• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, May 14, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
    • Exlibris
    • Intervistë
    • Kuzhinë
    • Në plan të parë
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Plan rus për bomba në avionë? Çfarë duhet të dini rreth akuzave të Polonisë

by A R
16/01/2025 13:47
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Akuza ishte po aq e drejtpërdrejtë sa edhe serioze: Rusia po planifikon sulme terrori kundër shënjestrave të paspecifikuara që përdorin aeroplanë, tha kryeministri i Polonisë.

“Nuk do të futem në hollësi. Mundem vetëm ta konfirmoj besueshmërinë e frikës se Rusia po planifikon akte të terrorit ajror, jo vetëm kundër Polonisë, por kundër linjave ajrore në gjithë botën”, tha Donald Tusk në një konferencë për media më 15 janar.

Megjithëse tronditëse, komentet e liderit polak nuk ishin të papritura: ka pasur një numër në rritje të incidenteve të dyshimta, alarmuese dhe të pashpjegueshme në muajt e fundit.

Disa prej incidenteve përfshinin linjat ajrore dhe dyshimet se Rusia po kërkonte të vendoste mjete të fshehta shpërthyese në avionë mallrash, ndërsa disa të tjera përfshinin anije që kanë prishur kabllot nënujore.

*Për të ditur më shumë rreth dyshimeve për sabotim pas dëmtimit të kabllove nënujore shikoni videon nga arkivi, më poshtë:

Ndërkohë, në një numër të madh kryeqytetesh evropiane, është tejet e qartë se kush është fajtori dhe se çfarë po ndodh: Moska po kryen një fushatë të fshehtë kundër Perëndimit.

Serioziteti i këtij problemi u theksua edhe më shumë nga raportimet se zyrtarët e inteligjencës amerikane përgjuan komunikimin e zyrtarëve të inteligjencës së ushtrisë ruse, të cilët po bisedonin për një komplot me bomba dhe se presidenti Joe Biden i kishte urdhëruar dy këshilltarë të lartë të sigurisë kombëtare për t’i paralajmëruar zyrtarët rusë

Moska i ka hedhur poshtë akuzat e Perëndimit për sulme terrori, përfshirë zjarrvënie e qëllimshme, grabitje, helmim dhe sulme ndaj individëve në Perëndim.

Në korrik të vitit të kaluar, një pako e dërguar nga Lituania mori flakë papritur në një depo të kompanisë DHL, në qytetin Lajpcig të Gjermanisë, duke shkaktuar zjarr. Zjarri u shua shpejt, ndërsa dëmet ishin shumë të vogla. Por, ky nuk ishte rasti i vetëm.

Në të njëjtën kohë, 1.300 kilometra më në perëndim, një pajisje e ngjashme ndezëse shpërtheu në një magazinë të DHL-së në Birmingam të Anglisë. Ajo kishte mbërritur me një avion të DHL-së.

Gjithashtu, afërsisht në të njëjtën kohë, një pajisje në një qendër transporti në Jablonov pranë kryeqytetit polak, Varshavë, gjithashtu shpërtheu dhe u përfshi nga zjarri. Zjarrfikësve iu deshën dy orë për ta shuar.

Këto tri zjarre, së bashku, përshkruanin një model të qartë – dikush po vendoste qëllimisht pajisje ndezëse në avionët e mallrave. Kjo i alarmoi agjencitë për zbatimin e ligjit dhe ato të inteligjencës në Evropë dhe Amerikën e Veriut.

Pakot ndezëse përkuan me lajmet për një tjetër incident që rriti dyshimet.

Në fillim të vitit 2024, Armin Papperger, drejtori ekzekutiv i gjigantit industrial gjerman, Rheinmetall, ishte në shënjestër të një plani për atentat, sipas Financial Times, CNN dhe New York Times (NYT).

Kjo kompani është ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë të predhave të artilerisë dhe tankeve. Më e rëndësishmja, që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, kompania ka zgjeruar ndjeshëm prodhimin e predhave për Ukrainën.

Zyrtarët amerikanë e njoftuan Gjermaninë për komplotin, raportoi NYT, duke bërë që shërbimet gjermane të inteligjencës të ofronin mbrojtje dhe siguri për Pappergerin.

Ka pasur gjithashtu një sërë incidentesh në det – kryesisht në Detin Baltik – në të cilat anije të ndryshme kanë dëmtuar ose këputur kabllo nëdetësore të telekomunikacionit dhe energjisë.

