Gazetari Elton Tozaj ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me dhunimin brutal që iu bë ditën e djeshme.
Pasi publikoi pamjet ku shfaqej i mbuluar nga gjaku, Tozaj shkruan se ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe po komunikon me forcat e rendit, në mënyrë që të zbardhet e gjithë ngjarja. Ai shprehet se nuk është dorëzuar dhe do vijojë të zbulojë të vërtetën, pasi kërcënimet dhe frika nuk e ndalin.
“Dhuna barbare, kërcënimet dhe intimidimi nuk do të më ndalin kurrë të them të vërtetën! Asgjë dhe askush nuk do të më mbyllë gojën përballë asaj që unë besoj se duhet të bëhet
Për momentin ndodhem nën kujdesin e mjekëve dhe të forcave të rendit. Po përballem me një situatë të vështirë, por nuk jam dorëzuar. Po luftoj, po marr veten dhe do t’ia dal! E vërteta nuk mund të dhunohet, nuk mund të kërcënohet dhe aq më pak të heshtë! Do të rikthehem. Më të fortë, më të vendosur dhe më të palëkundur se kurrë! Nuk më ndal dhuna. Nuk më mposht frika. Nuk më hesht e vërteta!”- shkruan ai.
Prej disa kohësh, Tozaj akuzon në rrjetet sociale personazhe të njohur të showbizit dhe politikës në Shqipëri, se janë pjesë e skandaleve erotike dhe duke pretenduar se disponon informacione dhe video për ta. Vetëm gjatë javës së fundit, Tozaj është paditur për shpifje dhe cënim të figurës dhe dinjitetit, nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Erlind Sulo dhe aktori i humorit Gazmend Paja.












