Një njohës i hershëm i zhvillimeve në Shqipëri, thekson se hapja e negociatave me BE-në, do t’i krijojë mundësi Bashkimit Evropian të kërkojë më me këmbëngulje kryerjen e reformave në vend.
Robert Hand, këshilltar politik i Komisionit të Helsinkit, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se po të ishte një qytetar shqiptar do të ishte i skandalizuar se si i shpëtojnë ndëshkimit zyrtarët më të lartë të vendit.
Në një intervistë me Keida Kostrecin, zoti Hand tha gjithashtu se udhëheqësit politikë të Shqipërisë lobojnë në SHBA për interesat e tyre dhe jo për të mirën e vendit dhe se të gjitha vendet e rajonit, duhet ta marrin seriozisht rrezikun e ndikimeve të huaja, si ato të Rusisë dhe Turqisë.
Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. Rekomandimi shkaktoi debat lidhur me faktin nëse Shqipëria është gati apo jo për rrugën drejt anëtarësimit. Si mendoni ju, a është gati?
Mendoj se ka një shkallë arbitrariteti dhe subjektiviteti nga ana e Brukselit lidhur me vendimin se kur fillojnë negociatat, kështu që përveç faktit nëse Shqipëria është gati apo jo, Brukseli ka mundësi që të ketë dashur t’i dërgojë një sinjal Ballkanit, që zgjerimi është tani përsëri në tryezë dhe se Brukseli dëshiron të punojë me vendet e rajonit dhe t’u japë atyre një drejtim evropian. Pra mendoj kjo është më shumë arsyeja pse po e bëjnë tani, dhe jo sepse Shqipëria ka arritur të njëjtin nivel përparimi, që kishin vendet e tjera, kur hapën negociatat. Megjithatë është e qartë mendoj unë që nuk ka konsensus për këtë vendim në Evropë. E di nga vizita e kryeministrit (Edi) Rama në Gjermani, që nuk pati premtim për të mbështetur rekomandimin e Komisionit Evropian, pati një farë hezitimi, duke vënë në diskutim nëse Shqipëria është gati apo jo. Sipas mendimit tim, rekomandimi i Komisionit Evropian është diçka pozitive dhe shpresoj që të fillojnë negociatat për kapituj të ndryshëm, por shpresoj që duke e bërë një gjë të tillë, Bashkimit Evropian t’i rritet ndikimi ndaj Shqipërisë për të kërkuar me këmbëngulje kryerjen e reformave në vend. Dukej sikur BE-ja po humbiste ndikimin dhe mendoj se kjo mund t’ia rrisë ndikimin ndaj Tiranës për të nxitur për programin e reformave dhe shpresoj që ta mbajnë Tiranën përgjegjëse për të gjitha kushtet që duhen plotësuar për t’i mbyllur kapitujt. Kjo do të jetë më kryesorja.
Pra ju e shihni këtë proces me dy paralele: nga njëra anë dhënia e një shansi nga ana e Brukselit ndoshta për arsyet e veta pragmatike, disa prej të cilave mund të kenë të bëjnë me Ballkanin dhe disa me realitetin e ri në Evropë dhe nga ana tjetër ushtrim trysnie?
Pikërisht për këtë e kam fjalën. Dhe nga koha kur Komisioni Evropian e bëri këtë rekomandim deri në qershor kur vendet anëtare duhet të vendosin, në vend që të përpiqen ta shesin këtë në vendin e vet në Shqipëri duke thënë “do t’i hapim negociatat”, dhe të shkaktojnë zhgënjim nëse kjo nuk realizohet, mendoj se si qeveria ashtu edhe opozita duhet të përpiqen të punojnë së bashku për të ndërmarrë hapa që do ta bënin të mundur për vendet anëtare, që kur të takohet Këshilli të bien dakord për hapjen e negociatave. Jam pak i shqetësuar kur dëgjoj kryeministrin Rama të thotë që nëse (BE-ja) nuk e bën tani, do të ketë radikalizëm islamik ose ndikim rus. Këto nuk janë argumenta për hapje negociatash. Ai duhet të jetë i shqetësuar vetë për këto probleme dhe të punojë me opozitën dhe shpresoj që edhe opozita të punojë me të. Dhe (kryeministri duhet) të thotë “këto janë kërcënime për Shqipërinë, le të punojmë që të sigurohemi që kur të vijë qershori, Këshilli Evropian të thotë po, le t’i hapim negociatat”. Pra do të doja të shihja këtë lloj presioni të ushtrohej ndaj udhëheqësve politikë të Shqipërisë në këtë moment, që të çojnë përpara një program më të fortë reformash.
