(Pëditësim) Ushtarakët shqiptarë që mbetën të bllokuar teksa po kalonin tranzit në Greqi për të arritur në Rumani janë nisur drejt destinacionit final.
Lajmin e ka konfirmuar Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Efektivët e FA po udhëtojnë për në Rumani, për të marrë pjesë në stërvitjen e NATO-s, “Noble Jump”.
Autokolona që po i transportonte u bllokua nga protestues të Partisë Komuniste greke në aksin që lidh Kozanin me Verian.
“I gjithë efektivi gëzon shëndet të plotë dhe është i shoqëruar nën masa sigurie nga autoritetet ushtarake dhe civile greke”, thuhet në një njoftim për shtyp të Shtabit të Përgjithshëm.
ORA 17:30 BLLOKIMI I AUTOKOLONES SHQIPTARE
Një forcë ushtarake shqiptare që udhëtonte tranzit në territorin grek drejt Rumanisë ëshë bllokuar prej protestuesve të Partisë Komuniste greke në aksin që lidh Kozanin me Verian, në Greqinë veriore.
Sipas burimeve lokale, dy autobusë me ushtarë dhe 20 makina shoqëruese të tyre, që po udhëtojnë në kuadër të një stërvitjeje të NATO-s, të quajtur Noble Jump, janë bllokuar dhe nuk lejohen të kalojnë drejt kufirit.
Lëvizja e forcave ushtarake ishte paralajmëruar më parë dhe ka vijuar normalisht gjatë ditëve të fundit, ku sipas njoftimeve kanë kaluar nëpër territorin grek forca ushtarake nga pothuaj gjithë vendet perëndimore, anëtare të NATO-s, përveç shqiptarëve, për të cilët protestuesit kërkojnë të kthehen mbrapsht.
Vlen të përmendet se në zonë ka forca të shumta të policisë dhe nuk kërcënohet aspak jeta e ushtrakëve tanë. Qeveria greke ka premtuar se gjatë orëve në vazhdim do të hapet rruga dhe autokolona e ushtarëve shqiptarë do të vazhdojë normalisht rrugën../a.ç