Nga Albert P. Nikolla
Qasja agresive dhe dëshpëruese e Opozitës shqiptare ndaj nismave të Qeverisë të mbështetu ra nga SHBA-të dhe BE-ja, ka bërë që ajo të jetë në një situatë krejt të pakuptimtë jo vetëm për të, por më së shumti për mbështetësit e saj të cilët ndjehen të hutuar! Në një kohë kur kërkohet një impenjim real dhe i fortë i Opozitës në qasjen e një kritike ndërtuese për reformën zgjedhore, për strategjinë e përballimit të pasojave të tërmetit (ftesa e Qeverisë është bërë që në minutin e parë pas tërmetit!), për bashkëpunimin e detyrueshëm serioz e institucional në rrugën e vendit drejt BE-së, ajo krejt kohën e përdor duke u marrë me problemet e Qeverisë Kosovare!
Aq shumë është zhvendosur boshti operativ i Opozitës saqë mund të mendojmë se kemi të bëjmë më një grupim politik që vepron në Kosovë e jo në Shqipëri! Figurat kryesore të Opozitës i shqetëson vetëm nisma e Kryeministrit Rama për Minishengenin dhe fare pak ose aspak problemet e politikës në Shqipëri! Ky tëhujëzim pjerrakeq duket se është bash në ADN-në e saj. Braktisja ka qenë mënyra e saj e të bërit politikë që në lindjen e PD-së dhe LSI-së! Për PD-në braktisja dhe obstruksioni janë dy shinat mbi të cilat ka udhëtuar që në zanafillën e saj! Mjafton të sjellim në kujtesë ngjarjet në agun e krijimit të saj kur të “dërguarit” e Partisë, herë në formë të dhunshme e herë me rrena ia dolën ta bëjnë Lëvizjen e Dhjetorit të braktiste shpirtin e saj të lirisë dhe vendi të mos arrinte atë çka realisht kishte dëshiruar me këtë lëvizje.
Braktisjet e PD-së vijojnë më vonë me qeverinë e stabilitetit e deri në braktisjen e madhe në fillim të këtij viti kur deputetët e saj u larguan nga kuvendi! Ndoshta PD-ja ka shpresë të futet në Kuvendin e Kosovës pasi duket sikur është në fushatë zgjedhore për zgjedhjet e atjeshme. Të njëjtën linjë ndjellakeqe po ndjek edhe LSI-ja, prej kohësh duke u tunduar nga kultura e braktisjes së PD-së. Braktisja dhe gjetja e armikut edhe aty ku nuk është përbëjnë dy elementë kulturorë krejt të padobishëm për një parti që bën politikë në një vend që udhëton drejt Europës.
Çdo parti e kësaj prerjeje antropologjike opozitare, pra ku mbizotëron politika e braktisjes dhe mungesa e vizionit politik global, tundohet nga nacionalizmi që t’u mbushë mendjen njerëzve se problemet e tjera nuk kanë kurrfarë rëndësie përballë qasjeve të rëndësishme nacionaliste dhe urrejtjes për “tjetrin”. “Tjetri” është përherë një armik që duhet sulmuar dhe përbuzja ndaj tij është shenjë e “dashurisë për atdheun”. Kaq i madh është trishtimi i Opozitës, saqë kryeministri Rama shikohet herë si armiku i jashtëm që bashkëpunon me armikun serb, herë si armiku i brendshëm që po na krijon probleme në Kosovë (në mënyrë të çuditshme është fajtor edhe për mosfunksionimin e opozitës!!!). Kryeministri është armiku i kudondodhur (sic! Partia na mëson të jemi vigjilentë!)!
Për politikanin tonë opozitar “ndërkombëtarja” ekziston dhe është faktor politik me të cilin duhet të krijosh marrdhënie politike vetëm nëse kalon nga Kosova! Vetë natyra antropologjike e këtij politikani e formëson atë që të ketë vizion të ngushtë të marrdhënieve politike dhe “ndërkombëtarja”, si hapësirë e ushtrimit politik, është për të e huaj, e frikshme, armike që cenon pushtetin e tij të vogël tribal. Përjashto Ismail Qemalin, Dom Nikollë Kaçorrin, Imzot Doçin, Mustafa Krujën, Sejfulla Malëshovën dhe Edi Ramën, një pjesë e madhe e politikanëve të tjerë të 107 vjetëve të shtetit shqiptar janë viktima të modelit “politikan tribal”.