Duket sikur ka një mospërputhje mes vlerësimit të Komisionit sipas të cilit “prirja pozitive e viteve të fundit vazhdoi” në luftën kundër korrupsionit dhe dy raporteve të fundit të Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut ku thuhet se “korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes” dhe ai i organizatës Freedom House. Si do t’i analizonit këto raporte?
Para së gjithash arsyet që përmenda pse sipas mendimit tim e ndërmori këtë hap Komisioni, nuk janë domosdoshmërisht arsyet që ata mund t’i thonë zyrtarisht, pra mund të ketë qenë në një fare mase një dhënie shansi për Shqipërinë që të provojë veten. Por mendoj gjithashtu se ka një prirje nga ana e evropianëve që thjesht miratimi i ligjeve ose marrëveshjet për strategjinë për luftën ndaj korrupsionit, të shihen si përparim. Pikëpamja amerikane – dhe kjo mendoj se është e dukshme në raportin për të Drejtat e Njeriut – mënyra se si ne i trajtojmë gjërat, nuk është njëlloj: Nuk është e mjaftueshme të miratosh një ligj, duhet të ketë zbatim konkret, hapa konkrete. Për shembull është gjë pozitive që së fundmi ka pasur veting të gjykatësve, por kjo nuk do të thotë që brenda natës u zhduk korrupsioni në sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe mendoj se raporti i Departamentit të Shtetin e reflekton këtë. Edhe nëse ka pasur miratime, zbatimi konkret, ndryshimi në terren, nuk është realizuar dhe prandaj duket se ky raport është shumë më kritik. Unë e shikoj këtë kontrast. Mënyra sesi evropianët i konsiderojnë të drejtat e njeriut, çështjet e korrupsionit, të shtetit ligjit gjithmonë ka qenë disi ndryshe nga ajo e Shteteve të Bashkuara. Është ndryshimi mes miratimit të masave dhe zbatimit konkret. Pastaj kemi raportin e Freedom House që i shikon gjërat nga një perspektivë tjetër. Para së gjithash është një organizatë joqeveritare dhe organizatat jo-qeveritare ashtu si edhe shoqëria civile gjithmonë kërkojnë më shumë, nxisin për më shumë dhe në veçanti Freedom House, e krahason Shqipërinë edhe me vende të tjera, edhe analizon për një periudhë më të gjatë kohore dhe kur e bën një gjë të tillë, nuk sheh vetëm çfarë ndodhi nga viti 2016 në vitin 2017 apo nga 2017 në 2018, por edhe ku është ky vend krahasuar me pritshmëritë tona se ku duhet të jetë dhe nga ky këndvështrim Shqipëria është shumë mbrapa dhe në këtë pikëpamje unë jam dakord me Freedom House. Mund ta pranoj që ndoshta ka pasur pak përparim aty-këtu por një çerek shekulli pas rënies së shtetit komunist njëpartiak, Shqipëria duhet të ishte shumë më përpara se ç’është tani. Është me të vërtetë qesharake që nuk ka qenë në gjendje që të përparojë më shumë përsa i takon luftës kundër korrupsionit. Pra unë do të isha dakord me Freedom House që mendoj se ka vlerësimin më kritik.
Do të thoja gjithashtu, duke lexuar raportin e Komisionit Evropian, se edhe aty gjithmonë thuhet një farë përparimi, që të paktën në anglisht është njëlloj si të thuash përparim minimal, nuk thotë përparim i konsiderueshëm, ose përparim i madh. Pra megjithëse raporti i Komisionit Evropian, është pak më pozitiv është shumë larg një mbështetjeje të fortë për çka po bëhet në Shqipëri për të luftuar korrupsionin. Shpresoj që Brukseli ta kuptojë këtë – dhe me siguri e kupton sepse është raporti i vet – dhe t’i thotë Tiranës që duhet të jetë shumë më serioze në këto përpjekje për të luftuar korrupsionin.
