• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, September 16, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Perversë fondamentalistë

by Java News
10/01/2025 08:39
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Slavoj Žižek, Project Syndicate

Ashtu si ekstremistët islamikë, presidenti rus Vladimir Putin e ka mbështjellë veten me mantelin e ortodoksisë fetare për t’u paraqitur si një përfaqësues autentik i vlerave tradicionale. Megjithatë, mjafton të shqyrtojmë jetën e fondamentalistëve spiritual të sineqertë për ta parë këtë hile ashtu siç është në të vërtetë.

Interpretimi standart i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës  e sheh atë si një “përplasje kulturash”, e cila vendos liberalizmin perëndimor kundër autoritarizmit tradicional rus. Por kjo është thellësisht çorientuese. Përtej të qenit tradicionalist, Vladimir Putin është thjesht i fundit i një serie modernizuesish që nisin nga Ivani i Tmerrshëm dhe Pjetri i Madh, deri tek Katerina e Madhe dhe Stalini.

Kur Stalinit i kërkuan të përkufizonte Bolshevizmin në fund të viteve 1920-të, ai e përshkroi atë si një kombinim të përkushtimit rus dhe pragmatizmit amerikan. Pasi erdhi në pushtet, ai u përpoq të imitonte në Bashkimin Sovjetik arritjet e industrialistit amerikan Henry Ford, duke fshirë në mënyrë brutale çdo gjurmë të traditave ruse, në mënyrë më të spikatur gjatë kolektivizimit të dhunshëm në bujqësi.

Por, Stalini ishte gjithashtu një admirues i flaktë Pjetrit të Madh, i cili ndërtoi në Detin Balltik një kryeqytet të ri për Rusinë (Shën Peterburgun), për të vendosur një lidhje direkte me Europën Perëndimore. Megjithatë, reformuesit e Pjetrit të Madh u përballën me rezistencën e të ashtuquajturve “Besimtarë të Vjetër”, të krishterë ortodoksë liturgjia dhe ritualet e të cilëve paraprinin reformat e ndërmarra nga Patriarku Nikon i Moskës në vitet 1652-1666. Shumë “Besimtarë të Vjetër” në fund zgjodhën vdekjen për të mos pranuar të kompromentonin besimin e tyre. Mes shekujve të shtatëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë, mijëra prej tyre vdiqën duke u vetëflijuar.

Gjërat ndryshuan me të vërtetë në Rusi vetëm pas Revolucionit të Tetorit; madje, qeveria e parë sovjetike përmbante një sërë figurash të rëndësishme që vinin nga radhët e “Besimtarëve të Vjetër.” Bolshevikët me të drejtë i panë ata si përfaqësues të një proteste të gjatë shoqërore kundër regjimit carist. “Besimtarët e Vjetër” kishin qenë gjithmonë dyshues ndaj bashkimit të kishës me shtetin (që në fakt nënkuptonte nënshtrimin e kishës ndaj shtetit), ndërsa këmbëngulnin se komunitetet fetare duhet të mbeteshin organizime të pavarura të njerëzve të thjeshtë.

Natyrisht, persektuimi shtetëror i besimtarëve u intensifikua me ardhjen në pushtet të Stalinit, ndërsa nënshtrimi i kishës ortodokse ndaj shtetit vijon edhe sot. Putin ka arritur të mobilizojë kishën për synimet e tij politike.

Sipas patriarkut Kirill të Moskës, rusët nuk kanë arsye t’i tremben luftës nukleare sepse si të krishterë ata duhet ta mirëpresin fundin e botës. “Ne presim Zotin Jezu Krisht, i cili do të vijë me gjithë lavdinë e tij të shkatërrojë të keqen dhe të gjykojë kombet,” deklaroi ai në fund të vitit të shkuar. Kështu, ajo çfarë mund të duket si lëvizje reaksionare – një kthim tek ortodoksia e vjetër – në fakt mund të jetë një shprehje perverse e kundërshtimit të dominimit dhe shfrytëzimit që shfaqet nën maskën e “modernizimit” në botën tonë kalimtare.

Një tjetër shembull mjaft i ndryshëm por ilustrues i rezistencës së këtij lloji është “Canudos,” një komuntet i jashtëligjshëm në thellësi të hinterlandit brazilian të Bahias, i cili u kthye në një strehë për prostitutat, lypsarët, banditët, të dëbuarit dhe të varfërit nën udhëheqjen e profetit apokaliptik Antonio Conselheiro.

