Lufta kundër kriminalitetit dhe bimëve narkotike mbeten prioritet edhe për vitin 2017 për Drejtorinë e Policisë Lezhë, ndërkohë që gjatë vitit që shkoi tregues pozitiv u shënuan në reduktimin e veprave penale të vjedhjes së banesave dhe automjeteve si dhe reduktimin me 5% krahasuar me një vit më parë të aksidenteve me pasojë vdekjen.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë zhvilloi analizën vjetore për vitin 2016, ku të pranishëm ishin Drejtori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, Arben Dashi, Zv/Drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, Arben Agovi, efektiva të drejtorisë dhe të komisariateve të Policisë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. Gjatë këtij takimi janë analizuar objektivat e arritura nga çdo sektor, duke i krahasuar ato me vitin paraardhës dhe masat që duhet të merren në vazhdimësi për përmirësimin e parametrave të rendit dhe të sigurisë publike në nivel qarku, duke i dhënë përparësi luftës kundër kriminalitetit dhe në veçanti luftës kundër krimit të organizuar, financiar dhe korrupsionit, si rezultate të dëshiruara për sigurinë e komunitetit, rënien e nivelit të krimit dhe parandalimin e tij.
Gjatë vitit 2016 për veprat dhe kundërvajtjet penale ka një zbulueshmëri në rritje me 3% krahasuar me vitin 2015. Tregues pozitiv për vitin 2016 është reduktimi i veprave penale të vjedhjes së banesave dhe automjeteve me 3% dhe 4 % . Janë zbuluar 3 ngjarje të vjetra të cilat kanë të bëjnë me krimet kundër pronës, ku është arritur të bëhet dokumentimi ligjor dhe arrestimi i autorëve. Në drejtim të sigurisë rrugore janë reduktuar aksidentet me pasojë vdekjen me 5% krahasuar me 1 vit më parë.
Në lidhje me luftën kundër narkotikëve është rritur evidentimi i veprave penale në këtë fushë, si dhe sasia e drogës së sekuestruar është më e madhe në krahasim me vitin e kaluar . Është bashkëpunuar dhe vijon bashkëpunimi me shkollat për realizimin e programit “Edukimi, ndërgjegjësimi dhe reduktimi i kërkesës për drogë dhe substanca të tjera të rrezikshme”. Po ashtu, efektivat e policisë janë angazhuar në garantimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë pelegrinazhit në Kishën e Shën Ndout në Laç dhe për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Ndër objektivat kryesore për vitin 2017, për drejtorinë e policisë Lezhë mbeten “goditja e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe trafiqeve të paligjshme, shfrytëzimit të prostitucionit dhe hetimit të aseteve kriminale, në fushën e krimit ekonomiko-financiar, korrupsionit, pastrimit të parave etj”.
Po ashtu prioritet janë edhe rritja e masave për reduktimin, parandalimin, zbulimin dhe goditjen e autorëve të veprave penale në drejtim të krimeve të rënda kundër personit e pronës, akteve terroriste dhe të gjitha krimeve kundër pronës në përgjithësi, si dhe goditja e aktivitetit të paligjshëm të kultivimit të bimëve narkotike.
Rritja e sigurisë në rrugë dhe parandalimi i aksidenteve automobilistike duke rritur prezencën policore dhe efikasitetin e shërbimeve të policisë rrugore, vijon të mbetet po ashtu prioritet për policinë e Lezhës./b.d










