Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij Aleksander Vuçiç janë ulur përballë njëri tjetrit në forumin për “Stabilitetin e Europës Juglindore”, ku në fokus të bisedimeve është marëdhënia mes dy vendeve.
Kryeministri Edi Rama ka marrë shembullin e minierës së Trepçës, duke thënë se ajo është në tokën e Kosovës dhe se Serbia nuk mund ta marrë atë dhe ta transportojë në shtetin e saj. Qëllimi, sipas Kryeministrit Rama, është të arrihet lumturia e njerëzve, dhe të mos mbetemi të ankoruar në të kaluarën e ballkanin. Në kundërpërgjigje, Vuçiç, duke ironizuar ka thënë se Rama nuk mund të mos bënte pak “politikë ditore”, por në lidhje me Trepçën, Vuçiç është shprehur se ai di më shumë se Kryeministri i Shqipërisë.
Debati për Trepçën:
“Ka shumë njerëz në Serbi që s’e kuptojnë atë po them tani, do thonë se Vucic është një mik i shqiptarëve, unë them atë që mendoj dhe po them të vërtetën, s’do jetë e lehtë, dhe ne flasim për liderët shqiptarë …duket herë pas herë se ka një fund të keq, unë nuk besoj te kjo, mendoj se duhet të gjejmë më shumë kompromise, duke folur për një jetë më të mirë për qytetarët e thjeshtë në Prishtinë dhe Beograd. Ne do investojmë më shumë kohë dhe energji dhe pse mund të jetë më e vështirë cdo ditë, se atmosfera ka ndryshuar komplet dhe është shumë e vështirë jo vetëm për palën tonë, por edhe për palën tjetër që ta trajtojë atë.“- tha Vuçiç.
“Jemi në një botë që është e lidhur dhe s’kemi luksin që të mos flasim me njëri-tjetrin, ai foli sërish për provën me dy dashuritë. Kosova është komplet aty ku ne nuk biem dakord fare se pikëpamja ime është që sa më shpejt Serbia ta njohë Kosovën aq më mirë do jetë për të gjithë. Ka një proces që unë e mbështes dhe e them se të dy liderët duhet të lavdërohen, është dialogu, një mjet shumë i rëndësishëm për të ankoruar pushtetin e së ardhmes.
Kam një pyetje të thjeshtë, cfarë bëni me Trepcën? Ajo është në tokën e Kosovës, e merrni e sillni këtu në Serbi? Edhe ata atje në Kosovë duhet ta kuptojnë se Trepca është një minierë në tokën e Kosovës dhe i takon popullit të Kosovës, dhe në fund është ekonomi…Në të dy palët në Kosovë e Serbi prioriteti duhet të jetë të bëjmë njerëzit të lumtur. Ky duhet të jetë qëllimi. Do ketë më pak hapësirë për idiotët dhe për njerëzit që duhet të marrin ankorimin e së kaluarës.“-tha Rama
“Kur pashë praninë e mediave kosovare këtu, e dija se Edi do të bënte një politikë ditore. Unë nuk e bëra këtë. Por Edi është politikan më i mirë se unë. Ai foli për Trepçën, por unë guxoj të them se di më shumë se Edi për këtë. Ai tha se është çështje ekonomike, por mund të them se Prishtina bëri lëvizjen më të keqe sa i takon Trepçës. Nëse do të thuash se kjo është për të mirën e serbëve dhe shqiptarëve, a mund të gjesh një serb që të jetë dakord me këtë?”, u kundërpërgjigj Vuçiç.
Dashuria mes Serbisë dhe Rusisë… dashuria mes Shqipërisë dhe BE-së
Gjatë diskutimit, Vuçiç ka folur për dashurinë e Serbisë ndaj Rusisë, duke thënë se pavarësisht se qëllimi strategjik i vendit është BE, përsëri marëdhënia me Rusinë do të mbetet e fortë. Në kundërpërgjigje, Rama tha se në Shqipëri kjo çështje dashurie është e ndarë, vendi ka zgjedhur perëndimin prej kohësh.
