Albert Ostreni 49 vjeç është arrestuar nga policia 3 ditë pasi plagosi me armë zjarri fqinjin e tij Renaldo Mejdani 23 vjeç në Tiranë.
Albert Pulake alias Albert Ostreni u kap nga forcat e Komisariatit Nr.4 të Policisë së Tiranës, i fshehur në një banesë në rrugën “Teki Selenica” në zonën e Freskut.
Bashkë me të u arrestua edhe Fatmir Gega 46 vjeç, pronari i shtëpisë ku fshihej Ostreni. Ai akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta, pasi në banesë iu gjet një dorezë metalike grushti.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë edhe 45-vjeçarja E.K., e akuzuar për përkrahje të autorit të krimit pasi ndihmonte Albert Ostrenin duke i dërguar ushqime në banesën ku strehohej.
Në momentin e arrestimit, Albert Ostrenit iu gjet edhe një sasi kokaine dhe 2 shufra metalike si të policisë.
Mbrëmjen e 23 Gushtit, Albert Ostreni qëlloi me pistoletë fqinjin 23-vjeçar Renaldo Mejdani duke e lënë të plagosur. Ai u largua nga vendngjarja dhe u arrestuan vëllai i tij dhe një 39-vjeçare me iniciale O.I., të cilët e ndihmuan të largohej.
Ndërkohë, policia vijon punën për gjetjen e armës së përdorur për kryerjen e krimit.
/a.r