Nga Roland Qafoku
Në pritje të votimit të Kuvendit, pas kërkesës së prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, jemi në prag të dështimit të çështjes hetimore ndaj tij. Aktualisht, nuk ka debat juridik për provat, interpretimin e ligjit, procedurat e ndjekura dhe mënyrën se si po punon grupi hetimor. Por kemi një betejë të pastër politike, mes opozitës që kërkon arrestimin e Tahirit dhe shumicës që është kundër këtij arrestimi. Një rregull i njëjtë i ndjekur që pas rënies së komunizmit deri më sot, me të gjitha dosjet e mëdha hetimore të drejtësisë shqiptare, të cilat nisin nga vrasja e 2 prillit në Shkodër në vitin 1991, te procesi kundër Fatos Nanos në vitin 1993, arrestimi i të gjashtëve të PD-së në vitin 1998, vrasjen e Azem Hajdarit në 12 shtator 1998, kryengritja e 14 shtatorit 1998, shpërthimit në Gërdec në vitin 2008 dhe vrasjeve në demonstratën e 21 janarit 2011. Për të njëjtën arsye, pritet të ketë të njëjtin fat edhe dosja e ish-ministrit, Saimir Tahiri
Rregulli nuk po prishet as pas 27 vjetësh. Çështja e ish-ministrit të Brendshëm, Samir Tahiri, më shumë se një betejë juridike, është kthyer në një betejë të pastër politike. Tashmë nuk ka debat për provat, për procedurat e ndjekura, interpretimin e ligjeve, për faktin nëse prokurorët kanë apo s’kanë të drejtë të arrestojnë Tahirin, por kemi debate të ashpra politike, deklarata e kundërdeklarata, me akuza e kundërakuza dhe me perceptimin se, nëse je i opozitës, mbështet dhe kërkon arrestimin e Tahirit; nëse je i shumicës, je kundër këtij arrestimi dhe synon ta mbrosh atë. Në fakt, në Shqipëri, kjo nuk është ndonjë çudi. Kështu ka ndodhur rregullisht, në këto 27 vjet: Çdo çështje madhore, e ndjeshme për opinionin, çdo dosje e nxehtë e drejtësisë, është politizuar dhe si e tillë, është shkatërruar në aspektin juridik, aq sa sot, ne nuk kemi asnjë politikan fajtor. Nuk kemi asnjë version të saktë të një ngjarjeje, rrjedhimisht nuk kemi vendosur drejtësi.
Kështu ka ndodhur me çështjen e 2 prillit të vitit 1991 në Shkodër, kur edhe sot e kësaj dite, ne dimë që u arrestuan disa drejtues policie, madje deri te ish-ministri i Brendshëm, Hajredin Shyti, por nuk dimë kush dha urdhër për të qëlluar mbi turmën, kush qëlloi në trupin e katër të rinjve dhe të tjera si këto. Kjo për arsyen e vetme se, çështja u politizua dhe drejtues të Partisë Demokratike të asaj kohe, i dhanë pretencat përpara se t’i jepnin prokurorët. Kjo është arsyeja që edhe sot e kësaj dite, familjet e viktimave rrojnë ende me pengun se nuk dinë kush i vrau ata të rinj, ndërkohë që disa të dënuar, bën një burg pa arsye.
Kështu ka ndodhur me çështjen e Fatos Nanos kur, më 31 korrik 1993, kryetari i PS-së u arrestua. I akuzuar për korrupsion, kjo është çështja kampion për politizim. Ishte thjesht një gjueti shtrigash, që kryetari i opozitës të futej në burg dhe të qëndronte atje pas fitores së zgjedhjeve lokale, vetëm pak muaj pas fitores së PD-së më 22 mars 1992. Por çështja u politizua. Edhe sot, ne nuk dimë cilët ishin të dytët e të tretët që morën milionat nga Fatos Nano, por dimë që ai bëri 4 vjet burg, ndërkohë është kthyer në proverbial shprehja e famshme e akademikut, Apollon Baçe, sipas të cilit, “Fatos Nano u fut në burg në vitin 1993, kur nuk vodhi. Ndërsa kur vodhi në vitet 2003-2005, nuk e futën në burg”. Nano mori pafajësinë kur u bë kryeministër dhe 7.2 milionë lekë të vjetra si dëmshpërblim.
