Kjo intervistë me Prof. Pëllumb Xhufin është thuajse monotematike. Vetë Profesori nuk deshi të shpërndahej në çështje të tjera të aktualitetit politik, por gjithsesi nuk i shmanget pyetjeve të drejtpërdrejta për këtë aktualitet.
Është folur e flitet aq shumë për to, sa që më duket e panevojshme të përzihem edhe unë, shprehet ai. Për të trajtimi i problemit dhe gjendjes aktuale të Akademisë së Shkencave është ku e ku më e rëndësishme se një thirrje e Berishës në parlament për të rrëmbyer armët.
Dhe ai tregon dhe argumenton pse është tepër urgjent reformimi i Akademisë që po vuan një agoni të pafundme…
– Profesor, është koha kur flitet ndoshta më shumë se asnjëherë tjetër për reforma. Reformë në drejtësi, reformë në arsim, reformë në polici etj. Sa serioze ju duken këto reforma dhe a besoni në reformimin në kushtet aktuale të politikës e shoqërisë shqiptare?
– Me përjashtim të reformës që ju përmendët të fundit, asaj në polici, së cilës qytetarët ia shohin efektet, reformat e tjera janë vrarë që në embrion nga paqartësia, paaftësia e pavendosmëria e qeverisë, nga refuzimi i tërbuar i opozitës për të pranuar edhe ndryshimin më të vogël dhe nga shteti paralel që drejtohet nga ish-Kryeministri dhe që është mbjellë prej tij me kujdes maniakal në të gjitha institucionet publike përgjatë këtyre 25 vjetëve të tranzicionit. Ky është shteti esadist i fanatikëve, i të paditurve, i njerëzve të liq, pa ndërgjegje e pa atdhe, që vazhdojnë edhe pas 25 vjetësh të thërrasin “dum babën”, pavarësisht se ndërkohë “baba” e ka djegur dhe e ka pjekur nja tre herë Shqipërinë, e ka varfëruar, degraduar e shpartalluar shtetin dhe i ka shkaktuar një krizë identiteti të pashembullt qytetarit shqiptar, të cilit i merret goja kur i duhet të pohojë identitetin e vet.
Por, mos harrojmë që ngërçi në realizimin e reformave vjen edhe nga politikat e gabuara, me bazë antipopullore e antidemokratike të mishëruara në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të bëra kokë më kokë, buzë më buzë e vesh më vesh me “anti-shtetin”, d.m.th. me Sali Berishën. Nëse sot qeveria e Edi Ramës nuk bën dot një hap përpara në reformën në drejtësi, kjo vjen ngaqë atë e pengojnë një president, një KLD, një Prokurori apo një Gjykatë që janë pjellë e drejtpërdrejtë e atyre ndryshimeve kushtetuese, me të cilat Berisha, e jo Edi, e kapi shtetin në të gjitha hallkat e tij. Nëse tek ne zgjedhjet nuk pasqyrojnë vullnetin sovran të popullit, nëse parlamenti është shndërruar në një palestër harbutërie, nëse partitë politike janë shndërruar në detashmente besnike të kryetarëve të tyre, kjo ka ardhur gjithashtu nga flirti pranveror i vitit 2008, kur vesh më vesh e buzë më buzë u sajua një kod zgjedhor e një sistem zgjedhor, që i bënte dy kryetarët e partive të mëdha titullarë të vullnetit e të sovranitetit të popullit.
– Pikërisht në kohën që këmbëngulet fort edhe nga ndërkombëtarët për reformën në drejtësi, kryetari de fakto i PD-së, Sali Berisha bëri një thirrje për armatosjen e popullsisë, për të cilën u ndëshkua me 10 ditë përjashtim nga parlamenti. Si e përjetuat si thirrjen e Saliut, ashtu dhe ndëshkimin e tij?
