Policia e Lezhës ka arrestuar sot (13 tetor) një 37-vjeçar i cili, sipas saj, po planifikonte të kryente një vrasje për hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij, ngjarje e ndodhur më 9 korrik, në Kurbin.
Në pranga ra shtetasi E.(G.) B.(L.), 37 vjeç, banues në Kurbin, me precedent për përfshirje në ngjarje kriminale të mëparshme. Ai është vëllai i shtetasit Ilir Gjini, alias Lika, alias Kokaj, alias Nure, të cilit iu bë atentat në korrik.
“Si rezultat i monitorimit permanent të situatës në qark, nëpërmjet punës intensive operative dhe kontrolleve, si dhe si rezultat i analizimit dhe ndjekjes në dinamikë të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të lidhura me to dhe parandalimin e krimeve në përgjithësi, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit Operacional të Hetimit dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, finalizuan operacionin e koduar “Argos”. Në kuadër të operacionit u parandalua një vrasje, dyshohet për hakmarrje në lidhje me vrasjen e shtetasit I. Gj. alias I. L. alias I. K. alias I. N., 40 vjeç, kryer më datë 09.07.2026, në Kurbin”, tha policia.
Automjeti tip “Mercedes-Benz ML”, i blinduar dhe me targa gjermane, që drejtonte 37-vjeçari, u ndalua në Fushë Milot. Gjatë kontrollit fizik, 37-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri automatike tip “Skorpion” me një krehër me 16 fishekë.
“Vijojnë intensivisht hetimet dhe puna policore, për kapjen e autorit të vrasjes së 40-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e rrethanave të saj. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, tha policia.

