Qoftë dhe për gjysmë qiraje!
Komuniteti rom i Elbasanit nuk përfitoi pak vite më parë nga banesat sociale. Duke mos pasur as të ardhurat minimale, i paarsimuar shtuar me dhjetëra pengesa të tjera iu ngritën para komunitetit të persekutuar më së shumti në demokraci. Tashmë janë duke u organizuar vetë ndërsa “Lëvizja rinore Rome-Egjiptiane”, një shoqatë e krijuar nga ata vetë po i asiston për dokumentet, në mënyrë që të përfitojnë subvencionin e qirasë të Ministrisë së Zhvillimit, një fakt që deri më sot e ka neglizhuar kushdo përfshirë dhe bashkinë, që pothuaj nuk dinte asgjë!
Nga Ben Andoni
Edhe pse kinematografia dhe artet e tjera i kanë shfrytëzuar pa fund temat e romëve, ata sërish mbeten tërheqës. Që do të thotë se për ta mund të sajosh edhe hallin më të madh, pasi është i vërtetë, e mund të shkruash dhe në fund si të gjithë të tjerët, para teje, e të mos bësh asgjë!
Sonila, Mimoza, Arjana janë gra rome të moshave të ndryshme që mezi e përballojnë jetën, por edhe që i duhet ndryshe nga anëtare të tjera të komunitetit të tyre t’i marrin vetë parasysh sfidat e jetës. Dhe, mënyra sesi e përballojnë jetën do të habiste dhe familjen më të zakonshme, që s’është e privuar si ato.
Ajo që kërkojnë tani këto gra dhe plot 39 familje rome elbasanase, falë një shoqate të ngritur prej tyre që po i asiston me shumë mençuri, është një subvencion për qiratë e tyre, që do të thotë të përfitojnë nga vetë fondet e shtetit shqiptar, që shpesh nuk shkojnë për ta. Deri më tani, të gjithë ata kanë humbur mundësinë e Banesave Sociale për shkak të mos plotësimit të kriterit të ardhurave ekonomike mujore. Ca më keq, sot, Elbasani s’ka më banesa sociale.
Të gjendur para këtij fakti, ata u konsultuam me njohës të mirë të Ligjit ‘Për strehimin social’, falë disa aktivistëve të “Lëvizjes Rinore Egjiptianë-Rome”, që shtëpi më shtëpi po u shpjegojnë banorëve që kanë një të ardhur modeste se mund të aplikojnë fillimisht në bashki dhe ngadalë të plotësojnë me ndihmën e tyre të gjithë dokumentacionin e duhur. Të dish subvencionin do të ngrihen flokët përpjetë! Flitet për gati 5.000Lek, por edhe kaq mjaftojnë për romët të bëjnë mrekullira, falë talenteve të tyre të jashtëzakonshme për të sajuar e përshtatur e mbi të gjitha mbijetuar.
Fabula jonë i dedikohet direkt kësaj çështje dhe shkon për subvencionin e qirasë së strehimit dhe subjekti ynë janë banorët romë dhe egjiptianë të Elbasanit, të cilët një ditë vjeshte i takojmë falë kontakteve tona. Gentian Sejrani, aktivist i njohur i “Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome”, ka gjetur një formë të jashtëzakonshme për të ndihur komunitetin e vet. Duke shfrytëzuar vetë angazhimin e shtetit shqiptar, pikërisht Ministrisë së Ministria e Zhvillimit Urban, juristi i ri rom është konsultuar me njohës të mirë të Ligjit ‘Për strehimin social’, ku iu bë e ditur se në këtë ligj ekziston dhe një mundësi subvencionimi të qirasë së banesës për këto familje, që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar banesë sociale. “Të gjendur para këtij fakti, ne filluam të kemi kontakte me familjarë që vuanin këtë problem për ti informuar mbi këtë mundësi, por nga ana tjetër me anë të një shkrese ne kërkuam informacion nga Ministria e Zhvillimit Urban (MZHUT) mbi fondin që ishte në dispozicion për këtë gjë. Më pas, ne kontaktuam me përfaqësues të bashkisë ku i bëmë me dije mundësinë që u jepte ligji këtyre familjeve…”.Paradoksi është se edhe bashkia nuk është në dijeni dhe i kërkon ndihmë aktivistëve të sqarojnë.