Kështu ka ndodhur me procesin e 6 ish-zyrtarëve të lartë të PD-së, që u arrestuan në 23 gusht 1998. Ish-ministri i Brendshëm, Halit Shamata, ish-ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali, ish-kryetari i Kontrollit të Shtetit, Blerim Çela, ish-nënkryetari i SHIK-ut, Bujar Rama, ish-shefi i komisarit të Vlorës, Sokol Mulosmani dhe ish-komandanti, Kreshnik Lusha, u arrestuan me shumë bujë pas mesnate. Pas asaj që ndodhi në mars të vitit 1997, ata u përballën me akuzën “krime kundër njerëzimit”, akuza më e rëndë aplikuar ndonjëherë në drejtësinë shqiptare. Por PD-ja jo vetëm që e cilësoi këtë një gjueti shtrigash të socialistëve ndaj demokratëve, por përplasja politike rrezikoi të kthente në Shqipëri, një mars të dytë ’97. Vetëm pas ndërhyrjes së diplomatëve të huaj dhe veçanërisht të OSBE-së, çështja u davarit dhe të arrestuarit u liruan. Ndërkohë kur mbaruan afatet, dosja u arkivua dhe të 6-të morën dëmshpërblim. I gjithë procesi mbeti në histori, vetëm për faktin që prokuroria ngriti akuzën më të lartë në historinë e drejtësisë shqiptare.
Kështu ndodhi me çështjen e vrasjes së deputetit, Azem Hajdari, në 12 shtator 1998. Vërtetë ne kemi një proces të përfunduar, nga i cili prokuroria zbuloi autorët e vrasjes, por politizimi që iu bë kësaj çështjeje, është në kulme edhe më të lartë se sa pararendëset e çështjeve të këtij lloji. Ndërsa procesi zyrtar pati një version, sipas të cilit vrasja është bërë për hakmarrje, këtë e konfirmoi edhe prokurorja norvegjeze, Siri Frighard, e atashuar pranë grupit hetimor. Por se sa e politizuar ishte kjo çështje, mjafton të kujtojmë që në deklaratën e parë të bërë nga PD-ja, pas momentit të vrasjes, ishte se “Hajdarin e vranë Nano dhe Sllobodan Milosheviç”.
Kështu ka ndodhur gjatë hetimit të asaj që u quajt kryengritje e armatosur, më 14 shtator 1998. Edhe sot, ne nuk kemi autorët, organizatorët e kësaj kryengritjeje, ndërkohë që prokuroria siguroi në Parlament, lejen për heqjen e imunitetit, hetimin dhe arrestimin e Sali Berishës, në cilësinë e kryetarit të PD-së, që e organizoi këtë rebelim. Por kjo ishte e papranueshme për PD-në, aq sa edhe ky moment, për pak, desh e ktheu Shqipërinë në marsin e vitit 1997. Sali Berisha jo vetëm nuk u arrestua, por as u hetua, madje nuk shkoi asnjëherë në prokurori.
Kështu ka ndodhur edhe gjatë hetimit dhe procesit gjyqësor të shpërthimit masiv në depot e municioneve në Gërdec, më 15 mars 2008. Nga njëra anë, opozita e PS-së që ka kërkuar me çdo kusht arrestimin e drejtuesve të ministrisë së Mbrojtjes, deri ministrit Fatmir Mediu dhe, nga ana tjetër, mbrojtja që qeveria i ka bërë këtij procesi. Në fund, i gjithë ai që u quajt megaproces, u shkatërrua duke mos patur fajtorët realë.
Kështu ka ndodhur gjatë procesit hetimor të 21 janar 2011. Çështja u politizua aq shumë, sa procesi pati një rast të precedent, kur me urdhër të kryeministrit Berisha, nuk u zbatuan urdhrat e arrestit të prokurorisë, për disa drejtues të Gardës. Ne sot dimë që kemi katër të vrarë dhe disa të plagosur, në atë që u quajt demonstratë. Kemi disa gardistë të dënuar, por ende nuk dimë se kush dha urdhër për të qëlluar me armë dhe çfarë ndodhi në të vërtetë, në ato pesë orë, në bulevard dhe zyrat e kryeministrisë.
Të njëjtin fat si këto çështje, pritet të ketë edhe dosja e Saimir Tahirit. Nuk ka fare rëndësi për një drejtësi profesioniste, se çfarë mendon një politikan për dosjen. Rëndësi ka se çfarë mendojnë hetuesit dhe prokurorët, mbështetur mbi bazën e ligjeve. Prokuroria dhe grupi hetimor janë të pavarur në punën e tyre dhe duhet të lihen të lirë të punojnë. Nëse ne duam një drejtësi, ajo vendoset jo duke e politizuar çështjen, por duke ndihmuar zbardhjen e saj. Ndryshe, ne thjesht do të bëjmë statistika dhe do të shënojmë emrin e Saimir Tahirit, ndër 62 ministrat e Brendshëm të Shtetit shqiptar, që nga qeveria e Ismail Qemalit. Në një histori që ka 21 ministra të arrestuar, 8 të vrarë dhe 8 të pushkatuar. Por ama, vetëm drejtësi nuk ka për t’u bërë kurrë! Ky ishte dhe është fati i çdo çështjeje të politizuar në Shqipëri!
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”