Ajo që bie në sy në këto raporte, por edhe po të shohësh gjendjen në Shqipëri është kultura e pandëshkueshmërisë dhe fakti që vetingu ka filluar, por njerëzit në nivele të larta të politikës vazhdojnë të jenë të paprekshëm dhe ju e keni ngritur këtë shqetësim edhe më parë…
Nuk është diçka që ndodh vetëm në Shqipëri, e shohim edhe në vende të tjera që kur u ushtrohet presion që të luftojnë korrupsionin, ata e bëjnë një gjë të tillë me subjektet më të lehta, personat në nivelet më të ulëta dhe jo organizatorët dhe pa diskutim nga sa e shoh unë ka një pandëshkueshmëri për ata që janë në nivele të larta, që ata nuk vihen para përgjegjësisë dhe shpresoj që kjo të ndryshojë. Kjo është pjesërisht arsyeja që unë ndaj vlerësimin më kritik dhe po të isha qytetar shqiptar do të isha i skandalizuar se si udhëheqësit e politikës i kanë shpëtuar dhe vazhdojnë t’i shpëtojnë ndëshkimit për ato që kanë bërë.
Si do t’u përgjigjeshit atyre që thonë, “po të ishim kaq të këqinj, si ka mundësi që fituam zgjedhjet me një shumicë të tillë”?
Është çështje alternativash. Duke pasur parasysh se sa i shfrenuar është korrupsioni dhe nuk është vetëm në Partinë Socialiste, e sheh në të gjitha partitë politike, njerëzit nuk kanë alternativa reale të pranueshme përballë asaj që është në thelb një elitë politike e korruptuar. Do të ishte shumë mirë të shihnim fytyra të reja në politikën shqiptare që të paraqisnin këto alternativa por nga mënyra sesi janë strukturuar gjërat, do të ishte e vështirë për njerëzit e rinj të ecin përpara. E di që në disa parti politike, ka pasur përpjekje për ta larguar vëmendjen nga udhëheqja aktuale, por deri tani duket se të gjithë kanë ngecur në pozicione të palëvizshme dhe ky është vërtet problem.
E keni fjalën për ndryshimet që u dhanë pushtet të gjerë krerëve të partive?
Po, partitë politike vetë nuk janë shumë demokratike dhe unë e di që disa nga anëtarët e thjeshtë në strukturat partiake zhgënjehen nga kjo gjendje por aftësia e tyre për ta ndryshuar është mjaft e kufizuar.
Si do ta vlerësonit punën e qeverisë që kur shumica fitoi zgjedhjet vitin e kaluar?
Është pak e vështirë të japësh nota për këto gjëra, por mendoj se raporti i Komisionit Evropian, Raporti i Departamentit të Shtetit dhe Freedom House, si edhe të tjera flasin vetë. Mendoj se qeveria e kupton që duhet të ndërmarrë hapa por nuk mendoj se presioni është i mjaftueshëm për t’i marrë këto hapa dhe shpresoj që të bëjnë më shumë sepse nuk nuk do të isha i kënaqur po të isha qytetar shqiptar. Sigurisht një pjesë e presionit mund të vijë nga jashtë por do të ishte mirë të shihnim më shumë presion edhe nga brenda: presion për ndryshim nga brezi më i ri, nga shoqëria civile etj.
Meqë flasim për presionin nga jashtë, ju gjithmonë keni mbështetur përpjekjet e Ambasadorit amerikan Donald Lu. A mendoni se kanë ndihmuar?
Po, shumë. Mendoj se ka bërë një punë të shkëlqyer atje dhe shpresoj që përsa kohë të vazhdojë të jetë atje, të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë.
