Nga Ylli Pata
Nëse ka njeri që e njeh më mirë se askush diagnozën e rrudhjes së mbështetësve politikë në protestat që ka thirrur, ky është Sali Berisha.
Por momentalisht doktori nuk ka kohë dhe mundësi që të merret me rekuperimin apo zgjerimin politik, pasi është i angazhuar e do të jetë gjithnjë e më shumë me historinë e tij gjyqësore. Drejtësia është jo thjesht stresuese e strapacuese, por edhe rraskapitëse e masakruese me ritmin e saj të mërzitshëm, procedurat e kohët e saj, të cilat nuk varen nga asnjë process nga jashtë.
Rasti Beleri, i cili pati një presion e sulm masiv nga ana e një fuqie të rëndësishme siç është Athina zyrtare, ishte prova e asaj që drejtësia shqiptare e re, nuk mund të tundet siç ka ndodhur në të shkuarën.
Gjithashtu edhe këtë e di më mirë se askush Sali Berisha, i cili, në momentin kur SPAK e shpalli person nën hetim deklaroi: “u mbyll ajo që nisi më 9 shtator”. Duke e adresuar të gjithë silurin e inatit të tij ndaj amerikanëve, të cilët pasi e shpallën Non Grata i thanë PD-së se nëse nuk largojnë Berishën, do të hanë bar, duke përdorur një eufemizëm që Enver Hoxha e përdori po kundër amerikanëve.
Megjithatë Sali Berisha, i ka të gjitha mundësitë për të bërë një betejë gjyqësore sa më të favorshme ndaj tij, siç po e bën. Ku ekipi i avokatëve të tij do të mundohen të luajnë me procedurat e kohët e drejtësisë, për të nxjerrë sa më shumë dhjamë nga pleshti. Por në fund, këto janë pesë pa hiç, sepse askush nuk mund ta shmangë procesin gjyqësor. Ku Sali Berisha dhe dhëndri i tij, e gjasat janë edhe të tjerë, të përballen në një maratonë edhe më torturuese gjyqësore.
Megjithatë, fakt është se jo vetëm tani, por edhe në rast se dënohet nga gjykata me formë të prerë, Sali Berisha do të ketë ifluencën e fansat e vet. Mbështetësit e simpatizuesit e tij të zjartrrtë. Po si ka mundësi që ky numër jo i vogël njerëzish nuk përkthehen në armatë të gatshme për protestat. Siç i kishte dikur kur thonte që vetëm me demokratët e Bushatit e Mamurrësit e marr qeverinë për dy orë?
Ky fenomen ka një shpjegim krejt të thjeshtë. Në të gjithë botën, protestat nuk bëhen vetëvetiu. Pavarësisht se ka teoricienë që dalin në panele e thonë se duhet të dalë populli e njerëzit e prekur, ka një realitet të qartë.
Protestat, demonstratat, manifestimet, organizimet, i bëjnë vetëm partitë politike me një organizim perfekt, apo organizata të fuqishme siç janë sindikata apo grupime fetare tëe përhapura në territor. Benitto Musolini ishte një pakicë e papërfillshme në Partinë Socialiste Italiane, kur u largua dhe themeloi Partinë Fashiste. As nuk mendohej që të fitonte zgjedhjet, por me një legjion të disiplinuar këmishtëzinjsh që nuk i kalonte 15 mijët, marshoi në Romë, duke trembur mbretin që i dha drejtimin e qeverisë. Të njëjtën gjë bëri edhe Adolf Hitleri në Gjermani, i cili ishte pakicë në vend, por kishte terrorizuar njerëzit me skalionet e tij të frikshme të këmishave kaki që ishin një ushtri superdisiplinuar.
Përveç partive fashiste, specialiste për mitingje masive apo demonstrate të forta ishin partitë komuniste europiane, apo edhe sindikatat e fuqishme. Partia Komuniste Italiane në 50 vitet e Luftës së Ftohtë kishte një pushtet të fortë në shoqëri si pasojë e organizimit të saj spartan. Edhe pse gjithmonë në zgjedhje ishte pakicë.
Ndërkaq, Partia Demokratike, ndër vite ka qenë një organizëm i superstërvitur dhe i specializuar për protesta, kryengritje, përplasje, e manifestime.
