Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABCNews, u shpreh se plani ekonomik për rajonin, është një program mbështetës që do të ndihmojë edhe Shqipërinë. Gjithashtu theksoi se sot, Shqipëria ndodhet në një nga pozicionet më të mira në rajon.
Pyetje: Një fokus të veçantë mori plani ekonomik për rajonin, specifikisht për Shqipërinë. 6 miliardë euro do të shkojnë për vendet e Ballkanit Perëndimor, sa para merr Shqipëria dhe çfarë projektesh do të dorëzoni për të mbështetur, ku do të fokusohen ato.
Përgjigje: Plani i rritjes është një program agresiv, do të thoja shumë mbështetës që do të ndihmojë Republikën e Shqipërisë, por edhe vendet e rajonit në këtë fazë preeleminare për t’u bërë anëtar i BE. Plani ka dy instrumente, një instrument që janë para që injektohen si capital për vendin, përmes një formule e cila ka të bëjë me numrin e popullsisë, disa elementë të tjerë, me GDP dhe gjithçka tjetër, ndërkohë që pjesa tjetër e kësaj pakete, është aty përmes konkurrencës. Pra, shtetet e rajonit duhet të konkurrojnë për projekte të ndryshme për të aksesuar këtë plan rritje. Sigurisht është konektivititet, një nga elementët më të rëndësishëm pasi BE e ka vendosur si prioritet të axhendës së tij. Është energjia e rinovueshme, rritja e kapacitete të administratës, e shumë çështje të tjera. Do thoja një fakt të rëndësishëm, më kujtohet para disa vitesh që gjithmonë kur bëhej një bilanc në fund të vitit se sa projekte kisha fituar Shqipëria apo se sa vendet e tjera të rajonit, ne fatkeqësisht qëndronim në vend të fundit për mungesë të kapaciteteve njerëzore të cilat duhet të merren me aplikimin dhe duhet të ndjekin të gjithë procesin sepse mirë apo keq janë procese burokratike që kërkojnë njohje, por edhe impenjim. Sot, mund të themi me plot gojën se Shqipëria ndodhet në një nga pozicionet më të mira në rajon pasi vetëm nëse I referohemi mbështetjeve që kemi marrë me grante dhe kredi në 3-4 vitet e fundit janë projekte që nuk I kishim imagjinuar më parë. Sic është gjithë pjesa e hekurudhave, pra Tiranë – Han I Hotit, Tiranë – Durrës, presim një lajm të mirë tani në dhjetor përsa I përket nisjes së korridorit të 8, që është Durrës Rrogozhinë, ndërkohë kemi aplikuar edhe për Rrogozhinë-Pogradec. Nga ana tjetër duhet thënë që të gjitha bypass në Republikën e Shqipërisë kemi vendosur t’i financojmë përmes aplikimeve me fondet e BE. Pra, ky është një moment shumë i rëndësishëm për ne. I kemi tashmë edhe kapacitetet njerëzore që janë vlerësuar edhe në progress raport. Të gjitha grupet negociatore që janë ulur për të negociuar kapitujt në Bruksel të cilat janë pjesë e ministrive, strukturave administrative, ashtu si edhe vetë kryenegociatorja Majlinda Dhuka, edhe Adea Pirdeni gjithë grupi janë vlerësuar për kapacitet të mirë, performancë shumë të mirë sa i përket kësaj faze. Kështu është edhe me kapacitetet njerëzore që kemi ngritur në pjesën e aplikimeve për projektet për të aksesuar fondin e rritjes.
/a.d