Një nga problemet më serioze në politikën shqiptare, është mungesa e transparencës dhe mungesa e kuadrit ligjor lidhur me burimet e mbështetjes financiare për partitë dhe të gjitha partitë kryesore në Shqipëri kanë shpenzuar para për lobime në Shtetet e Bashkuara. Sa i justifikueshëm është shpenzimi i shumave të tilla që me shumë gjasa është për fotografi me figura politike në Shtetet e Bashkuara dhe për të fituar pikë me opinionin publik, në një vend si Shqipëria me varfëri të lartë dhe probleme të tjera? Dhe nje argument mund të jetë që lobimi është i ligjshëm, por konteksti ka rëndësi…
Po, ka një kontekst ligjor por kjo është njëkohësisht një pyetje shumë politike. Lobimi është normë këtu në Uashington dhe ka rregulla specifike, si regjistrimi si agjent i huaj, raportimi i emrave të klientëve dhe sa shumë je paguar prej tyre. Përsa kohë gjithçka është bërë në përputhje me ligjin amerikan, të pëlqen ose jo, kështu realizohen shumë gjëra në Uashington dhe teorikisht disa nga këto firma të marrëdhënieve publike mund t’u sigurojnë qasje vendeve tek disa individë që nuk mund ta kishin ndryshe. Kjo është në teori. Në realitet, kur një gjë të tillë e bëjnë partitë dhe jo qeveritë që përfaqësojnë vendin, motivacioni i tyre nuk është domosdoshmërisht të bëjnë atë që është e mirë për vendin, por se çfarë i bën ata si parti politike të duken mirë dhe kjo për mua është problematike sepse mendoj sepse në përgjithësi nuk reflekton pozitivisht për vendin kur çdo parti politike ka grupet e veta të lobizmit këtu në Uashington, duke bërë garë me njëri-tjetrin për kontakte me këtë apo atë person dhe veçanërisht nuk e pëlqej sepse secili prej tyre do të përpiqet për kontakte me anëtarë me peshë të Kongresit për shembull, që jo domosdoshmërisht dinë hollësi për situatën politike në Shqipëri dhe mund t’u paraqesin atyre një argument të mirë dhe ai zyrtar do thotë diçka që do të ketë peshë dhe mund si të thuash ta shtrembërojë atë që mund të duket si qëndrim ose përgjigje e Shteteve të Bashkuara ose përgjigje ndaj një situate të caktuar në Shqipëri. Pastaj është edhe çështja që trajtuat ju, mungesa e transparencës dhe madje edhe nga vijnë këto para. Janë shuma të mëdha dhe më bëjnë edhe mua herë pas here të vras mendjen se nga vijnë. Pra unë e shoh si një shqetësim të madh politikisht. Edhe nëse është bërë gjithçka ligjërisht këtu në Shtetet e Bashkuara, Shqipëria duhet të marrë në konsideratë nëse kjo është mënyra më e mirë e veprimit. Unë kam punuar me ambasadën shqiptare këtu në Uashington dhe ka pasur diplomatë dhe ambasadorë shumë të mirë dhe të zotë që punojnë ta përfaqësojnë vendin si një të tërë, por duke parë sa mangësi kanë ata në burime kur janë ata që përfaqësojnë vendin këtu në Uashington, unë do të preferoja që të shtoheshin fonde për të përmirësuar aftësinë e Ambasadës për të siguruar kontakte dhe të jenë në dispozicion të çdo vizitori nga Shqipëria, pavarësisht se kujt force politike i takon, që të vijnë dhe të përdorin burimet e ambasadës, si për shembull të sigurojnë takime dhe të tjera si këto. Për mendimin tim kjo do të ishte rruga më e mirë por u takon shqiptarëve të gjykojnë nëse janë të kënaqur me situatën apo duan këtë mënyrë tjetër që do ta përfaqësonte gjithë vendin.
Por kur ka paqartësi se nga vijnë paratë dhe si raportohen dhe përdoren, nuk bëhet më fjalë vetëm nëse publiku e miraton një gjë të tillë, pjesa tjetër është se publiku nuk arrin të marrë vesh…
Robert Hand: Po, është mungesa e transparencës dhe kjo është një nga ato gjëra që duhet të ndryshojë në Shqipëri, që të bëhet publike se nga vijnë këto para.
Qeveri të kaluara dhe aktuale ose partitë në pushtet kanë bërë lobim në Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara janë vende mike. A mendoni se është e nevojshme të shpenzohen gjithë këto para kur për shembull, në përgjithësi një qeveri, një kryeministër apo parti në pushtet do të ketë qasje tek zyrtarët në Amerikë?