“Nuk kemi dy dashuri të mundshme, kemi një dashuri. Ajo është Serbia. Shumë njerëz duhet të respektojnë e vlerësojnë qëndrimin tonë të sinqertë të Serbisë. Po themi se duam të ruajmë marrëdhëniet tradicionale me Rusinë, por qëllimi strategjik është rruga drejt BE-së. E pëlqeni se pëlqeni kjo është politika jonë.”- tha Vuçiç.
“Ne nuk jemi mes dy dashurive të mundshme, vetëm një, ajo drejt perëndimit. Është e lidhur me të kaluarën tonë që ka qenë dëshira për të takuar perëndimin. Kemi qenë të aftë të bëjmë reforma që s’kishim menduar kurrë sepse kjo është mënyra për të qenë pjesë e familjes europiane.Nuk ka dilemë e kemi ndjerë se cila është zgjedhja. Nuk them se është e keqe, por e përmenda që zgjedhja është ndonjëherë e rrezikuar nga dy dashuri në nivelin e opinionit publik, dhe jo për zgjedhjen e qartë të kryeministrit.”- tha Rama.
Sikur Merkel të mos ishte më dhe një sërë batutash mes dy kryeministrave
Vucic: Jam një djalë i vogël nga Ballkani dhe do e respektoj vullnetin e popullit gjerman por them se nuk shqetësohemi sot se ajo ka qenë një faktor vendimtar që u kujdes në mënyrë të duhur për rajonin. Si Edi dhe unë mund të flasim në mënyrë të qetë dhe normale me njëri-tjetrin e mund të biem dakord për shumë çështje por nëse do kishte probleme në rajon kush është ai djalë që do kapte telefonin dhe të thoshte do bësh këtë do bësh atë, kush do e bënte këtë me kroatët? Unë di një emër që është Merkel dhe po them të vërtetën…do ishte një lloj kam frikë ta them por një çrregullim evropian se ajo ka investuar shumë nga koha e saj… Edi tha diçka, dhe ne qeshim kur flasim për të, se përpjekjet e saj për të na bashkuar ne…
Rama: Jam dakort me Vucic mund të them thjesht se ajo do jetë kancelarja e ardhshme dhe Trump s’do jetë president i SHBA.
Vucic: Unë nuk e di këtë, ai e di atë. (Qeshin të gjithë) Ja shikoni, ai e di. Unë nuk e di rezultatin. Ai e di!.
Rama: Kur të vijmë të Moska, fol ti.
Batutat për Merkelin:
Moderatori Misha Glenny ka ndërprerë Vucicin ndërsa ishte duke folur për Merkel, duke thënë se kjo “nuk është një garë, ku ndricon ylli i Angela Merkel”. Edi Rama pastaj me shaka tha se ekziston mundësia më e madhe që Angela Merkel të rizgjidhet si kancelare, e se Donald Trump ka pak shanse për të fituar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Ai tha me shaka, se nuk do të konkurrojë me Vuçiç për “zemrën e Angela Merkel”.
Vuçiç: Në qoftë se ne do të shkojmë kundër njëri-tjetrit, atëherë ne nuk kemi asnjë shans
Mesazhet e para të dy kryeministrave Rama e Vuçiç
Kryeministri Vuçiç është shprehur se është krenar që tashmë Serbia kërkon nga Shqipëria krijimin e një marrëdhënieje pozitive në rajon, duke theksuar se të ndarë, dy vendet nuk kanë shanse.
Kryeministri Rama ka folur pas Vuçiç, duke thënë se për Shqipërinë procesi i integrimit në BE është po aq i rëndësishëm sa vetë anëtarësimi, pasi sipas Ramës, ky proces është dhe thelbi i modernizimit të vendit.