Krejt e kundërt është qasja e PS-së në këtë skenë të re politike që krijohet nga domosdoshmëria e përshpejtimit të reformave pro europiane. Ka një linjë të qëndrueshme të kësaj partie në marrdhënie mbështetëse e korrekte ndaj Kosovës, shumë më tepër se ç’ka bërë qeveria e djathtë prej 2005 – 20013! Që me vënien në dispozicion të ambasadave shqiptare për shtetasit kosovarë, me përkujdesjen dhe mbështetjen e bashkësisë shqiptare në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc e më gjerë, politika e jashtme shqiptare viteve të fundit ka qenë thellësisht ndërtuese për Kosovën dhe ka ngulmuar që kjo e fundit të ketë një politikë të hapur drejt integrimit e të mos infektohet nga mendësia e braktisjes e ushqyer nga PD-ja e Shqipërisë!
Filli i kuq i politikës së PS-së është përpjekja me çdo kusht për integrimin Europian dhe qasja ndaj fqinjëve me dinjitet në respekt të së vertetës historike duke njohur krimet që Serbia ka kryer në Kosovë, por jo për armiqësi të përjetshme! Papritesa e Ramës për t’u kapur fort te kjo verigë ideologjike e Partisë Socialiste e ndihmoi atë që ta zhvillonte më shumë linjën miruruese ideologjike të kësaj partie. Shenjën e parë të kësaj mendësie Rama e dha menjëherë sapo erdhi në pushtet në vitin 2013. Asokohe pata shkruar një artikull: “Vizita e Ramës si kapërcim i tribalizmit politik” (Mapo. 13 nëntor 2014), në të cilin nënvizoja rëndësinë e vizitës në Beograd, që thyente tabunë me natyrë tribale: “me armikun nuk flitet”! Pa fund është kritikuar Rama nga analistët pranë opozitës për vizitat e tij të natyrshme me autoritetet e vendeve fqinje!
Shqipëria ka nevojë për Opozitën e saj, jo për opozitë që bën politikën kosovare! Në këto kushte, Shqipërisë i kanoset rreziku i “hiçit opozitar”. Ky rrezik nuk duhet nënvleftësuar sepse “hiçi” është armiku më i madh i “Ekzistencës”, sidomos kur kjo e fundit është autentike. Kjo ekzistencë frymëzohet nga politikanë e militantë që jetojnë e punojnë në Shqipëri e ia duan të mirën asaj, nga persona që jetojnë jashtë atdheut por që e duan atë. Që kjo ekzistencë politike të triumfojë, duhet t’i bëjë ballë me forcë viskozitetit opozitar që rrëshqet në mënyrë të panevojshme drejt Kosovës! Një mënyrë e sigurt është mospërzierja me të ose, siç thoshte Sartri, të bëhemi si fëmijët e të kemi refuzim total për të.
Në kushtet e mungesës së mendimit opozitar, një rol të rëndësishëm duhet të luajë dialogu politikë – kulturë, politikë – shoqëri civile , duke mos projektuar problemet politike e sociale të shqiptarëve tek “armiku”. Serbët do të mbajnë përgjegjësi para historisë për krimet e tyre, por një politikë shqiptare, që të jetë e suksesshme dhe me të ardhme e vizion të qartë, duhet të jetë e ndërtuar mbi konceptin “pro” dhe jo “kundër”. Ka parti politike në spektrin politik të Kosovës dhe të Shqipërisë që thelbin ideologjik e kanë ndërtuar mbi urrejtjen për serbët dhe grekët. Mendoj se parti të tilla janë pa të ardhme, sepse vetëm partitë politike që janë “pro” shqiptarëve, që janë për zgjidhjen e problemeve të tyre, që janë për politika që kërkojnë zhdukjen e mjerimit ende të pranishëm ndër ne, që janë për respektimin e dinjitetin të secilit qytetar, do të kenë të ardhme. Çfarë do të bëjnë “partitë e urrejtjes” kur “armiku” të mos ekzistojë më? Një politikë që harron përkujdesjen ndaj qytetarëve të vendit të vet do të jetë e harruar nga historia, kjo gjykatëse e pamëshirshme dhe e pakorruptuar!