– Që mos ta fsheh, kur dëgjova piskamat për armatosje të popullit, aty për aty mendova se z.Berisha po zbatonte porosinë e radhës. Pastaj, me mendje më të ftohtë, solla ndërmend se në ditët e fundit të prillit 1945, Hitleri pati një “ndriçim hyjnor” që i pëshpëriti se faji për humbjen e Gjermanisë qëndronte tek ushtria dhe tek populli gjerman, të cilët nuk kishin luftuar e nuk kishin sakrifikuar sa duhet për atë, Hitlerin. Atëhere, ai filloi të shohë ëndrra me armë të tmerrshme, që do të shkrinin planetin e gjithë njerëzimin, duke filluar nga gjermanët e tij. Kështu, gjykoj unë, edhe zotit Berisha nuk i del inati që populli shqiptar u tregua “mosmirënjohës” ndaj tij duke i treguar derën disa herë në këto 25 vjet. Dhe si njohës i mirë i letërsisë serbe mbi shqiptarët, ka mësuar prej Gjeorgjeviçëve e Tomiçëve të saj, se për të zhdukur popullin shqiptar nuk është nevoja të shpiken armë të shkatërrimit në masë: Mjafton t’i armatosësh të gjithë, e vrasin njëri-tjetrin. Diçka nuk funksionoi në vitin 1997 dhe shqiptarët nuk e vranë njëri-tjetrin. Siç duket, kësaj radhe z. Berisha ka gjetur formulën e duhur për ta zbatuar siç duhet idenë serbe të tij.
– Le të ndalemi pak te dekriminalizimi. A besoni se me reformën në drejtësi do të dekriminalizohet politika shqiptare?
– Nëse shohim pikën nga nisi reforma në drejtësi, dhe pikën ku ka mbërritur, mund të konstatojmë rënien në pikiatë të saj dhe, ka të ngjarë që kjo reformë të përfundojë në xhepin e atyre që parashikohej të ishin objektivi dhe viktima e saj. Përfundimisht, kjo klasë politike nuk e do reformën në drejtësi, ajo nuk do të bëjë harakiri duke shkruar ligje e duke ngritur struktura që godasin atë vetë. Në këto kushte, më ngjalli shpresë thirrja e kryeministrit për t’iu drejtuar referendumit popullor. Por me sa duket, ishte një thirrje sa për të larë gojën, sepse nuk po e dëgjoj më. Dhe më duket se edhe kjo histori do mbarojë me një nga ato pazaret “buzë më buzë e gojë më gojë”, ku për faj të miopisë e paburrërisë së shumicës, edhe njëherë Berisha do imponohet mbi të gjithë: mbi vullnetin popullor për t’i dhënë fund pushtetit të padrejtësive e të zullumeve, mbi dëshirën e mazhorancës për ta realizuar, gjithsesi, këtë reformë jetike dhe “estetikisht” të dobishme, dhe mbi vetë vullnetin e ndërkombëtarëve për ta konsideruar reformën në drejtësi një kusht të pakapërcyeshëm për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit. Shpresoj që referendumi popullor për kalimin e variantit fillestar të reformës, të atij që nuk është bërë pis nga Berisha, vazhdon të jetë një opcion i mazhorancës.
– Profesor, sidoqoftë sot flitet shumë për reforma, për të cilat janë marrë referenca nga ekspertë të huaj. Janë kërkuar studime të mirëfillta juridike, sociale për efektet e reformave apo efektet pozitive apo negative të tyre?
– Shikoni, në këtë vend reformat deri tani i kanë bërë politikanët, të cilët, siç dihet, nuk janë specia më e ditur dhe më e përgjegjshme e kësaj ferme të çoroditur që është Shqipëria. Por politikanët tanë janë aq të ditur, sa ta prezantojnë “reformën” e radhës duke patur në krah ndonjë John apo ndonjë Jean nga ata, që me një kërcim deri në Tiranë mbushin CV dhe xhepin e vet, duke lënë prapa një tog me bajga. Për të mbetur në fushën tonë, a mund ta themi sot se çfarë i ka kushtuar Shqipërisë reforma e kërkimit shkencor e vitit 2007, e cila gjithashtu “u akreditua” nga ndonjë “këshilltar” i huaj? Qindra specialistë të hedhur jashtë instituteve shkencore të Akademisë, të refuzuar apo të keqtrajtuar nga “bosët” e përjetshëm të Universiteteve tona, të cilët duhet t’i prisnin nëpër departamentet e fakulteteve të ndryshme. Degë të tëra të dijes të shkrira ose të venitura. Dikur me një Institut elitar të Sizmologjisë, sot Shqipëria nuk ka një specialist me emër në këtë fushë jetike për vetë karakteristikat gjeo-sizmike të vendit. E njëjta gjë vlen për Institutet e tjera të Biologjisë, Fizikës Bërthamore, Hidrometeorologjisë, etj. etj. “Ideatorët” e reformës së vitit 2007 premtuan se pas mbylljes së “Akademisë sovjetike”, kërkimi shkencor do të lulëzonte në laboratoret e bibliotekat e Universitetit. Në fakt, e kthyen Universitetin në një qendër të keqe didaktike, ku profesorët e ndershëm nuk kanë një zyrë, një kompjuter, një laborator apo një bibliotekë ku të mund të bëjnë dhe të drejtojnë veprimtari shkencore. Ku profesorë të tjerë, të paaftë e xhambazë, nga ata që votojnë gjithnjë të njëjtin dekan apo të njëjtin rektor të cilin e shohin jo si koleg, por si punëdhënësin e tyre, nuk e kanë aspak në axhendë integrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore në procesin didaktik, siç e kërkon edhe ligji, por rendin të rrëmbejnë sa më shumë orë leksionesh, sa më shumë udhëheqje fiktive masterash e doktoraturash për të fituar sa më shumë.
