Nga Ylli Pata
Në atmosferën e sotme të gazmendit që po vihet re në Tiranë, pas fitores së Giorgia Melonit në Itali, ka pak hare spontane.
Sidomos, kur kjo vjen nga eksponentë të rëndësishëm politik të asaj pjese të opozitës që ka shprehur kenaqësi për rezultatin elektoral në Itali.
Është normale, që kushdo në Shqipëri që është kundërshtar apo nuk e duron dot Edi Ramën, të gëzohet kur në zgjedhjet jashtë vendit, fitojnë ata që nuk janë socialistë apo socialdemokratë.
Siç është edhe e natyrshme që të gëzohen edhe mbështetës apo simpatizantë të partive të vjetra nacionaliste shqiptare, të cilët kanë pak nostalgji për aromën italiane që erdhi në Shqipëri përpara se të vinin në pushtet komunistët. Sidomos ata që janë shtypur e persekutuar nga diktatura.
Por politikisht, asnjë nga grupi i partive parlamentare shqiptare, nuk ka përse të jetë entuziast për fitoren e një lidere politike të së djathtës ekstreme.
Jo më kot, e gjithë Europa ka shprehur shqetësim për rezultatin në Itali, pikërisht nga pozicionet politike dhe atë çfarë përfaqëson Giorgia Meloni. Të vetmit që e kanë përshëndetur atë publikisht kanë qenë Viktor Orban në Hungari dhe Mari le Pen në Francë. Përkatësisht forcat politike të ekstremit të djathtë dhe ata që quhen eurskeptikë.
Sali Berisha deklaroi sot se ka fituar një aleate e PD-së në Itali, gjë që në fakt nuk është e vërtetë. Fratelli D’Italia, nuk është aleate me PD-në, siç nuk ka qenë më parë as parardhësja e saj Movimento Nazionale e Gianfranco Finit.
PD, është pjesë e aleancës së Partive Popullore, ku bën pjesë Forza Italia e Silvio Berlusconit, e cila renditet e treta në koalicionin e së djathtës që fitoi zgjedhjet.
Asnjë nga partitë e PPE nuk e ka përshëndetur rezultatin elektoral, pasi edhe Meloni, në Europë është pjesë e grupit të Le Pen në Parlamenin Europian, ku ka qëndrime sovraniste dhe anti BE.
Natyrisht, politika shqiptare duhet të respektojë vendimin e italianëve dhe votën e tyre. Meloni, edhe pse e ekstremit të djathtë, është pjesë e një partie që ka qenë parlamentare që prej vitit 1945, dhe që është transformuar herë pas here.
Ylli i sotëm i politikës italiane, e cila ka sjellë një risi shumë të madhe, pasi do të jetë kryeministrja e parë grua në Itali, vetë nuk se është një rioshe në politikë. Ajo ka qenë ministre në qeverinë e fundit “Berlusconi” në vitin 2011, e cila e çoi Italianë drejt falimentimit financiar.
Përveç respektit për votën dhe natyrisht urimit normal për fituesin, politika shqiptare e ka për detyrë të jetë e kujdeshshme në komentet e saj. Pasi, sot në Romë është një mazhorancë absolute, e cila ka një politikë agresive ndaj emigrantëve. Duke qenë kështu, nismat e nisura për integrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në Itali, apo edhe çështjes së pensioneve, së paku do të ngadalësohen, edhe pse nuk ka një qëndrim publik anti-shqiptar si nga Meloni, Salvini, apo akoma më shumë Berlusconi, i cili ka marrëdhënie të mira me shqiptarët.
Bota atlantike është gjithë sy e veshë për qeverinë e ardshme italiane, pasi në aleancën fituese, janë dy liderë që jo vetëm kanë marrëdhënie të mira me Vladimir Putinin, por përkrahin një zbutje të sanksioneve ndaj Rusisë.