Sipas Eduoardo Matarazzo Suplicy, nga Partia e Punëtorëve të Brazilit: “Ky komunitet zhvilloi një ‘koncept kolektiv dhe solidar në lidhje me punën’… Një lloj pushteti komunitar socio-mistik, fetar dhe asistues, i frymëzuar nga koncepti i ‘vëllazërisë egalitare të komunizmit primitiv kristian,’ ku nuk ekzistonte uria. ‘Ata punonin të gjithë bashkarisht. Askush nuk posedonte asgjë. Të gjithë punonin tokën, korrnin dhe shpërndanin. Askush nuk merrte më shumë ose më pak se të tjerët.’ Conselheiro kishte lexuar Thomas More-in dhe projekti i tij ishte i ngjashëm me ato të socialistëve utopikë të Charles Fourier dhe Robert Ouen. “Canudos” u rrafshua nga ushtria braziliane, ndërsa Conselheiro-s iu pre koka në vitin 1897 (edhe pse kishte vdekur për shkak të një sëmundjeje).

Por, ky komunitet të distancuarish nga paraja, prona, taksat dhe martesa nuk u shpërbë për shkak të tensioneve të brendshme. Në fakt, u shkatërrua nga forcat e armatosura të qeverisë “progresiste” dhe laike të Brazilit. “Canudos” ishte vendi ku viktimat e progresit historik kishin arritur të ndërtonin një hapësirë të tyren. Utopia ekzistoi për një periudhë të shkurtër, por ajo ishte e papranueshme për reformuesit. Përndryshe, si mund të shpjegohet masakrimi i të gjithë banorëve të “Canudos,” përfshi gratë dhe fëmijët? Thënë ndryshe, ishte vetë kujtimi i lirisë që duhej të fshihej.

Kundërargumenti kryesor në mbrojtje të “Canudos” është se projekte fetare fondamentaliste si Shteti Islamik nuk ndryshojnë prej tij. Por, ekziston një vijë e qartë ndarëse mes të dyjave. Ndërsa në “Canudos” Tjetri pritej krahëhapur, në Shtetin Islamik – sikurse në çdo projekt fetar fondamentalist – diçka e tillë është e pamundur.

Nëse “fondamentalistët” e  sotëm besojnë vërtet se e kanë gjetur rrugën drejt së Vërtetës, atëherë përse ndihen kaq të kërcënuar nga jobsesimtarët? Tek e fundit, kur një Budist përballet me hedonistët perëndimorë, ai nuk mërzitet dhe as ndien detyrimin t’i dënojë ata, por thjesht qesh me përpjekjen e tyre vetëshkatërruese për të gjetur lumturinë.

Pseudo-fondamentalistët janë kaq të fiksuar me jetët mëkatare të jobesimtarëve, pikërisht sepse mëkatet reflektojnë tundimet e tyre. Ndryshe nga besimtarët e vërtetë, ata ndiejnë zili dhe jo mëshirë ndaj atyre që nuk ngurrojnë t’i kënaqin orekset e veta.

Ndërsa murgjit budistë në Tibet e konsiderojnë këtë të fundit si “qendrën e botës, zemrën e qytetërimit”  qytetërimi europian mbetet vendosmërisht pa qendër. Dëshira jonë e madhe është që të rigjejmë një shtyllë Mençurie themelore, një agalma të fshehtë, ose një thesar shpirtëror të humbur shumë kohë më parë. Kolonizimi nuk synoi kurrë vetëm imponimin e vlerave Perëndimore tek të tjerët; ai ishte gjithashtu një përpjekje për të gjetur një pastërti shpirtërore të humbur. Kjo është një histori po aq e vjetër sa edhe vetë qytetërimi Perëndimor: Për grekët e lashtë, depoja mitike e men]urisë antike ishte Egjipti.

Në shoqëritë tona, dallimi mes fondamentalistëve të vërtetë dhe atyre të zvetënuar është se të parët (sikurse Amishët në Amerikë) nuk kanë kurrfarë problemi me fqinjët, pasi iu interesonvetëm bota e tyre dhe jo çfarë bëjnë të tjerët. Nga ana tjetër, fondamentalistët e përçudnuar i përndjek dualizmi, pasi motivohen njëkohësisht nga tmerri dhe zilia që ndiejnë për mëkatarët – Një përzierje e pazakontë që i shtyn drejt akteve të dhunës, qofshin ato bombardime terroriste apo pushtime brutale.