Mendoj se përgjigjia ndaj pyetjes tuaj është në rrënjë të gjithë kësaj dhe vjen kryesisht nga partitë politike. Shqipëria është shumë pro-amerikane. Mendoj se në pjesën më të madhe Shtetet e Bashkuara e dinë këtë dhe e kanë mbështetur shumë Shqipërinë dhe ata që e njohin Shqipërinë edhe më shumë. Mund të ketë disa njerëz këtu në Shtetet e Bashkuara që ndoshta nuk e njohin aq shumë këtë marrëdhënie të mirë. Por mendoj se ky lloj lobimi nuk ka më shumë si objektiv se ç’mendojmë ne për vendin si një i tërë. Është më shumë konkurrenca brenda Shqipërisë arsyeja për një pjesë të këtij lobingu, sesa përpjekje për lobim në emër të vetë Shqipërisë. Mendoj se këtu qëndron problemi. Jo, Shqipëria nuk ka nevojë të bëjë shumë përpjekje për të shitur veten këtu në Uashington. Është një vend mik, aleat dhe ne kemi një marrëdhënie të mirë në këtë drejtim. Por lobimi është përqendruar gjithmonë e më shumë tek kjo loja nëse ne favorizojmë socialistët ose demokratët apo forca të tjera politike.
Shqetësime janë ngritur gjithashtu për një prirje të mundshme drejt autoritarizmit, duke pasur parasysh kontrollin që ka kryeministri Rama mbi partinë dhe shumicën e gjerë në parlament, por më tepër falë veprimeve të tij për ta përdorur këtë shumicë për arsye jo shumë bindëse. Këto shqetësime nuk mund të shihen jashtë kontekstit të rritjes së iliberalizmit në disa vende evropiane e gjetiu. Si dikush që ka punuar për dekada për të vendosur dhe konsoliduar demokracinë në Shqipëri, a jeni i shqetësuar?
Po, jam i shqetësuar dhe mendoj se ndoshta pikërisht sepse e kam ndjekur për një kohë kaq të gjatë, nuk e shoh domosdoshmërisht edhe aq të lidhur me rritjen e iliberalizmit në gjithë rajonin. E shoh si diçka që është një shqetësim i vazhdueshëm në vetë Shqipëri. Para së gjithash do të thoja se që nga viti 1997, kemi parë në Shqipëri: socialistë, demokratë, socialistë, demokratë duke shkëmbyer pushtetin, ku secila nga palët siguron dy mandate, ose tetë vjet dhe veçanërisht gjatë mandateve të dyta, mund të shohësh se si të gjitha problemet fillojnë të intensifikohen: Partitë në pushtet shtyjnë me arrogancë axhendën e tyre, korrupsioni rritet, prandaj nuk më habit që mund të shohim të njëjtat gjëra tani në mandatin e dytë të socialistëve. Kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht do t’i humbin zgjedhjet e ardhshme, por e kam parë këtë prirje edhe më parë. E kemi parë edhe me Partinë Demokratike dhe kjo reflekton një problem që në Shqipëri është më shumë strukturor, në kuptimin që në radhë të parë nuk ekziston respekti për opozitën, që të përpiqen të sigurojnë bashkëpunimin e opozitës dhe që ta themi hapur – dhe do t’i kritikoja të dyja partitë kur kanë qenë në opozitë – edhe problemi sesi duhet të sillet një opozitë në demokraci. Një pjesë e problemit në Shqipëri është se demokracia interpretohet shpesh si “nëse i fiton zgjedhjet, merr gjithçka dhe bën ç’të duash” dhe (demokracia) nuk funksionon ashtu. Dy gjëra shtesë që më shqetësojnë edhe më shumë për momentin janë: e para, përmasat e shumicës që kanë socialistët. Sigurisht që kjo pasqyron rezultatin e zgjedhjeve. Po ashtu nga ana praktike, edhe në qeveri të mëparshme ku LSI-ja ishte partnere e koalicionit, që mund të përcaktonte se çfarë do të bëhej, ndoshta në atë kohë isha naiv dhe mendoja se një partner koalicioni mund ta frenonte një pjesë të kësaj prirjeje negative, por përkundrazi mendoj se LSI-ja u përqendrua më shumë tek marrja e përfitimeve nga i qeni partner koalicioni qeveritar, gjithë favoret që vinin nga një fakt i tillë sesa të përpiqej të siguronte që Shqipëria të ishte në rrugën e duhur të reformave dhe të frenonte partnerin kryesor të koalicionit në pushtet. Dhe e dyta, megjithëse nuk besoj se kjo prirje e rritjes së iliberalizmit në vende të tjera, është edhe aq e pranishme në Shqipëri, mund të pakësojë pressionin ndaj Shqipërisë për të bërë diçka për të zgjidhur problemet e tyre, sepse nëse prirja në vende fqinjë është negative, kjo mund të sjellë si rezultat një mënyrë të menduari që “jemi vetëm një mes shumë të tjerëve dhe kështuqë nuk do të na veçojnë”. Pra po, kjo prirje është shqetësim, por është një shqetësim i vazhdueshëm, jo i ri dhe një shqetësim me të cilin Shqipëria duhet të përballet.