…
Mimozës, 37 vjeçare i ka vdekur i shoqi ndërsa tani po bën një akrobaci të jashtëzakonshme. Do të gjejë një kredi, duke lënë si garanci shtëpinë e të ëmës, dhe me punën si sanitare të marrë një shtëpi për veten dhe tre fëmijët. Por deri më atëherë, i duhet një mundësi që me këtë ligj, t’i sponsorizohet qiraja dhe kjo s’është pak për sfidën e jetës. E ka ditur për banesën sociale dhe ka aplikuar por kushtet e vështira dhe pamundësia financiare e ka skualifikuar, ashtu si shumë e shumë të tjerë, që nga pas kanë marrë edhe përbuzjen bashkë me shmangien e tyre.
Sonila lyp. Deri pak kohë më parë në Tiranë dhe tashmë është rikthyer në Elbasan. Ka një koleksion sëmundjesh, mes tyre edhe hepatitin B, që kur na i thotë të rrëngjeth, por që kuptohet në disa raste duhet t’i fusësh një koeficient zbritës, për të kuptuar më qartë realitetin e tyre… Por edhe me këtë zbritje sërish është e frikshme. Anipse shtëpia e pastër dhe tepër diskrete e bën njeriun të mendojë se punët nuk janë aq pa shpresë.
Ashtu si ajo, Elbasani ka një komunitet të tërë, vendosur kryesisht në lagjet periferike, që kanë jetuar diku te stacioni i trenit, buzë urës së përroit të Manasderës dhe kudo ku kanë mundur. Është e tepërt të themi se pjesa tjetër e popullsisë, që kryesisht me ta përballet falë përfaqësimit të organizatave të pafundme, i ka braktisur dhe vazhdimisht mashtruar sepse mjafton të shikosh gjendjen e tyre dhe bindesh. Gjithsesi, me mundësitë e tyre vazhdimisht u janë drejtuar përfaqësuesve të qeverisë dhe deputetëve të të dy palëve, kryesisht për strehimin dhe lehtësirat e tjera si komunitet, pasi masivisht janë në fashën e popullsisë shqiptare në nevoja ekstreme, por pa rezultat. I janë drejtuar presidentit, vazhdimisht Avokatit të Popullit, por ata realisht mbeten të diskriminuar prej gjendjes së vështirë ekonomike, mungesës së arsimit, apo edhe pamundësisë të investonin në barrakat, që kriteret ndërtimor që u vunë për legalizimin i kufizonin. Sipas ligjit “legalizohen vetëm ndërtimet me konstruksion hekuri apo betoni”….
Një e vërtetë e hidhur
Romët nuk shkojnë më në shoqata dhe kanë filluar t’u ruhen manovrimeve, pasi me ligjet e shtetit shqiptar ata nuk kanë besim se do të përfitojnë ndonjëherë. Arsyeja është e thjeshtë: me paratë që mund të fitojnë dhe me informalitetin e tyre, ata janë jashtë të gjithë skemave. Bukuroshe Sejdini një invalide e vjetër, që e shikoj edhe të djegur në fytyrë, e që e merr kempin prej vitesh është braktisur nga i shoqi, jeton e vetme. Nuk ka lënë derë të bashkisë pa shkuar, por përgjigja ka qenë gjithnjë, sipas saj e njëjtë: “Po kjo çfarë do këtu”. Në fakt, gruaja ka plotësuar gjithçka, që i kanë kërkuar por kur u ndanë shtëpitë për të s’kishte asnjë gjë. E mbetur vetëm, s’ka pasur kurrë mundësi se ku të drejtohej për ankimim. Dyert i hapeshin për ta përballur sërish me dyer. Tashmë pleqëron me të ëmën në shtëpi dhe rri e dëgjon të motrën e vogël që më tregon pak orenditë e shtëpisë që ka dhe sesi i zoti i shtëpisë ua ka lënë dhe rrobat e veta, thjesht duke ua përdorur shtëpinë dhe si magazinë. “Prandaj na duhet që fillimisht t’i bindim si të regjistrohen si të pastrehë dhe pastaj të fillojmë të gjithë procedurën”, më thotë një aktivist i ri rom që më ndihmon në takime. E motra Sonila, 39 vjeçe merr dhe 5.400 lek, ngaqë i ka vdekur i shoqi, por bashkë janë të pamjaftueshme për të jetuar.
