Mbi një shkrim të risjellë në gazetën DITA
Nga Pellumb Kulla
Me kërkesë të bashkëshortes të të ndjerit Mark Dodani, dhe me pëlqimin tim, (megjithëse që prej dy vjetësh nuk bashkepunoj dhe nuk e lexoj gazetën Dita, dhe sot, më shumë se kurrë, e quaj këtë një nga vendimet e mij shumë të drejtë!), pikërisht në gazetën Dita, u ribotua një nga shkrimet, që e konsideroj nga më të mirët. Bile titullin e atij shkrimi unë ia kam huajtur përmbledhjes së publicistikës time që nga viti 90. Është një libër 688 faqesh botuar bukur nga Universiteti Europian i Tiranës, me titull “Luftë pa Fund”
Zonja Dodani mund ta tregonte më mirë arsyen e ribotimit dhe takimin e ngrohtë që pata me të. Unë nuk pendohem që e dhashë pëlqimin, pa marrë parasysh se ky shkrim i botuar më 2006 në gazetën më të madhe të atyre viteve, vërtet atëherë nuk shkaktoi këtë zhurmë që vura re këto ditë, por nuk e pata parasysh se kohët kanë ndryshuar. Tranzicioni i tejzgjatur e ka bërë epideminë, kundër së cilës jam angazhuar me ashk në tërë këto vite, flamë më të përhapur, edhe më preokupante.
Një nga arsyet që ndodhi një reagim kryesisht i egërsuar është edhe shkrimi shoqërues i Xhevdet Shehut me temën e tij të parapëlqyer të heronjve dhe antiheronjve, temë që i erdhi në shteg në festat e tij të sherrit të nëntorit të radhës, gjë që është krejtësisht, ama krejtësisht, në kundërshtim të plotë me mesazhet që mendoj se përmban shkrimi im. Titulli i shkrimit është ndërruar prej tij dhe shkrimi im, me keqardhje ndaj redaktorit, nuk shpreh asnjë dëshirë për të gjykuar luftëtarët, por për të përhiruar paqendjellësit. Xhevdet Shehu ka arsye. Ai është i vetëdijshëm në politikën karakteristike të gazetës, që online po jep përshtypjen sikur ofrohet më shumë si tabelë e komenteve dhe jo si faqe për informim dhe për opinione konstruktive. Vetëm faqet e mureve, ata që nuk bien në sy, ofrojnë kaq hapësira për fjalë të ndyta. Dita u jep mundësi gjithfarë qyqarëve të fshehur, sejcili me nga dhjetë llagape dhe nofka anonime, të pështyjnë dhe t’u hedhin quret e ndohtura bashkëpunëtorëve të saj. Ata i lodh shkrimi, i torturon detyrimi që ta kuptojnë atë dhe u mjafton vetëm emri i autorit, Bile nganjëherë, për shikimin e tyre të ngushtë, u mjafton dritareza që u hap shënimi i Shehut, apo komenti i parë i shkrimit, dhe (o burra!) përveshin mëngët!
Kështu ndodhi dhe këtë herë dhe qëllimit iu arrit: Dita online, për të cilën po flas, jam i sigurtë se ka numurin e komentatorëve, dhjetë herë më të madh se të lexuesve!
Për ju, o zotërinj lexues, me emra dhe jo me llagape, jam i detyruar të konfirmoj se:
Qëllimi i shkrimit, i parë drejt është në favor të një paqeje sociale. E kundërta e saj i ka sjellë popullit tonë shume vuajtje dhe politikanëve djallëzorë shumë lehtësira dhe shumë përfitime.
Nuk e kam takuar kurrë Mark Dodanin, por nga zonja e tij, kam njoftimin e mirëkuptimit të këtij shkrimi. Nuk marr përsipër të shfajësoj atë vetë, nëse ai ka mëkate që unë nuk i dij. Por vlerësoj kuptimin e tij patriotik të misionit, që tërë shtetet e botës u ngarkojnë zbulimeve dhe formës së luftërave të tyre.
Nuk marr mbi vete përgjegjësinë për krimet e terroristëve të zbarkuar dhe atyre që bridhnin maleve, nuk i quaj të gjithë ata misionarë të drejtë, që besonin që mund t’ia hiqnin qafe këtij populli zgjedhën e Hoxhës. Ndjej keqardhje të thellë pas leximit të rreshtave të z. Gjon Bruci (i vetmi komentator me emër!) për plagët që i janë shkaktuar familjes së tij. Kam përbuzjen për sigurimsat, dhe ata gjoja diversantë të penetruar mes të arratisurve në male që mund të kenë bërë vrasje dhe përdhunime, të cilat nuk i dëshmoj dot unë.
