Nga Altin Ketro
Pas bërjes publike të videos ku pretendohet se kryebashkiaku i Bulqizës është duke konsumuar lëndë narkotike, kemi dy palë që pretendojnë të kundërtën. Nga njëra anë është Partia Demokratike që ishte a para që tha emrin e Lefter Allës, dhe disa orë pas tij gazetari Artan Hoxha që e përforcoi këtë edhe me video. Nga ana tjetër është vetë i dyshuari Alla që deklaron se nuk është ai aty dhe video është e montuar.
Të dyja palët janë në të drejtën që të mbrojnë pretendimet e tyre deri në momentin kur një organ tjetër, që përfaqëson ligjin, të thotë me prova shkencore që është apo nuk është Lefter Alla në atë video.
Nisur nga prononcimet televizive të gazetarit Artan Hoxha, kam mbetur disi i dyzuar. Nga njëra anë kemi pretendimet e gazetarit se mbi të është bërë edhe presion, si dhe i janë ofruar edhe para për të mos e publikuar videon. Kjo në vetvete tregon se video është e vërtetë. Sepse ai që ndjehet i pafajshëm, nuk ka asnjë arsye të japë ryshfet ose të kërcënojë zotëruesin e një video për të mos e publikuar atë.
Pavarësisht këtyre që pretendon gazetari Hoxha, përsa kohë ai nuk përmend se cilët janë ata që kanë hyrë në tratativa me të, çdo gjë mbeten në kuadër hipotezash. E mira është që si gazetar investigativ, t’i dokumentonte këto miklime apo kërcënime edhe me një provë audio ose video, gjithsesi është e drejta e tij të mos i bëjë publike.
Por janë disa pikëpyetje që nuk më lënë të qetë në logjikën e ngjarjes. Pikëpytje që po i parashtroj më poshtë.
Kryetari i bashkisë Bulqizë e ka marrë mandatin më datë 5 gusht 2019, datë në të cilën edhe është betuar.
Sipas gazetarit Artan Hoxha, kryebashkiaku Alla ka konsumuar lëndë narkotike të llojit kokainë, pas muajit gusht, pra diku nga shtatori.
Gjatë një investigimi që gazetari Hoxha ka bërë për grupet kriminale në Bulqizë, i ka rënë në dorë materiali kompromentues për Allën. Ky material i ka rënë në dorë po nga këto grupe. Është çudi se si këto grupe kriminale e shitën një njeri të tillë të cilin mund ta mbanin nën shantazh dhe t’ia përdornin videon për çfarëdolloj interesi si presion për t’iu bindur atyre.
Po në muajin shtator 2019 Artan Hoxha njihet me këtë video të cilën diku nga muaji nëntor ia thotë edhe publikut që e posedon, por pa hyrë në hollësira, gjë që i shton misterin.
Video u bë publike orët e pasdites së datës 22 janar 2020. Përpara se ajo të bëhej publike nga gazetari Artan Hoxha, emri i Lefter Allës u dekonspirua me një deklaratë të Partisë Demokratike prej ish-deputetit të saj, Ervin Salianji, i dënuar me vendim të shkallës së parë si intrigant i të ashtuquajturës: “Çështja Babale”.
Pasi video u bë publike, rezulton se ajo ka një kohëzgjatje prej 37 sekondash.
Video është regjistruar me celular tek monitori që përcjell pamjet nga kamera mbi banakun e lokalit misterioz. Regjistrimi me celular është i formatit bardhezi.
Në video shfaqet një person i bëshëm, veshur me një bluzë me mëngë të gjata dhe këmishë poshtë saj, që përkulet mbi një pjatë.
Pjata është e bardhë dhe mbi të reflektojnë prozhektorët që ndodhen mbi banak. Drita e bardhë e prozhektorëve, duke rënë mbi pjatën e bardhë, e bëjnë të pamundur që të shihet lënda narkotike kokainë që ka po ngjyrë të bardhë. Duke qenë se edhe video është bardhezi, në video pra shihet vetëm gjesti që bën personi, por asfare lëndë narkotike që pretendohet se konsumon ai.
Video nuk ka një rrjedhë logjike, pra që të shfaqë personin që hyn në lokal, pastaj që shkon tek banaku, pastaj që nxjerr (ose e ka të gatshme në pjatë) lëndën narkotike.
Video që në sekondën e parë shfaq personin e pretenduar që është Alla, kryesisht me shpinë, ku i duket pjesa e pasme e kokës dhe vetëm në një çast i dallohet profili i anës së majtë, por askush s’e vë dorën në zjarr se ngjan me atë.