Sa i shqetësuar jeni për ndikimin rus dhe turk jo vetëm në Shqipëri por në Ballkan, ose më saktë përpjekjet pët të ushtruar ndikim?
Jashtëzakonisht i shqetësuar. Komisioni i Helsinkit ka pasur seanca për këtë temë. Në disa nga seancat për Rusinë, pjesëmarrësit kanë thënë se Ballkani është në shënjestër të Moskës dhe politikat e Rusisë ndaj Evropës. Ata (rusët) po përpiqen të gjejnë mënyra ndikimi në Ballkan. Po ashtu kemi pasur seanca ku kemi analizuar gjendjen nga ana e Ballkanit: përmasat e investimeve të huaja nga Rusia dhe aktorë të tjerë, qoftë Kina, vende të Gjirit, Turqia, etj si edhe a mund të kthehet kjo në ndikim politik që mund ta ndryshojë drejtimin e vendit. Pra është një shqetësim i madh për rajonin dhe është shqetësim edhe për Shqipërinë. Nuk duhet të na mjaftojë të themi që nuk ka ndikim rus, thjesht sepse vendi është aq pro-amerikan. Një taktikë e njohur ruse është të depërtojë në një vend duke përdorur palë të tjera që duket si më miqësore dhe nuk i dihet kurrë, kështuqë duhet pasur kujdes. Ky është një argument i mëtejshëm për transparencë më të madhe se çfarë saktësisht ndodh në Shqipëri. Gjithashtu, sigurisht përsa kohë që ka korrupsion, edhe vendi më pro-amerikan dhe më pro-evropian është i ekspozuar. Nëse dikush mund të blihet, është problem. Dhe nuk është vetëm Rusia, është dhe Turqia. Ndërkohë që Rusia ka qenë një problem i vazhdueshëm, zhvillimet në Turqi nën drejtimin e Presidentit Erdogan, mendoj se po i bëjnë gjithnjë e më shumë hartuesit e politikave këtu dhe shpresoj edhe në Ballkan, që ta kuptojnë se kjo nuk është vetëm një fazë, mund të jetë diçka afatgjatë, diçka me të cilën duhet të merren patjetër. Nëse vendet e rajonit duan të kenë një fokus evropian, atëherë duhet të jenë të shqetësuar për përpjekjet turke që mund t’i largojnë nga ai objektiv. Sigurisht që kjo lidhet me gjithë çështjen e rolit amerikan dhe të BE-së. Nuk besoj se në Shqipëri roli i Shteteve të Bashkuara ka nevojë për t’u rregulluar sepse mendoj se atje po bëjmë një punë të mirë, por në rajon, në Bosnje dhe vende të tjera, tërheqja graduale e Shteteve të Bashkuara ka krijuar një zbrazëtirë që mund të mbushet lehtësisht nga këto vende të tjera, si Rusia, Turqia apo të tjera. Mendoj se duhet më shumë angazhim amerikan dhe nga BE-ja në rajon.
/b.d