Gazetari turk i kronikës së zezë në gazetën “Daily Sabah”, ka treguar për Al Jazeera fjalët e fundit të Jamal Khashoggi që u vra në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.
“Po mbytem…ma hiqni qesen nga koka, jam klaustrofobik“. Këto kanë qenë fjalët e fundit të gazetarit saudit Khashoggi, sipas një regjistrimi audio brenda konsullatës së Arabisë në Stamboll.
Jamal Khashoggi u mbyt për vdekje me një qese plastike, kurse trupi i tij u copëtua më pas. Gazetari turk Karaman, që ka bërë të ditura këto detaje, tha se vrasja zgjati rreth 7 minuta, sipas regjistrimeve.
Presidenti i Turqisë tha të shtunën se regjistrimi audio nga brenda konsullatës lidhur me vrasjen e gazetarit saudit, iu dërgua edhe Arabisë Saudite, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.
Erdogan shtoi gjithashtu se gazeta turke do të botojë disa momente nga regjistrimet që dokumentojnë çastet e fundit të gazetarit Khashoggi, që punonte si analist për prestigjiozen amerikane “Washington Post”.
Arabia Saudite, e cila pas zhdukjes së gazetarit mohonte të kishte gisht në ngjarje, deri tani ka arrestuar 18 persona për vrasjen e gazetarit, dhe ka shkarkuar 5 zyrtarë të lartë të qeverisë. Ndërkohë, Ankaraja zyrtare kërkon ekstradimin në Turqi të të dyshuarve, pasi krimi ka ndodhur në territorin turk.
a.ç