Madje Sali Berisha, arriti që as 4 muaj nga themelimi, të ngrinte një seri grevash në vend, edhe pse puna dhe prodhimi kishin vite që kishin ndaluar. Ishin sindikatat e krijuara në rrjetin e Bashkimeve Profesionale të dikurshme që organizuan grevën e minatorëve të Valiasit që rrëzuan qeverinë e parë të Fatos Nanos.
Ndërkaq, PD kishte skalione të rëndësishme që ishin kthyer në mjeshtra të protestave. Kryesisht skalionet e Kamzës, Laçit, e natyrisht në disa zona të Shkodrës. Kryesisht qyteti por edhe Bushati. Në vitin 1997-98, këto skalione arritën të organizohen edhe me armë, me prita në rrugë, apo me marrjen peng e Prefektit të Shkodrës Gëzim Podgorica. Lirimi i tij ndodhi pas negociatave që qeveria socialiste e kohës kreu me deputetët e PD-së së Shkodrës, Jozefina Topalli e Ferit Hoti.
Por të gjithë këto skalione, grupe interesi, apo komunitete njerëzish nuk se janë zhdukur apo siç propagandohen kanë ikur të gjithë nga vendi. Në shumicë janë aty, por nuk kanë dalë për doktorin, pasi së pari nuk duket se kanë dëshirë, nuk kanë motivim, e gjithashtu janë të inatosur keqas me të. Ngase në këto dy vite Sali Berisha me foltoren e tij tentoi të bëjë tabula rasa në gjithë strukturën e PD-së në të gjithë vendin, duke tentuar që të vendoste njerëz edhe më të besuar në qelizat politike partiake.
Ishte ky agresion, që në pjesën më të madhe është i panjohur për opinionin public, që jo vetëm shkatërroi besimin e demokratëve ndaj doktorit, por edhe i irrtoi ndaj tij dhe establishmentit të foltores.
Në Shkodër, njeriu i Berishës që fitoi bashkinë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022, ndërmori një operacion fshesa ndaj të gjithë atyre drejtuesve të strukturave të bazës që nuk ju përgjigjen foltores, por edhe ata që qëndruan indiferentë. Aty nisi lufta përfundimtare që tani thjesht po korr frytet.
Azgan Haklaj, një nga emrat që kritikojnë më fort Sali Berishën në televizione, vite më parë ka qenë deputet i PD-së që ka organizuar protestat më të forta ndaj qeverisë së Ilir Metës. Madje edhe është burgosur për këtë punë. Si Haklaj ka shumë, por kryesisht në zonat më bastione të së djathtës në veri.
E gjithë kjo “ushtri” që dikur mbushte sheshet për doktorin, sot i ka kthyer shpinën, e sipas gjasave është kthyer në një grup i rëndësishëm interesi për të rritur aksionet e tyre në opozitën e së ardhshmes. Për tu kthyer në një makinë elektorale apo mekanizëm protestash do vite e vite “kolaudimi” e experience. Çdo parti e re që mund të lindë, nuk mundet të hyjë në territor pa njerëzit që dijnë ta bëjnë më mirë ngase njohin çdo votues më mirë se xhepat e tyre.
Vetëvendosja e Albin Kurtit në Kosovë, edhe pse kishte një efektiv të madh aktivistësh fanatikë e të stërvitur në guerilje për vite e vite, për të krehur territorin e Kosovës ju desh të bënte “dirty aleance” me grupin e klerikëve më fanatikë në vend që janë të shtrirë në territory si pasojë e rrjetit të bamrësive me para të dyshimta, por edhe me aleancën me fraksionin e LDK-së.
Dy vjet më parë, që me 8 janarin famëkeq, Sali Berisha i vuri zjarrin PD-së në çdo qelizë të saj për të mbajtur ndezur një luftë me amerikanët.
Pavarësisht se ne do të vijojmë të kemi një zaptim të hapësirës publike nga çështjet gjyqësore të Sali Berishës, si pasojë e influencës së tij mediatike, politikisht dhe organizativisht kjo nuk do të sjellë asnjë njeri më shumë.