Nga Anila Dushi
Plazhi i Velipojës vazhdon të jetë në listën e plazheve më të frekuentuara të vendit, ndërsa është edhe plazhi më i madh i Veriut. Çdo vit, numri i pushuesve ditorë apo rezidencialë i kalon 100.000 vetët ndërsa plazhi me vlerat e tij klimaterike, ujin e rërën e pastër, mbetet i preferuar jo vetëm për shkodranët. Këtë vit, ky plazh ka pësuar ndryshime të rëndësishme në funksionimin e menaxhimin e tij. Kalimi në varësi të bashkisë së Shkodrës ka bërë që këtë vit vëmendja të jetë më e madhe. Në të vërtetë, është viti i parë që ky plazh menaxhohet nga bashkia pasi vitin e kaluar, kalimi i ish-komunës së Velipojës në varësi të bashkisë së re të Shkodrës, pikërisht në sezonin e plazhit, bëri që problemet aty të ishin jo të pakta.
Sivjet vërehen ndryshime, ndërsa nuk mungojnë as problematikat, të cilat kanë vënë në përballje institucionet vendore e rajonale. Pastërtia në plazh është më e mirë se vitin e kaluar, dhe kjo shihet si në ambientet e rërës ashtu dhe në ambientet e tjera. Kontejnerë të shumtë dhe mjete që i tërheqin mbeturinat dy herë në ditë. Janë 360 kontejnerë të vendosur këtë vit në hapësirat e plazhit dhe materialet tërhiqen me tri tipe makinash dhe, më pas, depozitohen në Landilldin e Bushatit. Po kështu janë përcaktuar tri unazat ku do veprojnë mjetet e pastrimit ku më e rëndësishme është ajo e bregut të detit. Në drejtim të përmirësimit të pastrimit ka ndikuar dhe fakti që bashkia e Shkodrës kur ka dhënë lejet për shfrytëzim të hapësirave publike të plazhit nga privatët, u ka vënë si kusht mbajtjen pastër të ambientit të rërës kur ato ushtrojnë aktivitetin. Një tjetër risi është dhe prania e kullave të vrojtimit.
Mushkonja në plazh
Një tjetër problem i plazhit të Velipojës është dhe mungesa e ndriçimit në rrugët e brendshme të plazhit, kryesisht në periferi të tij si dhe prania e madhe këtë e vit e mushkonjave. Në këtë plazh ka shumë ndërtime që përdoren për turizëm apo banesa familjare për gjatë gjithë sezonit veror. Këtë vit, si asnjëherë tjetër,mushkonjat janë më të shumta dhe madje arrijnë sa të krijojnë re që mësyjnë vendet me dritë. Velipoja është e njohur për praninë e mushkonjave gjithmonë, kjo e kushtëzuar dhe nga prania e kënetës së Vilunit, por këtë vit ato janë dukshëm më të shumta.
Pushues rezidentë që kanë banesat e tyre në plazh, pohojnë se një prani e tillë mushkonjash nuk është parë asnjëherë, pasi ato këtë vit janë shtuar së tepërmi. Ndërkohë ,lidhur me këtë problem, drejtori i shëndetit publik në Shkodër,Ylber Zama, shprehet se dezinfektimi do të kryhet deri në fund të muajit korrik ndërsa sqaron se vonesa ka ardhur për shkak se për herë të parë ky dezinfektim do të bëhet me lëndë biologjike dhe jo me lëndë kimike, kjo pasi nga lëndët kimike ka patur dëmtim të pishave, shumë të pranishme në këtë zonë, ndërsa kanë ardhur hartat dhe mjetet përkatëse për të dezinfektuar me lëndë biologjike.
Problemet, përplasje kompetentësh
Problematikat për plazhin e Velipojës fillojnë nga rruga drejt tij. Janë 30 km rrugë që është rikonstruktuar me tri faza; në vitet 2000-2006, por që ka probleme në disa pjesë të asfaltit. Përveç kësaj, rruga është e ngushtë dhe problemi kryesor me ë cilën përballen drejtuesit e automjeteve është prania e kafshëve në të njëjtën rrugë ku kalojnë dhe mjetet motorrike. Ky është një problem i shtruar për çdo vit por që nuk ka gjetur zgjidhje. Gjatë gjithë aksit rrugor Shkodër-Velipojë, ka qendra të banuara, fshatra që mbajnë kafshë dhe i kullosin në tokat që shtrihen në dy anët e rrugës.