Berlusconi, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, tha në një intervistë televizive se “Putin donte të hiqte Zelenskin për ta zëvendësuar me “njerëz të mirë”. Silvio Berlusconi, nga ana tjetër është i vetmi lider perëndimor që ka qenë fizikisht bashkë me Putinin në Krime, pas pushtimit nga ana e Rusisë në vitin 2014. Kurse Matteo Salvini ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me partinë e Putinit “Rusia e Bashkuar” dhe ka deklaruar madje: “Më jepni një Putin, t’ju jap dy Matarella”-referuar Presidentit të Republikës italiane.
Pra, pikëpyetjet janë të shumta, e nisur nga kjo edhe paqartësia është e madhe. Vetë Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken, i cili ishte i pari që u prononcua nga Uashingtoni zyrtar, bëri të ditur se SHBA kërkon të dijë se si do të jetë politika e qeverisë së re.
“Mezi presim të punojmë me qeverinë italiane mbi objektivat tonë të përbashkët: mbështetja e Ukrainës së lirë dhe të pavarur, respektimi i të drejtave të njeriut dhe të ndërtojmë një të ardhme ekonomike të begatë. Italia është një aleate kyçe e jona, një demokraci e fortë dhe një partner i çmuar”, shkroi në adresën e tij zyrtare në twitter Antony Blinken.
Pra, në mënyrë të qartë SHBA ka vënë theksin tek A-ja e politikës që ka sot çdo anëtar i aleancës perëndimore, ku dhe Italia është, duke bërë të kuptojë se duhet vijim i politikës së Mario Draghit.
Ndërkaq, Moska ka bërë një deklaratë krejt të kundërt. “Mirëpresim të gjithë ata forca politike që janë konstruktive në raportet me ne”, bëri të ditur zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse. Duke indikuar qartësisht Salvinin e Berlusconin.
Pra, në vija të trasha, nuk ka vend për entuziazëm nga Tirana për këtë rezultat nga pikëpamja politike normale, përveç se siç e shprehu Ylli Manjani sot, “më mirë të na pushtojë Giorgia se Yuri”. E Meloni në këtë rast, shikohet si një diçka e ndryshme nga SHBA, e cila ka ndëshkuar Sali Berishën. Ja kaq e thjeshtë është, megjithëse politika e Perëndimit nuk ndryshon kaq kollaj në thelbin e saj.
I fortë ishte entuziazmi për Donald Trumpin dikur, por ra sapo Edi Rama u bë mik me të. E sot jep intervista në televizionin e Trumpit në SHBA. Pra nuk është halli se gëzohet për një anti-Rama që fiton zgjedhjet, pasi kryeministri shqiptar ka mik edhe të vetmin në Perëndim që adhuron Berisha: Viktor Orbanin. Madje mik të ngushtë, siç ka miqësi gjithashtu me Matteo Salvinin.
Ky ngazëllim është baza ideologjike të një “sovranizmi” politik që duan ta ngulin në Shqipëri Sali Berisha dhe Ilir Meta. Madje këtë term e kanë bërë të ditur shpesh dhe e përsërisin dendur. Por sovranizmi i tyre është krejt i ndryshëm nga ai i Giorgia Melonit. E cila e konsideron veten një “sovraniste antantike”, ku marrëdhëniet me SHBA i cilëson të parat. Pasi ato marrëdhënie janë thelbi i asaj aleance që lindi pas Luftës së Dytë Botërore.
Kurse sovranizmi Meta-Berisha është anti-SHBA, ose anti kësaj SHBA-je dhe ata përsërisin idenë apo ëndrrën për një Amerikë tjetër që dikur i ka pritur, por që nuk i ndëshkon siç i ndëshkoi. Një Amerikë që realisht nuk ekziston, e kjo u pa qartësisht në 4 vjeçarin e qeverisjes së Donald Trump.
Administrata e tij shpërndau tre Non Gratat e para për zyrtarë të lartë të politikës shqiptare. Ndërkaq, ambasadorja aktuale e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, është dekretuar po nga Donald Trump…