– Në këtë kontekst, po flitet për një tjetër reformë të Akademisë së Shkencave, nga e cila do të na dilte një version i tretë i kësaj Akademie nga koha kur u krijua, në 1972. Ç’ka ndodhur e ç’po ndodh me këtë të bekuar Akademi?
– Pikë së pari, Xhevdet, do t’iu kërkoja leje të bëja pak histori përpara se t’i përgjigjem pyetjes suaj. Këtë e quaj të domosdoshme për të vënë në binarët e duhur bisedën tonë e çdo bisedë që ka të bëjë me problemin në fjalë.
Së pari, le të themi që Akademia e sotme është një produkt i reformës rrënuese të vitit 2007, që e ktheu atë institucion nga një vatër e vërtetë e kërkimit shkencor, në një klub individësh, një pjesë e tyre të përzgjedhur e të emëruar politikisht e të mirëpaguar për të qenë thjesht një aureolë e pushtetit. Një Akademi si kjo e sotmja është produkt i politikës, por është edhe produkt i inkompetencës dhe i ligësisë së një grupi komisarësh pëdëistë, që me të marrë sinjalin e politikës, u hodhën në vijë të parë të betejës për shkatërrimin e Akademisë së vërtetë të Shkencave e për të ndërtuar Akademinë e tyre të kotësisë. Një pjesë e mirë e këtyre rrënuesve të shkencës shqiptare u shpërblyen duke u bërë akademikë. Dhe siç ndodh rëndom në këto anë, të njëjtët protagonistë ogurzinj kërkojnë të jenë përsëri në krye të reformës së re, së cilës thuhet se do i nënshtrohet ky institucion.
Ishin këta “reformatorë” që në vitin 2005 ulurisnin për të zhbërë Akademinë, që nuk i kishte mbushur të 30 vjetët e jetës, dhe që ata e stigmatizuan paturpësisht si “sovjetike”. “Sovjetike”? Kush? Akademia e ideuar dhe e drejtuar nga Eqerem Çabej, Aleks Buda dhe plejada e papërsëritshme e studiuesve dhe e dijetarëve të formuar në universitetet perëndimore? E pra, këta nuk ngritën një Akademi “sovjetike”, por një Akademi që për model pati Akademinë e Shkencave të Vjenës, njëlloj si të gjitha akademitë e vendeve të Europës Qendrore e Lindore, që për referencë kulturore kishin pikërisht Vjenën. Vërtet, studiuesit shqiptarë vepruan në kushte të vështira, por falë pasionit të tyre ata e kthyen Akademinë e Shkencave me institutet e saj në një laborator të gjallë të mendimit shkencor, të njohur e të vlerësuar si të tillë nga bota shkencore e huaj. Për sa i përket shkencave albanologjike për të cilat mund të flas me kompetencë, në pak vjet Tirana u kthye në qendrën e padiskutuar botërore të studimeve albanologjike. Në konferencat e veprimtaritë shkencore të organizuara në Tiranë kanë marrë pjesë emrat më të shquar të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, antropologjisë. Sot, kur Tiranën e viziton vetëm ndonjë studiues vullnetmirë nga bota shqiptare, nuk mund të kujtojmë veçse me melankoli konferencat ndërkombëtare të organizuara nga Akademia e Shkencave, ku vinin dijetarë të tillë si Karl Treimer, Stewart Mann, Gunnar Svane, Henry Boissin, Vittore Pisani, Domenico Mustilli, Johann Irmscher, Freddy Thiriet, Francisc Pall, Alain Ducellier, Giuseppe Schirò, Bogumil Hrabak, Halil Inalçik, Vladimir Georgiev, Emil Kondurachi, Dimitri Obolensky, Evangelos Chryssos, Hermann Ölberg, Johannes Hubschmid, G. Battista Pellegrini, Helmut Schaller, Joachim Werner, etj. etj. Emra të mëdhenj, siç është sublim emri i Franz Babingerit, bizantinist, orientalist, medievist e albanolog i papërsëritshëm, i njohur nga lexuesi shqiptar me studimin e tij mbi Arianitët si dhe me veprën madhore “Historia e Mehmetit II Pushtues”. Ky plak erudit,nga ata që rrallë ndeshen në kohën e internetit, pati fatin e keq të ndërrojë jetë pikërisht në Shqipërinë që e deshi aq shumë, kur në një moment pushimi mes seancash, me një shpirt prej teutoni mendoi të kridhej në detin e ftohtë të Durrësit. Historira të bukura, makar edhe të trishtuara, që i mungojnë Akademisë së venitur e pa adrenalinë të kohëve të reja. E këtu, për shumëkënd që ishte pjesë e reformës vrastare të vitit 2007 dhe që kërkon përsëri “t’i japë drejtim” reformës së re, është koha për të bërë, para së gjithash, një “mea culpa”.
