Nga Frrok Çupi
Presidenti u betua se do të vrase vetë kryeministrin…
Më tmerron, më shumë se vdekja e tjetrit, ajo çfarë bëjnë udhëheqësit vrasës: Ëndërrojnë vetëm si t’i dërgojnë të tjerët përtej, por kurrë nuk mendojnë se ata vetë një ditë do t’i mbledhin rraqet. Ky është kobi, se që vrasin tiranët- këtë e di një botë mbarë. Po ne ç’komb jemi që vërtitemi në këtë mesele?!
Jemi në ditën më të zezë, mes gjithë kombeve të përparuar. Vrasje majtas, vrasje djathtas, vrasje dje, pardje edhe sot. Po nesër? Nëse do të mbajmë vrasësit në pushtet, sa të kemi histori aq do të damkosemi. Paska vrarë Meta, paska vrarë Berisha, paska vrarë Enveri, paska vrarë Kadriu, ka vrarë Luli, ka vrarë snajperi, paska vrarë i paguari…
Hapi lajmet e ditës, po deshe:
Presidenti i Republikës ka deklaruar, dje, jo shumë tërthorazi se ‘do të vrasë kryeministrin Rama’ siç vrau Avni Rustemi armikun e brendshëm, 1920. Pak më parë kishte deklaruar se do të vrasë veten. Si në rastin e dytë, edhe në të parë – ne perceptohemi si komb që vetëm ndjekim kortezhe: O Edi Rama, o Ilir Meta, o viktimat e tjera për në varr! Sikur presidenca të ishte lapidar për viktimat, aty do të ishte mbushur vendi ku shkruhen emra.
Edhe liderët e tjerë, post Enver Hoxha, mbajnë mbi shpatulla ‘vrasje’ të rënda. As Enveri nuk u hetua, veçse pagoi 40 filxhane kafe; as këta nuk janë prurë në dyert e Drejtësisë prej 30 vjetësh.
Çfarë bëhet kështu? Në rastin më të parë shteti duhet urgjentisht të lëshojë një urdhër; urdhër ku të thuhet- 1, askush nuk votohet nëse…, 2- askush nuk lejohet të votojë nëse është i akuzuar për vrasje, 3- askush të mos lejohet të hyjë më në zyrën e shtetit ku projektohen varre.
Po cili shtet do ta lëshojë urdhrin?
Udhëheqësit kanë marrë të drejtën që t’i bëjnë gjyqin dhe të falin njëri- tjetrin. Prej më shumë se një dekadë, presidenti Berisha ka denoncuar presidentin Meta se ‘ka fshehur dy kufoma’ në Malin me Gropa; por pas kësaj janë bërë miq. Vetë Meta ka akuzuar Berishën. Ish- presidenti ndodhet nën akuza për ‘vrasje’, sot u raportua se do të thërritet si dëshmitar në çështjen e Azem Hajdarit. Vetë kryeministri aktual ka pasur fatin e zi që të qëndrojë me orë të tëra me ‘4 snajperë në kokë’ një prej tyre nga kryeministri i radhës’. Kryeministri i ri që pritet të vijë në fron është vetë i akuzuar për vrasje. Lul Basha është autor potencial i vrasjes së katër protestuesve në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’
Në ‘shtëpinë tonë’ nuk ka burrë që të mos e ketë syrin te vrasja.
Çfarë do të bëhet me të mbjellat edhe këtë stinë që po vjen? Vallë do të lihen tokat djerrë e të merremi me armën? Domethënë gjithë populli, nga mëngjesi në mbrëmje, edhe ditën e votimeve, do të flasë e votojë për vrasjen? Aristoteli i famshëm, themelues i Demokracisë, e pat këshilluar ‘bujkun’ që të mos u shkojë pas vrasësve. “E çfarë do të thoni, që bujku të lërë parmendën e të marrë pushkën për t’u mbrojt? Qeveria ta bëjë këtë punë!, pat thënë filozofi nëpër rreshta.
Po shteti këtu çfarë po bën për stinën politike ku po hyjmë? Prapë do të kemi në Kuvend nga ata udhëheqës që e bënë një herë? Apo që vrasin prapë?. U turpëruam si komb, ne akoma themi ‘udhëheqës dhe vrasës’, kur kombet e tjerë kanë kapur shekullin 22.
Por ka rrezik që t’i kemi prapë:
Njëri nga këta të tre do të hyjë në zyrën e kryeministrit:
O Ilir Meta kryeministër dhe Berisha president… Iliri është betuar se ‘në vrimën e miut’ do të na fusë. Përveç kësaj, ka mbi kurriz edhe Dritan Priftin, Eduard Belegun, bankierin Artan Santo, e sa të tjerë në themelet e vilave. Nëse bëhet kryeministër, atëherë kthehet regjimi i vrasjes sonë ‘si pulat’.
O vjen Lulzim Basha. Lulzimi është vrasësi më i vogël, me vetëm katër viktima, por ka në kurriz edhe Sokol Olldashin, ka edhe të vrarët e shokëve që do t’i numërohen.
Ose vjen Edi Rama. Ky nuk ka vrarë, as mjeshtrit armiq nuk e akuzojnë dot si vrasës. Por e kanë vënë para detyrimit: O i bashkohesh racës sonë, o të zhdukim. Këta e kanë vënë Ramën para murit: ‘Ti je frikacak! Ti nuk vret një pulë e jo më një njeri!’. Edhe në popull përditë e shajnë ‘frikacak’, ‘piktor, djalë qyteti’. Shumë udhëheqës vrasës prodhohen nga vetë populli.
Në varreza ka emra të njohur, nga ata që themeluam së bashku Demokracinë, nga ata që janë shpallur heronj, nga ata që vranë të vrarët, nga ata që mbajnë vetëm gurin e rëndë se kishin sy e veshë. Të gjallëve po u vdes mendja dhe po bëhen gati të votojnë vrasësit. Poshtërimi është i thellë. Një komb që do të përparojë, nuk i voton robëruesit e vet edhe sikur këta ‘të lahen’ para gjykatës, e jo më kur nuk janë vënë kurrë në bankën e provës.
A do të konkurrojnë këta prapë?
Gara që po bëhet për qeverinë e pas 25 prillit 2021, është pikërisht gara mes atyre që kanë bërë më të keqen e mundur. Nëse ata që ishin do të jenë përsëri, është vrarë shpresa dhe nderi i kombit.
Por mos harrojmë: Ata që kanë vrarë e kanë të domosdoshme që të hipin përsëri në krye; ndryshe kombi u del duarsh njësoj si macja që i nxjerrin sytë.
Të paktën ta fillojmë duke kundërshtuar një herë të parë. Të tjerat janë rrugës, mësuesi më i mirë i kombit është ajo që kombi ka parë me sytë e vet. Sa për ata vetë, prapë do të përcjellin për andej, kurrë nuk do të mendojnë se një ditë duhet t’i mbledhin edhe rraqet e tyre…
Rrofsh o Frrok!