Qeveria amerikane e klasifikoi këtë trafikant droge si një nga më të rëndësishmit në botë, përveçse si furnizues i kokainës për Kartelin e Paqësorit, zhvillonte bisedime edhe me organizatën El Mencho.
Policia kolumbiane arrestoi Wilder Emilio Sánchez Farfán, alias El Gato (Maçoku), një trafikant droge ekuadorian i konsideruar si një nga më të fuqishmit në Amerikën e Jugut dhe që mbante lidhje të forta me Kartelin Jalisco Nueva Generación (CJNG) dhe kartelin Sinaloa të Meksikës.
Në shkurt 2022, Qeveria e Shteteve të Bashkuara e renditi “El Gato” si një nga trafikantët më të rëndësishëm të drogës në botë, që kishte qendrën e tij nëGuayaquil, Ekuador. Sipas informacioneve nga Ambasada e SHBA-së në Meksikë, “Sánchez Farfán merrte sasi shumë-tonëshe kokaine nga laboratorët e prodhimit në Kolumbinë jugore dhe e kalonte këtë kokainë nga ai vend në Ekuador nëpërmjet transportit tokësor. Dërgesat e kokainës dërgoheshin nga Ekuadori në Amerikën Qendrore, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara nëpërmjet avionëve privatë, anijeve detare, kontejnerëve komercialë dhe automjeteve tokësore.”
Përveç kësaj, El Gato konsiderohet nga SHBA si një burim i rëndësishëm që furnizonte me kokainë kartelin Sinaloa përmes partnerëve që lehtësojnë dërgesat e disa tonëve të kësaj droge për anëtarët e Kartelit të Paqësorit që operojnë në Culiacán, Manzanillo, Ensenada.
Lidhja që ka ky trafikant droge nuk është vetëm me organizatën e Ismael El Mayo Zambada apo me fëmijët e Joaquín El Chapo Guzmán, pasi autoritetet amerikane e lidhin atë edhe me organizatën kriminale të Nemesio Oseguera Cervantes, alias El Mencho.
“Sánchez Farfán ka dërguar përfaqësues të organizatës së tij në Meksikë për takime me anëtarët e Kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG) në mënyrë që të krijonte marrëdhënie pune për importimin e sasive të mëdha të kokainës në Meksikë nga Ekuadori,”- shpjegoi ndër të tjera Ambasada Amerikane në Meksikë.
Si Karteli Sinaloa ashtu edhe Jalisco Nueva Generación janë organizata kriminale të konsideruara nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara si më të dhunshmet dhe më “të rëndësishmet” për sa i përket trafikut të drogës.
“Karteli Sinaloa dhe CJNG janë përgjegjës për trafikimin e një pjese të konsiderueshme të fentanilit, kokainës dhe drogave të tjera vdekjeprurëse që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Gjithnjë e më shumë, kokaina e shitur në SHBA është e lidhur me fentanil, gjë që rrit mundësinë e vdekjes nga përdorimi i saj.”
Mësohet se bashkë me “Gato Farfán” ose “Jerry”-n, që njihej si trafikanti më i madh referuar drogës që dërgohej në Europë dhe SHBA, është prangosur dhe 37-vjeçari Artur Rrapaj nga Fieri, i cili ishte pjesë e kartelit të vetëquajtur Nueva Generación Ecuador. Ky shtetas ka precedentë penale edhe në Shqipëri.
Arrestimi i tyre u arrit pas 18 muajsh hetime, në një operacion të përbashkët mes policisë kolumbiane dhe ekuadoriane.
/e.d