Plagosja e efektivëve në Durrës, ministrja Spahiu konfirmon se janë jashtë rrezikut për jetën
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka reaguar nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale lidhur me gjendjen e personave të lënduar gjatë protestës së zhvilluar në qytetin e Durrësit. Spahiu bëri me dije se në Spitalin Rajonal po marrin trajtim mjekësor nëndrejtori i Policisë së Durrësit dhe pesë efektivë të Policisë së Shtetit, duke konfirmuar se “fatmirësisht, të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën”.
Gjatë deklaratës së saj, ministrja shprehu vlerësimin për trupën mjekësore që po përballon situatën, duke theksuar se “dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe mbështetjen time të plotë për mjekët, infermierët, ekipet e urgjencës dhe çdo punonjës shëndetësor ne të gjithë Shqipërinë, të cilët po përballojnë me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi situatën e krijuar”.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar mbrojtjes së brezit të ri, ku Spahiu iu drejtua komunitetit arsimor dhe familjeve me “një thirrje për prindërit, mësuesit dhe pedagogët: të kujdesemi së bashku për fëmijët dhe të rinjtë tanë, t’i ndërgjegjësojmë dhe t’i mbrojmë nga përfshirja në akte dhune që mund të rrezikojnë jetën dhe të ardhmen e tyre”.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt të rinjve, ministrja nënvizoi se “protesta paqësore është e drejta juaj legjitime, por dhuna nuk është zgjidhje dhe nuk mund të justifikohet nga asnjë kauzë”.
Ajo e përmbylli reagimin e saj duke ritheksuar se “askush nuk duhet të rrezikojë jetën apo shëndetin për shkak të dhunës”, si dhe duke nënvizuar se “respekti për jetën, sigurinë dhe dinjitetin e çdo qytetari duhet të qëndrojë mbi gjithçka”.