Muajin e kaluar, autoritetet finlandeze ndaluan një cisternë nafte, Eagle S, që po lundronte nga Shën Petersburgu i Rusisë drejt Port Saidit në Egjipt. Autoritetet më pas gjetën se anija kishte tërhequr pas vetes spirancën, duke dëmtuar një kabllo në Gjirin e Finlandës.

Megjithëse anijet e përfshira nuk ishin ruse – ato lundronin me “flamuj” nga vende të ndryshme nga ato të pronësisë – zyrtarët në Finlandë dhe gjetkë i kanë akuzuar ato se i përkisnin “flotës së errët” të Rusisë.

Kjo flotë përbëhet nga anije – disa pa shenja dalluese, shumica e të cilave përdorin flamuj të vendeve të tjera – që Kremlini thuhet se e ka ndërtuar që nga pushtimi i Ukrainës më 2022 si një mënyrë për t’i shmangur sanksionet perëndimore. Sipas hulumtuesve ukrainas, pjesa më e madhe e naftës ruse tani shitet jashtë vendit përmes kësaj flote të errët.

“Flota e errët” gjithashtu mund ta ndihmojë Rusinë për të vëzhguar. Një raport i publikuar pas ndalimit të Eagle S gjeti se ajo ishte e pajisur me “pajisje të veçanta për transmetim dhe marre të informatave, që përdoreshin për ta vëzhguar veprimtarinë detare”.

“Këtë vit ka pasur 500 incidente të dyshimta në Evropë”, tha muajin e kaluar ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, para një takimi të ministrave të NATO-s.

“Rreth 100 prej tyre mund t’i atribuohen sulmeve hibride, spiunazhit dhe operacioneve të ndikimit rus”, shtoi ai.

Në fillim të këtij muaji, autoritetet finlandeze sekuestruan anijen Eagle S, duke e shpallur atë të papërshtatshme për lundrim. Një tjetër anije në pronësi kineze, Yi Peng 3, u ndalua dhe më pas u inspektua në ujërat ndërkombëtare pranë Danimarkës dhe Suedisë, pas dyshimeve se ajo kishte tërhequr spirancën dhe kishte këputur dy kabllo telekomunikimi. Anija përfundimisht u lirua për të vazhduar lundrimin drejt Egjiptit.

Në tetor, ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme e Polonisë lëshoi një komunikatë për pajisjet e paketave ajrore, duke njoftuar se katër njerëz ishin arrestuar “për pjesëmarrje në një grup ndërkombëtar sabotimi” dhe se po i kërkonte dy të tjerë.

“Qëllimi i grupit ishte gjithashtu testimi i kanalit të transferimit për pako të tilla, të cilat më pas do të dërgoheshin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada”, tha ajo.

Shenja të një komploti më të gjerë u përmendën gjithashtu nga Thomas Haldenëang, kreu i agjencisë së inteligjencës së brendshme të Gjermanisë, i cili u tha ligjvënësve se ka pasur rritje të ndjeshme të aktiviteteve të spiunazhit dhe sabotimit rus në Gjermani.

Nëse pakoja e Lajpcigut që mori flakë do të kishte filluar të digjej gjatë fluturimit të avionit, “kjo do të kishte rezultuar në rrëzimin e avionit”, u tha Haldenwang ligjvënësve në shtator.

Pas muajit gushtit, derisa zyrtarët amerikanë dhe evropianë filluan të punonin me drejtuesit kryesorë të linjave ajrore për të zbatuar procedura të reja kontrolli për fluturimet e avionëve të mallrave, Bideni i urdhëroi dy nga zyrtarët e tij kryesorë të sigurisë – drejtorin e CIA-s William Burns dhe këshilltarin për sigurinë kombëtare Jake Sullivan – që t’i kontaktonin ndihmësit kryesorë të liderit rus Vladimir Putin dhe t’i paralajmëronin ata, sipas NYT.

Agjencitë amerikane të inteligjencës gjithashtu siguruan përgjime të bisedave midis zyrtarëve të lartë të agjencisë ushtarake ruse të inteligjencës, të njohur si GRU, raportoi NYT. Bisedat përshkruanin se si pakot që u ndezën – të cilat përfshinin artikuj të vegjël elektronikë të konsumatorëve – përbënin sprovë për përpjekje të tjera.

