Policia ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen që u regjistrua pasditen e sotme në Tiranë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 19-vjeçari Redi Kaçorri.
Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:45, në rrugën “Liman Kaba”, ku i riu u konfliktua me dy persona të tjerë, ende të paidentifikuar.
Sherri degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit, ku për pasojë u plagos 19-vjeçari, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
“Rreth orës 15:45, në rrugën “Liman Kaba”, në afërsi të një lokali, në rrethana ende të paqarta është plagosur dyshohet me armë zjarri shtetasi R. K., 19 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit me dy shtetas ende të paidentifikuar nga ana e Policisë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe mbledhjen e çdo prove të mundshme që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia.
/b.h