarët pa diskutim. Në shumë raste, gazetarët nuk i vënë në diskutim udhëzimet e marra pasi ndiejnë se janë të pasigurtë në vendet e tyre të punës.
“Politika editoriale në mediat shqiptare zbatohet për mrekulli. Duke qenë një media monokontroll, funksionon parimi: urdhri zbatohet, nuk diskutohet. Gazetarët i qëndrojnë besnik politikës editoriale dhe vonesa e pagave me 3 apo 4 muaj, ua shton besnikërinë,” i tha BIRN një kryeredaktor lajmesh në Tiranë.
Përveç sigurisë për vendit të punës, pasiguria fizike është një shqetësim tjetër që shfaqet në intervista, veçanërisht nga gazetarët që punojnë në kronikën e zezë, në lajmet politike dhe ata që punojnë në media lokale jashtë Tiranës.
Drejtuesit e mediave në Tiranë pranojnë gjithashtu se presionet nga krimi i organizuar është një fenomen i ri, që po i shtohet shkaqeve të vetcensurës në mediat shqiptare. Drejtori i një medie në Tiranë i tha BIRN se përveç arsyeve politike dhe linjës editoriale të medias që drejton, ka vënë re edhe fazat e para të evitimit të një lajmi për shkak të krimit të organizuar.
Në mungesë të një politike editoriale të shkruar, udhëzimet mbërrijnë tek gazetarët me anë të sinjaleve apo urdhrave të drejtpërdrejtë të redaktorëve apo drejtorëve. Me kalimin e kohës, gazetarët brendësojnë orientimin editorial të medias përkatëse, duke shmangur mbulimin kritik të politikanëve, institucioneve apo organizatave politike të cilat konsiderohen si të paprekshëm.
Ky brendësim sjell mungesë mbulimi të disa institucioneve, mbulim të njëanshëm të disa të tjerave, mbulim pozitiv në formën e zëdhënies dhe mungesë të gazetarisë kritike dhe investigative.
“Na është bërë e qartë që ky institucion dhe ky tjetri nuk mund të preken. Normalisht që kjo na ka frenuar. I evitojmë që në momentin e parë që përballemi me këto lajme,” pohon një gazetar në Tiranë.
“Është vetë gazetari që e di se çfarë do ose kërkon media në të cilën punon, kështu që ecën në po atë drejtim. Ti e di ku duhet të shkelësh dhe ku jo,” sqaron më tej një ekspert i medias.
E ndërsa pranojnë hapur censurën dhe vetëcensurën, gazetarët kanë vështirësi megjithatë të projektojnë mënyrat se si mund të ndryshohet kjo situatë. Megjithatë, rekomandimet e tyre fokusohen tek promovimi dhe mbështetja e mediave me pronësi gazetarët apo zhvillimi i mediave online; një kundërpërgjigje ndaj dështimit të deritanishëm të mediave tradicionale për të qenë të pavarura.
Gazetarët e përfshirë në anketim ushqejnë shpresa të mëdha për median e re online, që sipas tyre po jep efektet e veta në zgjerimin e kufinjve të lirisë dhe thyerjen e censurës tek disa gazetarë.
Megjithëse në Shqipëri nuk është krijuar ende një model financiar funksional për një media të suksesshme në internet, tregu aktualisht po zien nga mediat e reja, të cilat, të intervistuarit besojnë se ofrojnë përgjigjen ndaj medias konvencionale, kur ato të maturohen.
Rritja e kontrollit dhe transparencës së financave të medias dhe atyre të pronarëve të medias është një tjetër sugjerim për rritjen cilësore në raportimin e lajmit. Transparenca besohet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin e presionit mbi gazetarët dhe redaktorët nga trekëndëshi i krijuar mes politikës, biznesit dhe medias./BIRN