Në fund në video shfaqen dy djem të rinj, ku dhe ata nuk mund të identifikohen dhe në atë çast video ndërpritet, biles ka edhe një sekuencë një sekondshe që ndryshon rrjedhën kur hyjnë djemtë dhe që lë vend për montim.
Videos i mungon data dhe ora. Gazetari Hoxha pretendon se i zotëron edhe ato, por i ka prerë qëllimisht. Dakord, emrin e lokalit ku është konsumuar droga nuk e tregon, por që të mbahet e fshehtë data dhe ora, kjo është pa kuptim. Në kriminalistikë vendi dhe ora janë “A”-ja e punës ku nisin hetimet.
Duke qenë se Artan Hoxha pretendon se konsumimi i kokainës është kryer në orët e vona të natës, duke qenë se ai nuk tregon datën dhe orën, ku ta dimë ne që Lefter Alla në atë datë dhe orë nuk ka qenë, bie fjala, në një dasëm?! Çdokush ka të drejtë të ngrejë alibinë e tij dhe mohimi i saj duke i thënë je ti aty, por pa i treguar datën dhe orën, është tepër e rrezikshme.
Gazetari Hoxha pretendon se nuk i intereson të dekonspirojë personat e tjerë, prandaj ka shfaqur ato 37 sekonda. Dakord. Po a nuk do të ishte më mirë që ta shfaqte videon në të gjithë rrjedhën e saj logjike duke i errësuar pamjet e personazheve të tjerë me qëllim që ata të mos identifikoheshin dhe publiku të kishte mundësinë të këqyrte vetëm Allën?!
Gazetari Hoxha e ka mbajtur për shumë muaj në duar materialin dhe kjo i ka hequr kushtet e flagrancës. Që do të thotë, po të ishte dorëzuar në kohë në organet e drejtësisë, ose fundja, të ishte bërë publike më herët, edhe personazhi Alla mund t’i bëhej testi i drogës në kohën e duhur, kur ende organizmi i tij të kishte shenja të intoksikimit. Jo vetëm kaq, por po të ishte shfaqur në kohën e duhur, mundet që edhe pamjet e videoregjistratorit (DVR) të lokalit ose shoqërisë së sigurisë, të ishin marrë në origjinalin e tyre, e jo në atë palo cilësi që kemi.
Unë besoj se ata që e kanë bërë atë regjistrim e kanë edhe origjinalin e plotë, të pastër e me ngjyra, por dyshoj se atyre që ia vunë në dispozicion Artan Hoxhës atë video, u interesonte t’ia jepnin në format me cilësi të ulët dhe bardhezi.
Artan Hoxha e ka bërë kronikën e jetës së tij, atë të shfaqur në natën e vonë të 21 janarit 2011, ku me kamerën e Ervin Dajës, dokumentuan një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtyre 30 viteve, vetëm tri orë pasi ish-kryeministri Berisha kishte dhënë në TV një version fals. Pa atë dokumentim, historia politike e Shqipërisë sot do të ishte ndryshe. Për këtë duhet t’i jemi gjithnjë mirënjohës.
Por për rastin e videos së fundit, dyshoj se ai është përdorur nga të tjerët. Koha e gjatë e mbajtjes prej tij nëpër duar me argumentin se do bënte verifikime, nuk më ka bindur fare. Katër muaj janë tmerrësisht shumë për të dalë në një konkluzion. Do ishte më e ndershme që të thoshte që e ka mbajtur kaq gjatë nga frika e presioneve kriminale, se sa gjen argument jo të fortë si ai i verifikimit.
Sa për kryebashkiakun Alla, tashmë që edhe SPAK-u hapi proces penal ndaj tij, është mirë që të bëjë një delegim kompetencash tek nënkryetari i vet me qëllim që institucioni i bashkisë, deri sa të dalë e vërteta, të mos mbetet i njollosur. Nuk jam për masën drastike të dorëheqjes, për sa kohë kryetari Alla pretendon se nuk është ai.
Është e kuptueshme ndjeshmëri që krijohet në këtë rast, por duke qenë se këtu nuk kemi të bëjmë me shpërdorim detyre apo një akt kriminal në kushtet e flagrancës, dhe ku video mbart tepër dyshime, nuk ka arsye që nëse ai del i pafajshëm, të krijohen kosto ekonomike duke e çuar bashkinë në zgjedhje të parakohshme.