Kjo bën që prania e kafshëve në këtë aks të jetë burim aksidentesh dhe të shkaktojë stres e kaos në qarkullim. Aksi Shkodër-Velipojë prej kohësh është kthyer në një aks aspak të sigurt, veçanërisht në sezonin veror ku qarkullimi i automjeteve rritet. Sipas shefit të komisariatit të policisë Shkodër, Gazmend Dembrozi, sinjalistika është pothuajse inekzistente duke përbërë rrezik për aksidente. Sipas tij është e domosdoshme përmirësimi i sinjalistikës informuese ndërsa shprehet kritik dhe për inspektoratin e mjedisit, për lejet që jep. Sipas Dembrozit, duhet të ketë një kriter pasi nuk mund të japësh leje për lokalet që janë mes pallatesh dhe kanë muzikë të lartë deri ne 03.00 të mëngjesit.
Hapësirat publike
Problemi më i madh me të cilin përballen pushuesit në këtë plazh është pakësimi ndjeshëm i hapësirave publike. Për këtë ankohen mjaft pushues për të cilët kostoja e përdorimit të hapësirave të rërës që menaxhohen nga privatët është e lartë, por veçanërisht pushuesit rezidencialë që kalojnë gjithë sezonin veror në banesat e tyre në plazh dhe që kërkojnë hapësira publike te rëra e bregut. Po kështu pushuesit e shumtë ditorë, ankohen se nuk gjejnë dot hapësirë publike në plazh. Sipas administratorit të njësisë administrative të Velipojës, Mark Laloshi, i është kërkuar Tatim-Taksave në Shkodër të ndërhyjnë për të ndëshkuar ato që kanë zënë hapësirat publike në mënyrë të paligjshme pasi ky institucion ka kompetencë t`i sekuestrojë shezlongjet dhe çadrat që janë vendosur në hapësirat që bashkia ka parashikuar të jenë të lira për publikun. Por megjithatë, këto hapësira vazhdojnë të jenë të zëna. Ky problem ka vënë përballë bashkinë e Shkodrës dhe drejtorinë rajonale të Tatim-Taksave.
Reagon Voltana Ademi
Kryetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, shprehet se “një nga problematikat më të mëdha të këtij sezoni në plazhin e Velipojës është zënia e hapësirave publike dhe, është për të ardhur keq, që nga institucionet shtetërore nuk kemi zbatim të detyrimeve që ligji përcakton. Kjo për bizneset që ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm në bregun e detit dhe do t`i dërgojmë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve kërkesë zyrtare për të ndërhyrë për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme, ku janë të evidentuar të gjithë subjektet që i kanë zënë. Bashkia ka bërë edhe kallëzim në prokurorinë e Shkodrës për këto biznese të paligjshme duke kërkuar zbatimin e ligjit. Janë biznese të paligjshme që cenojnë të drejtat e njeriut dhe tregun.
Ne si bashki kemi dhënë leje shfrytëzimi hapësirash sipas ligjit ku 51% e plazhit është e lirë, plazh publik. Ne i kemi dhënë emra dhe strukturës së krimit ekonomik ndërsa është drejtoria e Tatim-Taksave ajo që mund të bëjë sekuestrimin e çadrave dhe shezlongjeve që kanë zënë hapësirat publike. Bashkia e Shkodrës nuk e ka këtë të drejtë ligjore. Ajo mund të vërë gjobë deri 20.000 lek të reja, por kjo nuk e pengon zënien e hapësirës publike. Mbi 7 herë, me punëtorët tanë, kemi ndërhyrë për të zhvendosur shezlongët që kanë zënë hapësirat e lëna për plazh publik, por sapo i heqim, ato rivendosen. Bashkëpunimi me Tatim-Taksat nuk ka qenë i kënaqshëm”, thotë Ademi.