– Dakord, Profesor. Por cili është problemi themelor i kësaj Akademie të Shkencave, mungesa e lirisë akademike, struktura e papërshtatshme apo paaftësia?
– Shikoni, funksioni kryesor i një Akademie të Shkencave është të promovojë e të mbështesë studime komplekse, ndërdisiplinore, duke u mbështetur në veprimtarinë shkencore të instituteve në varësi të saj. Mirëpo, prej vitit 2007, Akademisë iu hoqën institutet shkencore, ku organizohej dhe bëhej kërkim i mirëfilltë shkencor. Aktualisht, Akademia e Shkencave është një shumë individësh, anëtarë të Akademisë, një pjesë e të cilëve me personalitet e kontribute shkencore, të cilët, në mungesë të fondeve e sidomos të lidhjeve institucionale, nuk mund të kryejnë funksionin e promovimit, koordinimit e realizimit të kërkimeve shkencore. Si individë, disa apo shumë prej tyre mund të kryejnë studime me vlerë në fushat përkatëse, por si institucion, si Akademi, si “truri” i veprimtarisë shkencore që duhet të ishte, kjo Akademi është ndërtuar e tillë për të qenë një akademi “honorifike”. Prandaj, këtu nuk shtrohet problemi i pavarësisë shkencore të Akademisë. Problemi i sotëm i Akademisë është amullia (otium) apo e thënë ndryshe “il dolce far niente”.
– Gjithsesi, si institucioni që mbledh njerëzit më të spikatur të shkencës, a po e luan akademia rolin e ekspertizës shkencore, për të cilën ne duket se kemi shumë nevojë aktualisht?
– Duhet të ishte ashtu, pra që Akademia të mblidhte njerëzit më të spikatur në fushat e kërkimit shkencor. Por, pa mohuar praninë e individëve të tillë, më duhet të them që të qenit Akademik sot nuk nënkupton domosdoshmërisht përkatësinë në një status gati hyjnor të dijes. Janë të shumtë studiuesit që kanë shkëlqyer në fushat përkatëse, pa qenë anëtarë të Akademisë. Fola pak më parë për kriterin e pashpallur politik, mbi bazën e të cilit u përzgjodhën një pjesë e mirë e akademikëve më 2007. Nëse shihet produkti shkencor, të paktën në shkencat albanologjike që unë i njoh e për të cilat mund të flas me një farë kompetence, veprat kryesore në fushën e albanologjisë vazhdojnë të realizohen në institutet që dikur ishin pjesë e Akademisë, kurse prej vitit 2007 janë pjesë e Qendrës së Studimeve Albanologjike. Me gjithë politikat e çoroditura shkencore të zbatuara këto 25 vjet, është puna e devotshme e studiuesve të këtyre instituteve, të vjetër e sidomos të rinj, të formuar në universitetet më te mira të vendit e të Perëndimit, ajo që e ka mbajtur gjallë kërkimin shkencor në shkencat albanologjike, ndonëse mes njëmijë vështirësive e privacioneve. Këto institute, dhe jo Akademia e vitit 2007, duhen forcuar. Sot, kërkimi shkencor po përqendrohet gjithnjë e më shumë në institutet e specializuara. Gjermania, që shpiku e para sistemin “humboldian” të integrimit të kërkimit shkencor në Universitete, prej disa dhjetëvjeçarësh tashmë i është kthyer instituteve ku bëhet ekskluzivisht kërkim shkencor. E kam fjalën për rrjetin Max-Plank-Institut, i cili numëron plot 100 institute elitarë të të gjitha fushave të dijes, që financohen me para publike. Një sërë vendesh, duke filluar nga Austria, nëna e shkencave albanologjike, vazhdojnë të funksionojnë me institute shkencore brenda kuadrit të Akademisë së Shkencave.