“Përgëzoj” ligjëvënësit e tranzicionit, të pranishmit dhe të ikurit nga parlamenti, që nën udhëheqjen e Berishës, Nanos dhe Ramiz Alisë, i mbajtën dhe vazhdojnë t’i mbajnë të mbyllura dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit dhe u dhanë mundësira kaq të gjëra që shqiptarët të kacafyten dhe mëkatarët bashkëpunëtorë të fshihen. Edhe pas 30 vjetësh atyre u intereson që mes shqiptarëve të mos ketë “zjarr ndalo!” Me këtë vepër djallëzore, të paparë në asnjë vend të Europës ishkomuniste, i krijuan qeverisjeve të tyre klimën më të dëshiruar: popullit varfërinë dhe përfitimit të tyre qilimin e kuq.
Citimi i Frankos, sikurse dhe ai i Linkolnit, që përdora, kanë të përbashkët atë që të dy ata nderojnë dhe kundërshtarët e tyre të rënë, mbase të gabuar, mbase të paditur dhe të pazotë, por gjithsesi të vdekur në këmbët e ngadhënjyesve. Këta fitimtarë, në Amerikë dhe Spanjë, deklaruan se nderojnë edhe gjakun e kundërshtarëve të tyre. Gjeste, që paradoksalisht dhe çuditërisht sjellin edhe një aromë nga legjendat dhe kanunet e shqiptarëve. Tek ne, fitimtari shqiptar Enver Hoxha, nuk e bëri kurrë këtë, por pasi luftoi fëmijët e tyre, pasi u shoi ringritjen dhe dënoi mijëra djem e vajza me mosmartesa dhe shterpëzim, punoi ethshëm për mbjelljen e hithrave të urrejtjes në breza e duke ua lënë këtë trashëgimi shqiptarëve enveristë, të vazhdojnë t’i mbjellin dhe t’i rimbjellin ato hithra. Edhe pas 30 vjetësh më duket se u mbush kupa dhe mua më vjen të ulurij: MJAFT!
Le të bashkohet kush të dojë në këtë ulurimë!
Asnjë nga paraardhësit e mi nuk më bën të skuqem. Në familjen e gjerë kam dhjetra dhe dhjetra të internuar, të burgosur, të pushkatuar dhe bile të varur. Kam stërlodhur sytë mbi dosjet e tyre të hetimit dhe të gjyqit. Asnjëri për vrasje, asnjëri për grabitje. Kam dhjetra të arratisur në vitin e zi 1950. Asnjëri nga të vrarët apo të arratisurit nuk më turpëron dhe bile, shumë nga ata më bëjnë krenarë. Jeta ime, shkollimi dhe njohja ime publike nuk janë tipike për një njeri me një ngarkesë kaq negative, që jetoj në periudhën e komunizmit shqiptar. Por kjo është një histori tjetër që e kam rrëfyer dhjetra herë. Është një histori e jashtzakonshme, por unë nuk kam ndërmend t’ia tregoj çdo horri komentator që ka mësuar të lexojë shqip dhe t’i pëlqejë që shqiptarët të vazhdojnë t’i shkulin leshrat njëri tjetrit.
Për keqardhje të këtyre komentuesve, shpifësve dhe bjerrakohësve të gazetës që përmenda, bile dhe të vetë gazetës, them ballëhapur se asgjë e mbrapshtë nuk më ka lidhur me regjimet e Enver Hoxhës dhe të Alisë dhe as me regjimet e “diversantëve” që u kujdesën të zbarkojnë ata në krye të paskomunizmit shqiptar. Qëkur se kam mësuar të shkruaj gjuhën shqipe, nuk kam lënë asgjë, absolutisht asgjë, që të më bëjë të pendohem, nuk kam tërhequr asgjë, nuk kam fshirë asnjërresht dhe nuk kam retushuar asgjë. Asgjë nga vepra ime modeste, nuk më bën të skuqem. Regjimin komunist kam filluar ta shaj dhe ta mallkoj qëkurse ai ma dha mundësinë dhe lirinë ta bëj këtë pa rrezik jete. Fakti që më parë se viti i shpresës, 1990, unë nuk mundesha ta shaja dhe mallkoja atë, kjo, nuk është baraz me hymnizimin apo lëvdimin e tij. Nuk i jam bërë shtrojë këpucësh asnjërit nga emrat që përmban historia në krye të vendit qëkurse kam lindur. U kam shërbyer regjimeve vetëm në ato shërbime që i bënin mirë popullit tim, e gëzonin dhe lumtëronin atë. Në rrugën time, kam gjetur plot kuadro dhe komunistë të mirë, të urtë dhe njerëzorë. Dhe jam munduar të shpreh mirënjohjen për këto vatra drite në atë errësirë. Kam folur me ngrohtësi për ta veç në dritë të mirënjohjes dhe për asnjë, për asnjë dhe për asnjë interes!
Pas distancimit që kam bërë, shtoj se e quaj gazetën Dita një gazetë regresive, qëllimkeqe, frymëzuese të përçarjeve, dhe mosmirënjohëse. Emrave të paktë të nderuar që bashkëpunojnë me të, u kërkoj ndjesë për këto cilësime, dhe shpresoj të më mirëkuptojnë.
Në kompensim të kësaj, uroj: Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe kjo luftë, që duket pa fund, ta ketë sa më shpejt një fund!