Deputeti socialist Alfred Peza reagoi sot sa i përket drafteve të Partisë Demokratike, duke thënë se PD po hedh akuza për çështje që i takojnë ekskluzivisht sistemit gjyqësor.
Sipas Pezës, mazhoranca qysh në fillim të herës ka folur për nevojën që drejtësia shqiptare të reformohet.
“Kur mazhoranca punonte për reformën në drejtësi, opozita bojkotonte parlamentin. Dhe tani që po afron dita që reforma në drejtësi të votohet, opozita po fillon sërish avazin e vjetër të bojkotit. Përse? Sepse është e qartë: Mazhoranca e do reformën në drejtësi, kurse opozita kërkon me çdo kusht ta pengojë atë. Mazhoranca e sheh si problem sistemin e drejtësisë, kurse opozita është e kënaqur me të, për sa kohë refuzon reformën” – tha Peza.
Deputeti i PS shtroi pyetjen se kush e kontrollon gjyqësorin, mazhoranca që do ta reformojë dhe ndryshojë sistemin, apo opozita që po bën çmos qe sistemi të mos ndryshojë.
“Kush i kontrollon gjyqtarët, mazhoranca që kërkon t’i kalojë ata në sitë për të larguar të korruptuarit, apo opozita që i ka emëruar vetë pjesën dërrmuese të tyre e që sot kërkon t’i mbrojë duke i mbajtur në detyrë. Kurse sa i takon rastit të Armando Prengës, faktet flasin shumë qartë. Armando Prenga është përjashtuar nga Partia Socialiste qysh ditën që u gjend i përzier në konfliktin famëkeq të Laçit” – tha në konferencë Alfred Peza.