Tirana e 20 viteve të ardhshme do të ketë një identitet të ri urbanistik. Bashkia e Tiranës ka vijuar dëgjesat publike për të diskutuar konceptin e saj për Planin e Përgjithshëm Vendor Tirana2030, ku për herë të parë do të përfshihen edhe zonat rurale përreth saj. Arkitektë dhe urbanistë vendas e të huaj, anëtarë të Këshillit Bashkiak, qytetarë të interesuar, dëgjuan dhe diskutuan sot gjatë gjithë ditës vizionin e grupit që po harton Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës, të udhëhequr nga arkitekti i mirënjohur italian, Stefano Boeri.
Gjatë ditës së sotme u mbajtën 10 prezantime të rëndësishme të tematikave të ndryshme që do të trajtojë ekipi që po punon për PPV, ku të pranishmit u njohën mbi idetë që po diskutohen, problemet e pritshmëritë e ekspertëve për Tiranën. Gjithashtu, u zhvilluan disa tryeza diskutimesh të hapura për qytetarët, të cilët së bashku me ekspertët e Bashkisë dhe ekipit të arkitektëve e urbanistëve diskutuan dhe dhanë idetë e tyre. Tryezat ngritën një çështje të rëndësishme në lidhje me të ardhmen e Tiranës si: Rigjenerimi Urban, Lëvizshmëria, Turizmi, Mjedisi, Infrastruktura, Ekonomia, Komunikimi (Smart City), Kultura dhe Agrikultura.
Në fjalën e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj bëri të ditur se projekti i Planit të Përgjithshëm Vendor parashikon një koncept që përshtatet me vizionin e shpalosur edhe gjatë fushatës zgjedhore, ku kryeqyteti ndryshe nga sa është organizuar dhe ka funksionuar deri më tani, propozohet të jetë policentrik dhe të çojë shërbimet aty ku ka nevojë. “Më vjen mirë që për herë të parë kalojmë nga teoria në praktikë, kur vjen puna tek Tirana policentrike. Ne, do të duhet të kemi një qendër më vete në Laprakë, në Kombinat, në Kinostudio… Është shumë e rëndësishme që të gjithë këtë bisedë për policentrizmin, ta përkthejmë në 5 pole urbane të Tiranës”, tha kryebashkiaku Veliaj në mbyllje të dëgjesës së sotme.
Ai shtoi se 5 poleve të qytetit do t’i shtohen edhe 5 qendra të tjera thuajse urbane dhe që do të synojnë të ofrojnë të gjitha shërbimet e nevojshme për banorët e zonave rurale. “I njëjti model do të ndiqet edhe për 5 pole zhvillimi rural, të cilat do të shërbejnë si qendra kuazi urbane shërbimesh për zonat rurale që do të gravitojnë rreth tyre. Në këtë mënyrë, edhe qytetarët e zonave relativisht të largëta rurale nuk do të duhet të udhëtojnë deri në qendër të Tiranës për të pasur mundësinë për të marrë këto shërbime”, shtoi Veliaj. Ai tha se lejet e ndërtimit nuk përbëjnë më pjesën kryesore dhe më të rëndësishme të këtij plani vendor.
“Për një kohë shumë të gjatë, Plani i Përgjithshëm Vendor ishte sinonim i platformës mbi të cilën kryetari i Bashkisë jepte leje ndërtimi. Në fakt, nuk është kjo. Lejet e ndërtimit janë vetëm një pjesë e planit urbanistik, sidomos në një vend ku ne kemi zonat që janë zhvilluar totalisht në mënyrë joracionale, sidomos komunat që i janë bashkuar Tiranës”, theksoi Veliaj.
Sa i përket investimeve, ai ka theksuar se në këtë plan të ri vendor është parashikuar që ato të zënë një vend të rëndësishëm jo vetëm si një mekanizëm zhvillimor urbanistik i qytetit, por edhe punësimi.
“Ne besojmë se urbanizimi i Tiranës dhe disa nga idetë me të cilat ju jeni angazhuar sot, kanë impakt të drejtpërdrejtë te punësimi. Presioni që na vjen nga shoqata e ndërtuesve ku punësimi kërkohet vetëm nëse japim leje ndërtimi, duhet moderuar. Unë nuk jam naiv, patjetër që e di se lejet e ndërtimit dhe ndërtimi i pallateve punëson njerëz, punojnë fabrikat e çimentos, punojnë fabrikat e tullës, brigadat e ndërtimit, ata që shesin elektroshtëpiake. Jam shumë i qartë për këtë, por kjo do të duhet të bëhet me karar. Shumë prej nismave tona urbanizuese gjithashtu, sjellin punësim”, tha ai. Veliaj theksoi se ky projekt do të përballojë nevojën për infrastrukturë sociale në një qytet që është i tejngarkuar me infrastrukturë shërbimesh ose banimi, siç ka qenë urbanizimi në këto vite në Tiranë, por ku mungojnë shkollat, kopshtet apo çerdhet.
“Duam t’i ndërtojmë shkollat menjëherë, për të zgjidhur dramën ku në qytetin e Tiranës nga 92 shkolla, 87 janë me dy turne”, theksoi Veliaj. Gjithashtu, ai tha se prioritet i madh i këtij plani është edhe çështja e mobilitetit dhe lëvizshmërisë në qytet. “Do duhet që përveçse investimeve në infrastrukturë, të bëjmë edhe investime në kulturë. E keni vënë re se edhe në investimet fillestare të Bashkisë së Tiranës, nga rruga ‘Dritan Hoxha’, rruga e re që po hapim tek Pallati i Kongreseve, po mundohemi që të fusim një koncept të ri dedikimit të hapësirës së transportit, për mjete të transportit publik ose ekologjik. Kjo do të thotë korsi të dedikuara autobusësh, edhe biçikletash. Në pamundësi për të zhbërë atë që është bërë gabim, të paktën të sigurohemi që çdo investim i ri ka parasysh çështje të mobilitetit”, tha Veliaj.
Gjelbërimi përbën në këtë plan një element shumë të rëndësishëm dhe krahas lulishteve, parqeve apo pemët anës rrugëve, ky plan parashikon edhe gjelbërimin e tarracave. “Kemi vënë një target në Bashkinë e Tiranës: Ne mbjellim mesatarisht 30-35 pemë në ditë, që do të thotë rreth 1000 pemë në muaj dhe duam ta mbyllim këtë mandat me rreth 50 mijë pemë. Por, kjo nuk mjafton. Bashkia nuk mund të ketë monopol gjelbërimin. Kjo do të thotë që do të duhet të përfshijmë shumë edhe sektorin privat në këto sipërmarrje”, tha Veliaj.
Vëmendje në këtë plan i është kushtuar edhe anës kulturore dhe historike të qytetit, si mënyra më e mirë për të nxitur sa më shumë vizitorë vendas dhe të huaj. “Shpresoj që përveç “Resë”, në muajin prill, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, të hapim atë që njihet si vila e Enver Hoxhës në ish Bllok. Besoj se shfrytëzojmë disa hapësira që mund të kenë qenë tabu apo qeveritare, me shërbime të kufizuara, duke i hapur për publikun dhe krijuar këto lloj “qelizash” në të gjithë qytetin që mund të gëlojnë si nga jeta ekonomike, ashtu edhe nga jeta kulturore”, përfundoi Veliaj.