Dyshimi se egjiptiani ka rrëmbyer anijen është i vërtetë. Vetë ai ka telefonuar në Kapiteneri duke thënë se peshkarexha ndodhet në afërsi të Aleksandrisë në Egjipt. Policia thotë se egjiptiani kërkon rreth 70 mijë euro, në të kundërt ai kërcënon se do të fundosë anijen së bashku me dy marinarët shqiptarë.
Ja njoftimi i policisë
Në datë 18 qershor 2016, kapiteni i motopeshkatores Dhimitër Malja, 54 vjeç, ka paraqitur kërkesën për nisje të mjetit lundrues për peshkim së bashku me 2 marinarë, shtetasin Luan Mema 56 vjeç nga Durrësi dhe shtetasin egjiptian Adel Mohamed Sallam, 30 vjeç.porti durres
Motopeshkatorja “Çelepia 2” është në pronësi të shtetasit Murat Çelepia.
Punonjësit e Policisë sipas procedurave standarde ushtruan kontroll në bord dhe pasi u konstatua gjithçka në rregull në orën 14:30 të datës 18 qershor, iu dha leja për nisjen për gjueti në ujërat e brendshme territoriale.
Në orën 24:00 të datës 21 qershor 2016, pronari i anijes “Çelepia 2”, Murat Çelepia u paraqit pranë Policisë Kufitare në Durrës, ku ka deklaruar se ka humbur kontaktet me motopeshkatoren.
Policia Kufitare ka nxjerrë menjëherë në patrullim mjetin lundrues. Megjithë kontrollin me radar dhe thirrjeve të vazhdueshme në kanalin e komunikimit, nuk është bërë e mundur gjetja fizike e motopeshkatores.
Të gjitha veprimet e Policisë Kufitare janë koordinuar me Rojen Bregdetare. Trupa Detare e Forcave të Armatosura nisën në mënyrë të menjëhershme operacionin e kërkim-shpëtimit.
Në datë 22 qershor 2016 rreth orës 10:00 shtetasi egjiptian Adel Mohamed Sallam ka marrë në telefon bashkëkombasin e vet shtetasin egjiptian R. A., 53 vjeç, i cili punon në Portin Detar Durrës duke i thënë se motopeshkatorja ndodhet në afërsi të Aleksandrisë në Egjipt.
Ai kërkon 70 mijë euro duke kërcënuar se do të fundosë anijen së bashku me 2 marinarët shqiptarë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./java/a.k