“Njerëzit në Serbi kanë matur gjithçka që ka ndodhur në Greqi, Angli apo vendet e tjera të BE. Nuk jam i sigurt nëse kemi një alternativë, ndonëse thonë se ka, kjo ka krijuar një sinjal të keq sepse njerëzit kanë të drejtë të largohen, qëllimi ynë kryesor është që të bëjmë gjithçka mundemi për tu afruar drejt BE dhe nuk është e lehtë. Nuk jam këtu për t’u ankuar por dua të them se duhet të punojmë. Disa vite më parë kur njerëzit thonin se duhet të takohen shqiptarët me boshnjakët etj tani jam krenar të them se ne duam marrëdhënie të mira me të gjithë,kemi potenciale për të ardhmen dhe mund t’ia arrijmë së bashku dhe nëse bëjmë gjëra kundër njëri-tjetrit nuk kemi shanse. Nëse bëjmë ndërlidhjen e transportit, lidhje politike më të mira dhe zgjidhje domethënëse nga BE për çështjen e emigrantëve e çështje të tjera nuk e kemi problem të lidhemi me unionin.”- tha Vuçiç.
“Faleminderit dhe ju përgëzoj për optimizmin kur thoni se për 50 minuta do zgjidhni gjithçka, nuk besoj se do e arrijmë. Lidhur me BE dhe situata mendoj se ne në Ballkan do të jemi të qartë për një pikë të thjeshtë. Procesi i BE për ne nuk është një udhëtim për të shkuar diku sepse disa njerëz e presin këtë nga ne, por është rrugë e modernizimit që është e mundur për shoqëritë tona për të ndjerë hapësirën e boshllëkun mes të ardhmes veç përmes integrimit në BE. Është më i rëndësishëm procesi sesa anëtarësimi sepse mendoj se ndërtojmë shtetin që nuk e kemi pasur më parë. Duket si një mallkim Ballkanik sepse Europa ka qenë në një formë të mirë kur ishim rrëmujë dhe sot kur përpiqemi të jemi më mirë ata janë bërë rrëmujë.
Nuk dua që të shkoj më tej me këtë sepse e e di që kjo në një farë mënyre do të shkaktonte dhimbje në plagë dhe sa i përket reformës në drejtësi, kemi zbarkuar në një proces që ka qenë i paimagjinueshëm dhe sot kemi kaluar një reformë kushtetuese në një paketë legjislative që janë radikale që çdo kush është i qartë në një gjë që kurrë s’do ishte e mundur pa mekanizmin e integrimit në BE. Dëshiroj ta përfundoj duke thënë se njerëzit mund të ndihen në mënyrë të ndryshme për SHBA, Bruksel e Moskë, por njerëzit duhet ta kuptojnë se nuk ka mekanizëm tjetër për të na lejuar që të dalim nga rruga e një historie jo shumë bujare e për tu bërë moderne e për të jetuar në epokën tonë pastaj për tu bërë anëtarë. Kjo është diçka që nuk mund ta parashikojmë por në fund ajo që ka rëndësi është se ne duhet të jemi modern dhe të dalim nga mënyrat fëminore për të qenë peng i së kaluarës.”- tha Rama.
Vuçi ka folur në lidhje dhe me situatën në rajon dhe sjelljen e BE-së në lidhje me të, duke kritikuar qasjen e Bashkimit Europian.
“Por nuk jam shumë optimist, kam frikë për situatën në rajon, kjo do të jetë çështja juaj në të ardhmen. Kam diçka për të thënë ëpr sjelljen e e BE, gjithmonë vendosen detyra të reja dhe ato prcaktohen në mënyrë demokratike dhe nëse e bën këtë je i mirë e nëse jo nuk je i mirë. Gjatë kësaj kohe kemi pasur momente të ndryshme, por sot atmosfera është edhe më keq. Shikoni gazetat, mendoni se dikush nga qeveria do thotë se çfarë po ndodh në Rusi a Uashington. Ka realitet të ri, ngjarje të reja që nuk mund t’i kontrollojmë dhe mendoj se po humbasim terren ndonëse nuk pranohet në publik”- tha Vuçiç.
/java/a.k