– Duke parë gjendjen aktuale të Akademisë sonë të shkencave, Profesor Artan Fuga e cilëson një akademi në agoni dhe sjell referenca të akademive franceze, italiane dhe angleze për të dalë nga kjo situatë. Si i vlerësoni qëndrimet e tij?
– Në dijeninë time, Prof. Fuga bën pjesë ndër personat që u angazhua në ideimin e realizimin e reformës së vitit 2007, dhe unë do të prisja sidomos prej tij atë “mea culpa” për të cilën fola në fillim. Megjithatë, bashkohem me vlerësimin e tij dhe me këtë rast do doja të sillja edhe disa argumenta mbështetëse. Akademia është në agoni sepse të tillë e konceptuan “baballarët” e reformave shallvaregjëra. Fuga ka të drejtë kur thotë që ligji i jep Akademisë atribute e kompetenca sikur të ishte një Akademi me institute varësie. Ndërkohë, Akademikët janë një shumë studiuesish të fushave nga më të ndryshmet, të cilët nuk kanë kë të drejtojnë, çfarë të drejtojnë e me çfarë të drejtojnë. Shumë persona mund të kryejnë kërkime individuale në fushat përkatëse. Pra, Akademia nuk ka një rol institucional. Këtu përgjegjësia është kryesisht e tjetërkujt, është e politikës që e ka dashur të tillë. Them “kryesisht”, sepse nuk e përjashtoj tërësisht përgjegjësinë e Akademikëve të cilët, me ndonjë përjashtim si z. Fuga, e kanë pranuar në heshtje një status të tillë pa dinjitet. Guxoj ta them këtë, sepse jam i bindur se edhe në ato kushte në të cilat vepron Akademia, askush nuk i ka ndaluar Akademikët të shprehen publikisht për çështje themelore të zhvillimit të ekonomisë, kulturës, shkencës. Detyra kryesore që ligji i cakton një Akademiku në Austri, është që ai të kryejë kërkime bazike në njërin nga institutet në varësi të Akademisë, si dhe t’i komunikojë publikut të gjerë çdo shqetësim që lidhet me situatën dhe zhvillimin perspektiv të vendit e të botës. E pra, kjo Shqipëria jonë ka probleme të pafundme, mjafton të kujtojmë problemet që lidhen me mjedisin, me tokën, me ujërat, me degradimin social e kulturor. Pyes unë: a kemi dëgjuar të shprehen për probleme të tilla Akademikët tanë?
– Vazhdojmë në këtë linjë. Një tjetër akademik, profesor Alfred Uçi, e cilëson akademinë një çiflig, por nuk ngurron ta përcaktojë atë si të ndikuar nga ideologjizmat. Po ju, a ndani të njëjtin qëndrim me të?
– Siç e thashë, Akademia përmban në vetvete “mëkatin fillestar”, u konceptua dhe u ngrit si një “rrip transmisioni” i politikës, si një konklavë e mbyllur, ku është e vështirë të hysh pa patur disa atribute, që gjithsesi janë jashtëshkencore. Me këtë nuk dua të them se në Akademinë e viteve 1980 hyhej gjithnjë me meritë. Por ajo çka në diktaturë konsiderohet një gabim, në demokraci është një faj. Dhe meqë kemi përpara një reformë të Akademisë, do desha të them se unë nuk e shoh aspak të ardhmen e Akademisë, siç e shohin për fat të keq disa Akademikë, si një kalim mekanik të Instituteve të gatshme të Qendrës së Studimeve Albanologjike nën kupolën sovrane të Akademisë së Shkencave. QSA ka njëmijë probleme, por megjithatë nuk e meriton të ketë mbi kokë një Akademi të tillë. Ne, studiuesit e instituteve të Qendrës së Studimeve Albanologjike nuk jemi aty për të mbushur axhendën bosh të Akademisë së Shkencave, për t’i dhënë një kuptim ekzistencës së saj. Nëse do të ketë një reformë të kërkimit shkencor, unë mendoj se kjo duhet të fillojë nga kjo Akademi, që është produkt i reformës së dështuar berishiane dhe pjesërisht është përgjegjëse për këtë gjendje. Dita/ Javanews/ a.k