Ndaj, regjimi i Putinit nuk ka asgjë të përbashkët me ndonjë spiritualitet rus që kundërshton modernizimin eruopian. “Euraiza”e fantazuar prej tij është thjesht një term për te legjitimuar projektin e tij të zvetënuar për modernizim. Kjo është arsyeja përse nuk duhet ta injorojmë Rusinë si një vend thellësisht konservativ dhe tradicionalist, të cilin moderniteti e ka humbur përgjithnjë. Tek e fundit, spirtualiteti rus i mishëruar nga “Besimtarët e Vjetër” e kundërshton pushtetin autoritar të shtetit. Pikërisht kjo duhet rizgjuar për të mposhtur perversët që sot sundojnë në Kremlin.

Next Post
Zjarret në Los Anxhelos, 10 të vdekur dhe mijëra shtëpi të shkatërruara

Zjarret në Los Anxhelos, 10 të vdekur dhe mijëra shtëpi të shkatërruara

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Ish-krerët e UÇK-së lihen në burg, reagon Rama: Marre!

Ish-krerët e UÇK-së lihen në burg, reagon Rama: Marre!

September 16, 2026
Gjyqi në Hagë, dënohen me 25 vite burgim Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, 18 vite për Kadri Veselin dhe 13 për Rexhep Selimin! Kishin dijeni për krimet

Gjyqi në Hagë, dënohen me 25 vite burgim Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, 18 vite për Kadri Veselin dhe 13 për Rexhep Selimin! Kishin dijeni për krimet

September 16, 2026
Marrëdhëniet BE-Kinë, Von der Leyen: bashkëpunimi tregtar është i paqëndrueshëm, deficiti arrin 1 miliard euro në ditë!

Marrëdhëniet BE-Kinë, Von der Leyen: bashkëpunimi tregtar është i paqëndrueshëm, deficiti arrin 1 miliard euro në ditë!

September 16, 2026
Dronët rusë i afrohen avionit të Zelenskyt në Moldavi, presidenti ukrainas: Mendoj se e dinin që isha atje…!

Dronët rusë i afrohen avionit të Zelenskyt në Moldavi, presidenti ukrainas: Mendoj se e dinin që isha atje…!

September 16, 2026
Gjykata e Hagës: Anëtarë të UÇK-së kryen veprime dhe mosveprime që rezultuan në vdekjen e të paktën 96 personave!

Gjykata e Hagës: Anëtarë të UÇK-së kryen veprime dhe mosveprime që rezultuan në vdekjen e të paktën 96 personave!

September 16, 2026
Shpërthen Ylli Manjani: Prokurorë, shkoni me lule te varri i Enverit. Ai nuk lejonte avokatët!

Morali fallso…

September 16, 2026
LIVE/ Pas gati 6 vitesh paraburgimi, po mbahet në Gjykatën Speciale të Hagës seanca për vendimin ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së! Kosova pret lirimin

LIVE/ Pas gati 6 vitesh paraburgimi, po mbahet në Gjykatën Speciale të Hagës seanca për vendimin ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së! Kosova pret lirimin

September 16, 2026
Rama në Korçë për Reformën Territoriale, të moshuarit kërkojnë të takohen kryeministrin dhe t’i qajnë hallet: Marrim vetëm 10 mijë lekë pension!

Rama në Korçë për Reformën Territoriale, të moshuarit kërkojnë të takohen kryeministrin dhe t’i qajnë hallet: Marrim vetëm 10 mijë lekë pension!

September 16, 2026
Nuk do luajë më me Shqipërinë, sulmuesi i talentuar grumbullohet nga Jurgen Klopp për Gjermaninë!

Nuk do luajë më me Shqipërinë, sulmuesi i talentuar grumbullohet nga Jurgen Klopp për Gjermaninë!

September 16, 2026
Gjyqtari i Hagës: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i së paku 385 personave! Të ndaluarit u rrahën dhe iu shkaktuan vuajtje psikologjike

Gjyqtari i Hagës: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i së paku 385 personave! Të ndaluarit u rrahën dhe iu shkaktuan vuajtje psikologjike

September 16, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com