Policia zbardh dinamikën e ngjarjes në Laç: Ja si ndodhi konflikti me armë
Policia e Shtetit ka sqaruar dinamikën e ngjarjes së ndodhur në Patok, ku është përfshirë dhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Armando Prenga. Sipas policisë, në orën 23:40 të së premtes, salla operative e policisë së Kurbinit është njoftuar për një konflikt në një lokal në Patok. Ndërkaq, në komisariat është paraqitur Gjok Cali, për të bërë kallëzim. Ai ka deklaruar se është goditur nga Armando Prenga, deputeti i Kuvendit.
“Në momentin që ky shtetas po jepte kallzimin në ambjentet e Policisë, janë afruar përpara ambjenteve te Policisë, në rrugën që të çon në Komisariat, një grup shtetasish, palë në konflikt, në mes tyre dhe deputeti Armando Prenga. Në debat e sipër ata janë përleshur me njëri-tjetrin duke u goditur me mjete të forta dhe me armë zjarri. Policët që ndodheshin në Komisariat kanë ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar konfliktin. Nga ky konflikt kanë mbetur të plagosur 7 persona: Gazmir Jushi, 39 vjeç banues në Kurbin, plagosur me mjete prerëse dhe të forta, jashtë rrezikut për jetën. Eduart Prenga, 36 vjeç banues në Kurbin, plagosur me mjete prerëse dhe të forta jashtë rrezikut për jetën. Tom Cali, 66 vjeç banues në Fushë Kuqe, i plagosur me armë zjarri jashtë rrezikut për jetën. Gjergj Cali, 55 vjeç, banues në Fushë Kuqe, i plagosur me mjete të forta jashtë rrezikut për jetën. Gjok Cali, 51 vjeç, banues në Fushë Kuqe, i plagosur me mjete të forta jashtë rrezikut për jetën. Nikoll Cali, 53 vjeç, banues në Fushë Kuqe dhe i plagosur me mjete të forta jashtë rrezikut për jetën. Françesk Cali, 30 vjeç, banues në Fushë Kuqe, i plagosur me mjete të forta. Këtyre shtetasve u është dhënë ndihma e parë mjekësore në Spitalin e qytetit të Laçit dhe më pas janë dërguar në Qendrën Spitalore të Traumës Tiranë. Aktualisht të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia. Pas ngjarjes së shënuar në komisariat, policia e Kurbinit ka njoftuar prokurorinë e rrethit dhe atë të Përgjithshme ku është ngritur një grup hetimor. Nga kqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur 4 gëzhoja model 56, 5 gëzhoja model 54, një teh biçaku.
Në lidhje me këtë ngjarje është vendosur masa e arrestit në flagrancë për gjashtë shtetas të përfshirë në konflikt, midis tyre edhe deputeti Armando Prenga.