Romët kanë një spontanitet të jashtëzakonshëm. Arjana qep pak. I shoqi punon. Ka një shtëpi të pastër, që e ka marrë me qira dhe është e mbuluar. 29 vjeçarja bën disa qepje të thjeshta dhe beson shumë në Allah, por edhe ndihma edhe njerëzit e komunitetit mysliman s’është e mjaftë. Ka një buzëqeshje që s’i ndahet. E ka ndihur e ëma edhe të por kjo s’është asfare e mjaftë.
Romët e Elbasanit, që janë në kushtet e Mimozës, Sonilës dhe Arjanës kanë një mundësi që mund të aplikojnë, për një fond që ekziston për ta, por padija dhe arsimi i pakët i ka bërë që shumë prej tyre të mos jenë as të manifestuar në listat e të pastrehëve në bashki. Askush nuk merret me gjërat jetike të tyre. Kur mendon se edhe vetë bashkia është e panjohur llogariti gjërat e tjera. Arjana paguan për një dhomë dhe kuzhinë të vogël 10.000 Lek në një shtëpi që është e ndarë dhe me të tjerë jetesën, tepër të përkorë. Në përgjithësi është e pagojë dhe nuk di të ankohet, si shumë të tjerë. Mimoza po ashtu. Bukuroshja që dikur ka qenë rrobaqepëse dhe që merr 7.000 lek më thotë se me këto para nuk përballon dot më as ilaçet.
Të mendosh se askush nuk e di që ekzistojnë, atëherë bindesh sesa e vështirë është për të gjitha. Në këtë moment pashprese, Genti dhe kolegët e tij morën përsipër që të bëjnë një akt të rrallë, jo më duke folur por duke vepruar direkt. Fillimisht, kontaktuan përfaqësues të bashkisë ku iu bë me dije mundësia që u jepte ligji këtyre familjeve. Nga ana e bashkisë u kujtua se mund të trajtoheshin me subvencionim të qerasë këto familje. Po pse nuk e bënë deri më tani?- e pyesim. “Arsyeja pse strukturat e bashkisë nuk e kanë bërë deri më tani mund të jetë mospasja e informacionit nga familjarët për këtë mundësi që ka sjell mos akordim të një zëri nga buxheti i bashkisë për këtë gjë, pra bashkia nuk ka pasur shqetësimin e qytetarëve dhe si pasojë nuk e ka bërë të mundur”, përgjigjet Genti. Sfida e re është që banorët të aplikojnë fillimisht dhe të përfitojnë fondin që Ministria e Zhvillimit Urban (MZHUT) ka vendosur në dispozicion për këtë gjë. Sesa do të bëhet mbetet për t’u parë, por ata gjithsesi e kanë hedhur një hap.
Janë 39 familje pilot që po asistohen nga Lëvizja rinore egjiptiano-rome.. Ato enden me qira sa nga njëra banesë në tjetrën sociale për shkak të mos plotësimit të kriterit të ardhurave ekonomike mujore. Të gjendur para këtij fakti, ata po zgjedhin rrugën ligjore, por gjithnjë falë asistencës së dalë nga komuniteti i tyre.
Romët për Bashkinë e Elbasanit
Në kontaktin e parë që patëm me nënkryetaren na u tha që nuk kemi pasur mjaftueshëm buxhet për këtë, por ne i treguam përgjigjen që na kishte ardhur nga MZHUT-i ku bashkia kishte mundësi që të aplikonte dhe të përfitonte buxhetin për subvencionimin, kjo gjë nuk dihej nga ata, momentin që ne i thamë që bëhet fjalë për buxhetin e MZHUT-it u treguan të gatshëm për të aplikuar. Ndërsa për tek buxheti i tyre është e pamundur, pasi është buxheti i vogël sipas tyre. Por ne kemi raste që për 2014 ata kanë dhënë bonus social për familjet Rome dhe Egjiptiane por dhe të maxhorancës që ju prishën shtëpitë nga hapja e rrugës tek stadiumi, rasti tjetër është i 2 familjeve që ju dogjën kasollet, që ata po i japin një bonus të tillë. Kjo tregon se ka buxhet, por që përdoret për raste ekstreme të strehimit.
Bashkia as nuk e dinte fare problemin tonë!