Përtej problemeve e mushkonjave, Velipoja mahnit
Ky plazh ka një vijë bregdetare për shfrytëzim 14,5km, nga grykëderdhja e Bunës deri pranë “Ranës së Hedhun” që vazhdon në Shëngjin. Rëra është 0-300 m dhe prania e baticës dhe e zbaticës bën që ajo të jetë përherë e pasur me jod. Thellësia e vogël e detit në brigjet pranë plazhit të Velipojës dhe gjatësia e shtrirjes 300-500 metër krijon mundësi për ndërtime në det. Plazhi i Velipojës është një perlë e natyrës ku gërshetohen harmonishëm deti, lumi, plazhi, laguna, pylli e mali. Rëra e pasur, që në dy cepat e plazhit ka shumë jodi, që jep atij dhe vlera kurative. Mbi 100 ditë në vit ka temperature mbi 25 C. Uji i kulluar i detit, rezervati i gjuetisë, laguna e Vilunit, baticat e zbaticat, ofrojnë bukuri mahnitëse.
Çfarë gjen në Velipojë
Rezervati i gjuetisë ka një sipërfaqe rreth 700ha dhe aty gjenden katër këneta të mëdha. Këtu ka 182 ha pishë e plep kënete. Ndër shpend ka më shumë rosa të shumëllojshme , kryekuq, turtuj, fazanë etj…., po dhe kafshë si lepuj derra të egër dhelpra etj. Vitet e fundit shumë prej tyre janë zhdukur nga gjuetia e pakontrolluar. Pyjet, kryesisht me plepa, të pranishëm në të gjithë plazhin e deri 200 metër pranë detit, i japin freski plazhit.
Laguna e Vilunit është një tjetër bukuri natyrore e këtij plazhi. Kjo lagunë ndodhet rreth 7 km larg deltës së Bunës, 2 km larg qendrës së plazhit dhe 12 km larg plazhit të Shëngjinit. Sipërfaqja e saj prej 1,96 km2 ndryshon gjatë vitit, në varësi të sasisë së ujit që grumbullohet nga shirat dhe shkallës së thatësirës së verës. Thellësia e saj shkon 80-100 cm, por në disa pjesë të veçanta shkon dhe 200-300 cm. Baticat dhe zbaticat këtu alternohen çdo 6 orë.
Në periferi të lagunës sipërfaqja është moçalore. Ajo mbulohet e zbulohet nga uji për shkak të nivelit të ulët të tokës dhe është e mbushur me bimësi karakteristike e të shumëllojshme. Në këtë lagunë ka 37 ha pyll pishe dhe disa drurë e shkurre më të pakta. Bimësia e kësaj lagune është e larmishme dhe tërheqëse. Peshqit janë një tjetër pasuri e kësaj lagune, ku dallohen qefulli, levreku, ngjala, barbuni, peshku lejlek, vijoshi etj. Me gjithë dëmtimet në lagunën e Vilunit janë takuar 183 lloje shpendësh, ndërsa në rezervatin e gjuetisë 144 specie shpendësh. Të tillë janë harabelat, pelikani, turtuj,qyqja, qukapiku, bilbili, skifteri kthetraverdhë etj.
Ndryshon vija bregdetare
Plazhi i Velipojës ka patur dhe një ndryshim natyror të vijës bregdetare. Në drejtim të lagunës së Vilunit,toka ka pësuar gërryerje në një gjatësi rreth 1600 m duke bërë që deti të futet në tokë. E kundërta ka ndodhur në krahun tjetër, në drejtim të grykëderdhjes së Bunës, ku deti, po për arsye natyrore është sprapsur duke rritur hapësirën e rërës. Velipoja si pikë turistike afron shërbime të ndryshme dhe hapësira për shëtitje siç është pedonalja në fund të hapësirës së rërës, dy komplekse pallatesh në qendër dhe në drejtim në anën perëndimore të plazhit, shëtitje në ujë me mjete të ndryshme por dhe pyllin i cili shtrihet në lindje drejt Vilunit por dhe në perëndim drejt rezervuarit të gjuetisë ku hyrja ndalohet pasi është zonë e mbrojtur.
ma.me