Nga Roland Lami
Protesta 108-ditore e Adriatik Lapajt është një ilustrim i një fenomeni të njohur në shkencën politike kur një akt politik synon më shumë te simbolika sesa te efekti real. Qëndresa përpara Kryeministrisë ishte, pa dyshim, një akt i fortë individual por politika nuk është sport durimi. Nuk fiton ai që rri më gjatë, por ai që bind më shumë.
Në thelb, protestat funksionojnë si katalizatorë ato mbledhin pakënaqësinë e grupeve sociale e strukturojnë dhe e kthejnë në presion publik. Por kjo ndodh vetëm kur ekziston një lidhje reale mes organizatorëve dhe publikut. Në rastin konkret, dallojej qartë se kishte një hendek të madh jo mes mesazhit dhe qytetarëve por kretibilitetit të organizatorëve dhe publikut. Nuk mjafton të jesh kundër diçkaje, nuk mjafton të kesh të drejtë në atë që thua duhet të jesh edhe i besueshëm se çfarë ofron në vend të saj. Pa këtë, protesta mbetet një monolog i gjatë në një shesh bosh.
Nëse e analizojmë komponentin besueshmëri në kontekstin politik të vitit 2025 e në vazhdim, tabloja e abandonimit bëhet edhe më e qartë.
Debati për listat e hapura dhe të mbyllura te partitë e vogla u shndërrua në një diskutim teknik, pothuaj burokratik, pa asnjë frymë mobilizuese. Për më tepër, cilësia e kandidatëve dhe mungesa e meritokracisë e dobësuan edhe më shumë pretendimin për “politikë ndryshe” krahasuar me partitë kryesore. Në vend të një alternative të re, publiku pa një version më konfuz të së vjetrës.
Sherri banal për mandat mes aleatëve “Thurrja” dhe “Shqipëria Bëhet”, në hapësirën publike shpesh amatoreske e përforcoi idenë që këta janë të rinjë në moshë por të vjetër ne vese. Pazaret me PD për ashtëquajtur kandidat të pavarur në zgjedhjet e pjesshme vendore i vuri kapak idealit se më së fundmi kemi altetnativ zgjedhjeje. E fundit, personalizimi ekstrem i fushatës elektorale duke e indentifikuar një lëvizje plotësisht me një individ, duke e kufizuar shumë potencialin për zgjerim, sepse njerëzit nuk bashkohen me një njeri, por me një ide që i përfaqëson i vuri vulën.
Në këtë kuptim, protesta e Lapajt nuk ishte thjesht një dështim i izoluar, por një pasqyrë e problemeve më të thella të lëvizjeve të reja politike në Shqipëri. Ato shpesh nisen me retorikë të fortë kundër sistemit, por përfundojnë duke riprodhuar të njëjtat sjellje që kritikojnë partitl e vjetra si pazare të vogla, mungesë vizioni dhe fokus te momenti, jo te strategjia.
Në fund, problemi nuk është se “humbi” Lapaj apo një tjetër lëvizje e ngjashme, këto janë të zëvendësueshme në një sistem politik që riciklon figura dhe tentativa. Ajo që realisht humbet është diçka më e rëndë, besimi se ekziston një alternativë reale përtej PS dhe PD. Çdo përpjekje e re që përfundon duke imituar të vjetrën, qytetari nuk zhgënjehet thjesht nga një individ, ai dorëzohet nga ideja se zgjedhja ka kuptim. Kjo është kriza e vërtetë që kemi aktualisht jo mungesa e aktorëve, por mungesën e shpresës se në zgjedhjet e ardhshme mund të zgjedhim përtej PS dhe PD. Një lajm i hidhur, sepse pa këtë shpresë, zgjedhjet mbeten vetëm një ritual, një rotacion në formë PS = PD dhe anasjelltas jo një mundësi reale për ndryshim. Siç ka ndodhur në 35 vite.











