Policia e Kosovës ka bërë të ditur të dielën se i ka arrestuar pesë persona në Skenderaj, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për arrestim të serbëve lokalë të Kosovës.
Të dyshuarit besohet që i kanë vrarë gjashtë civilë shqiptarë në fshatin Syriganë të Skenderajt në periudhën maj–qershor 1998. Atyre u është caktuar një masë fillestare prej 48 orësh paraburgim.
Duke ofruar më shumë hollësi, policia ka thënë se e ka nisur operacionin e arrestimit në orët e hershme të mëngjesit në gjashtë lokacione të ndara: pesë në Komunën e Skenderajt dhe një në Mitrovicën e Veriut.
Sipas Policisë, gjatë batisjeve në objektet e banimit dhe objektet përcjellëse janë konfiskuar: një armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, një armë brezi e tipit Zastava M-57, dy karikatorë dhe 77 fishekë, një pushkë gjuetie me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi, si dhe uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave.
Lista Serbe ka reaguar ashpër ndaj aksionit policor, duke thënë se të dielën janë arrestuar “pesë nga bashkatdhetarët tanë, pronarë të ndershëm dhe të ndershëm shtëpish”.
Kjo parti, e cila i ka nëntë ulëse në Kuvendin e Kosovës, e ka kritikuar atë që e ka quajtur “regjim” të kryeministrit të Kosovës, Albim Kurti, që “pa prova të vlefshme arreston serbët, duke i paditur ata për krime lufte me qëllimin e qartë të frikësimit dhe persekutimit të tyre”.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.