Intervistë me drejtuesin e Lëvizjes Rinore Egjiptianë-Rome, Gentjan Serjani. Si jeton komuniteti i tyre dhe si po asistohen 39 familje rome të qytetit për të fituar grantin e Ministrisë së Zhvillimit Urban, një fond që Bashkia e qytetit as nuk kishte fare dijeni…
Ju dhe aktivistët tuaj po asistoni duke këshilluar një pjesë të familjeve rome dhe egjiptiane, që kanë një mundësi për të fituar një grant ndihme nga Bashkia për zbutjen e qirave të tyre. Pse nuk e kanë bërë deri më tani strukturat e bashkisë këtë, në opinionin tuaj?
“Është e vërtetë që ne po i asistojmë 39 familje në formulimin e kërkesës drejtuar bashkisë për të përfituar subvencionim të qerasë. Këto familje nuk kanë një strehë të tyren por enden gjatë gjithë këtyre viteve në banesa të ndryshme me qira. Ata janë aplikues si të pastrehë në Bashkinë Elbasan, por nuk mund të përfitojnë banesa sociale për shkak të mos plotësimit të kriterit të ardhurave ekonomike mujore. Të gjendur para këtij fakti, ne u konsultuam me njohës të mirë të Ligjit ‘Për strehimin social’, ku dhe na u bë e ditur se në këtë ligj ekziston dhe një mundësi subvencionimi të qirasë së banesës për këto familje, që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar banesë sociale. Të gjendur para këtij fakti, ne filluam të kemi kontakte me familjarë që vuanin këtë problem për ti informuar mbi këtë mundësi, por nga ana tjetër me anë të një shkrese ne kërkuam informacion nga Ministria e Zhvillimit Urban (MZHUT) mbi fondin që ishte në dispozicion për këtë gjë. Më pas, ne kontaktuam me përfaqësues të bashkisë ku i bëmë me dije mundësinë që u jepte ligji këtyre familjeve. Nga ana e bashkisë gjetëm një bashkëpunim për të trajtuar me subvencionim të qerasë këto familje. Arsyeja pse strukturat e bashkisë nuk e kanë bërë deri më tani mund të jetë mospasja e informacionit nga familjarët për këtë mundësi që ka sjell mos akordim të një zëri nga buxheti i bashkisë për këtë gjë, pra bashkia nuk ka pasur shqetësimin e qytetarëve dhe si pasojë nuk e ka bërë të mundur. Me vënien në lëvizje të njerëzve, ka filluar dhe bashkia të lëvizë dhe bashkëpunoi për të arritur dhënien e subvencionit për vitin 2016 këtyre familjeve”.
Pse familjet rome s’janë marre parasysh per strehim para pak vitësh kur janë ndare apartamentët në banesat sociale?
“Problemi kryesor është kriteri ekonomik, pasi është e pamundur që familje të komunitetit Rom e Egjiptian ta plotësojnë”.
Çfarë po bëni dhe si është situata e komunitetit për përgatitjen e dokumenteve që duhen nga strukturat e bashkisë që të fitojnë kuotën ndihmëse për qiratë?
“Ne jemi duke ndihmuar ato familje, të cilat nuk janë të regjistruar si të pastrehe në plotësimin e dokumenteve dhe më pas regjistrimin si të pastrehë në bashki. Kemi kërkuar takim me kryetarin dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak, i cili është dhe organi që vendos kriteret apo dokumentacionin që duhet të plotësojnë familjet për ta përfituar këtë subvencionim. Më pas, ne do të ndihmojmë familjet në plotësimin e gjithë dokumentacionit që do i duhet, por shpresojmë të arrijmë deri në këtë pikë”.
A duket që edhe Ministria e Zhvillimit Urban si edhe Bashkia kanë qenë të paqarta për të sensibilizuar për grantin? A janë djegur fonde deri me tani?
“Në përgjigjen e ardhur nga MZHUT thuhet se bashkia pas kërkesave që ka nga qytetaret mund të aplikojë, për të përfituar fondin që MZHUT ka për subvencionimin e qerave, për këtë gjë bashkia nuk ka pasur informacion, madje është informuar pasi ne i kemi dërguar përgjigjen përfaqësuesve të bashkisë, pra në ketë aspekt kemi një mungesë të dhënies së informacionit nga Ministria, Bashkive, ndërkohë që nga ana tjetër kemi mungesë akordimi të një fondi nga buxheti i bashkisë për subvencionim ashtu siç thuhet në ligj. Për fondin e Ministrisë mund të themi që është djegur, ndërsa bashkia nuk ka akorduar fond për subvencionim”.
















