Policia e Tiranës ka zbuluar bazën e kodimit të celularëve. Sipas informacioneve paraprake është sekuestruar një server kodimesh që shërbente për t’i bërë celularët të papërgjueshëm.
Mësohet se bëhet fjalë për një servis celularësh që ishte kthyer në një bazë kodimi, i cili ndodhet në rrugën “Mahmut Furtuzi”. Konkretisht, çdo celular që dërgohej në këtë servis, kodohej dhe mund të funksiononte me internet pa pasur nevojën e një karte SIM.
Baza në fjalë është zbuluar pas katër muajsh hetime. Gjatë kësaj periudhe kohore janë filmuar klientë të ndryshëm, kryesisht problematikë, të cilët kanë koduar celularët e tyre në këtë pikë.
Deri më tani nuk raportohet të ketë të arrestuar. Policia e Tiranës nuk ka dhënë ende një informacion zyrtar në lidhje me operacionin e zhvilluar.