Në tetor, kreu i agjencisë kryesore britanike të inteligjencës, MI5, përmendi specifikisht GRU-në, duke thënë se ata ishin në një “mision të qëndrueshëm për të shkaktuar kaos në rrugët britanike dhe evropiane: Ne kemi parë zjarrvënie, sabotime dhe më shumë. Veprime të rrezikshme të kryera me papërgjegjshmëri të madhe”.

Megjithëse të pahollësishme, komentet e Tuskut, të bëra gjatë një konference bashkë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ishin tronditëse për shkak të rëndësisë së tyre: kreu i qeverisë bëri akuzë publike dhe shpërthyese, duke e akuzuar pothuajse hapur Moskën për terrorizëm.

Ato gjithashtu pasqyruan komentet e zyrtarëve të tjerë perëndimorë, të cilët kanë thënë se dyshojnë se Rusia po përpiqet të zhvillojë një fushatë të “errët” – që përfshin sabotime, spiunazh, dezinformim – në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut. Qëllimi? Destabilizimi i Perëndimit dhe minimi i mbështetjes së tij për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit të vazhdueshëm rus.

Nga ana e saj, Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur dhe të zëshme çdo përfshirje në pajisjet e avionëve të mallrave, ose në dëmtimet e kabllove nga flota e errët. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i quajti raportet për komplotin e sabotimit ajror si shembull të “një fabrikimi të turbullt”./REL

Next Post
Nuk është ashtu siç duket… “Brad Pitt” i zhvat 830 mijë euro francezes

Nuk është ashtu siç duket… “Brad Pitt” i zhvat 830 mijë euro francezes

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Mandati i 13-të i PD në Tiranë/ Garë e fortë mes Tabakut dhe Alimehmetit

Mandati i 13-të i PD në Tiranë/ Garë e fortë mes Tabakut dhe Alimehmetit

May 14, 2025
Xhaferri: Berisha e futi PD-në në agjendën e tij personale! Protesta nuk ka lidhje me samitin, është mesazh për …

Xhaferri: Berisha e futi PD-në në agjendën e tij personale! Protesta nuk ka lidhje me samitin, është mesazh për …

May 14, 2025
Përfundon procesi i numërimit të votave në Maliq! Kryeson PS, cilët janë kandidatët e preferuar të socialistëve dhe demokratëve

Përfundon procesi i numërimit të votave në Maliq! Kryeson PS, cilët janë kandidatët e preferuar të socialistëve dhe demokratëve

May 14, 2025
Arsyeja e vërtetë e humbjes madhështore të Sali Berishës. Fajtori është ai vetë dhe jo 800.000 shqiptarët që votuan kundër tij

Arsyeja e vërtetë e humbjes madhështore të Sali Berishës. Fajtori është ai vetë dhe jo 800.000 shqiptarët që votuan kundër tij

May 14, 2025
Shqipëria në finalen e Eurovision, shpërthejnë mediat serbe: Provokim i pastër, tregoi shqiponjën me dy koka

Shqipëria në finalen e Eurovision, shpërthejnë mediat serbe: Provokim i pastër, tregoi shqiponjën me dy koka

May 14, 2025
Apeli rrëzon shkallën e parë të GJKKO, nuk pranon nisjen e hetimit për Olta Xhaçkën

Apeli rrëzon shkallën e parë të GJKKO, nuk pranon nisjen e hetimit për Olta Xhaçkën

May 14, 2025
Detaje nga rrëmbimi i 29-vjeçares në Tiranë: Vajza s’pranoi të shkonte në shtëpinë e autorit, tentoi të hidhej nga makina

Detaje nga rrëmbimi i 29-vjeçares në Tiranë: Vajza s’pranoi të shkonte në shtëpinë e autorit, tentoi të hidhej nga makina

May 14, 2025
“Rezultati në Dibër, surprizues”, Petro Koçi: PD, pagoi kthimin e Berishës në krye të partisë

“Rezultati në Dibër, surprizues”, Petro Koçi: PD, pagoi kthimin e Berishës në krye të partisë

May 14, 2025
Pas thirrjes për të dalë në protestë, ndjekësit masakrojnë Berishën: Fillove prapë nga avazi ti? Ik o Sali, bëju nder demokratëve  

Pas thirrjes për të dalë në protestë, ndjekësit masakrojnë Berishën: Fillove prapë nga avazi ti? Ik o Sali, bëju nder demokratëve  

May 14, 2025
Deputet, nga “Hiçi”

PD, akoma nuk ka kuptuar asgjë

May 14, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
    • Exlibris
    • Intervistë
    • Kuzhinë
    • Në plan të parë

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com