• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, August 24, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Përplasja për Rendin e Ri Botëror: Nga “Lufta e Ujit” në Ibër te Krisja e Hegjemonisë me Iranin dhe Rusinë

by A R
24/08/2026 08:35
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Ambasadori Zef Mazi sjell për JavaNews.al një analizë të gjerë mbi zhvillimet më të fundit në rajon dhe në skenën ndërkombëtare, nga debati për devijimin e lumit Ibër dhe qëndrimi i Shqipërisë, te përshkallëzimi i tensioneve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. 

Mazi ndalet te sanksionet, përplasja gjeopolitike SHBA-Kinë-Rusi-Iran dhe perspektiva e një konflikti të ri në Lindjen e Mesme, ndërsa analizon edhe luftën në Ukrainë dhe ndryshimin e rendit botëror.

Pyetje: Disa ditë më parë Beogradi foli për devijimin e lumit Ibër që kalon nga Mali i Zi, në Serbi dhe nëpër Kosovë. Janë bërë disa deklarata nga autoritetet shqiptare kundër kësaj politike të Beogradit. Si e shikoni këtë problem?

Përgjigje: E kam dëgjuar lajmin, kam lexuar edhe disa nga deklaratat. Më janë dukur mjaft patetike, jo në nivel, sikur kishin hyrë në garë patriotike. Lumi Ibër, pas Kosovës, rrjedh përsëri në Serbi dhe bashkohet me lumin e Moravisë Perëndimore afër Kraljevos. Vihet re një deficit jo i vogël i një analize profesionale.

Kur vendet dhe rajonet ndajnë, ose kanë të përbashkët, liqene ose rrjedhje lumenjsh, mund të ndodhin mosmarrëveshje, konflikte (që kanë shkaqe nga kontrolli i ujit, te ndërtimi i digave, mungesa e ujit, pasja e aksesit te uji, etj.) si dhe tensione politike ndërshtetërore. E Drejta Ndërkombëtare rregullon të drejtat dhe detyrimet e shteteve riparian përgjatë një rryme/rrjedhje ujore që ata kanë të përbashkët përmes disa traktateve themelore, siç janë Ligji Ndërkombëtar i Ujit (LNU / International Water Law), Konventa e OKB-së për Rrjedhjet Ujore dhe Konventa e Ujit e UNECE-s (United Nations Economic Commission for Europe).

Ligji (LNU) përbën kuadrin ligjor që i mundëson vendeve të bashkëpunojnë paqësisht dhe të përdorin burimet e ujit në mënyrë të tillë që të maksimalizohen përfitimet e përbashkëta socio-ekonomike dhe ambjentaliste. Ky ligj përfshin traktate ndërkombëtare, marrëveshje dypalëshe dhe shumëpalëshe për basenet e ujit, si dhe parimet bazë. LNU ofron kornizat ligjore universale kyçe për ujërat ndërkufitarë, shqyrton parimet drejtuese të ligjit dhe nënvizon mekanizmat kyç për të lehtësuar si bashkëpunimin, ashtu edhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Pra, shtetet riparian kanë edhe të drejta, edhe detyrime në lidhje me përdorimin, menaxhimin dhe ruajtjen e burimeve të përbashkëta të ujit.

Shteti riparian është ai vend ose komb përmes territorit të të cilit kalon rrjedhja natyrale e ujit që ata kanë të përbashkët, që mund të jetë lum, rrëke ose përrua, ose që rrjedh përgjatë kufirit të atij vendi ose kombi. Fjala riparian vjen nga fjala latine ripa, që do të thotë “buzë” ose “breg”, që lidhet me banimin/vendndodhjen buzë një rrjedhje ujore (lumi) ose të një liqeni, përroi ose rrëkeje.

Pozita gjeografike është kyçe. Shteti bëhet shtet riparian nëse një lum rrjedh përmes tokës/territorit të tij ose shërben si kufi natyror midis tij dhe një fqinji (si rasti i Lumit Buna). Kur një numër shtetesh shtrihen përgjatë një sistemi të vetëm lumor, ata njihen si shtete bashkë-riparian. Rregullat dhe konventat e përmendura sigurojnë që të ketë një ndarje të përbashkët e të barabartë të ujit, të ndalohen dëmet e mëdha ndërkufitare dhe detyrojnë të bëhen konsultime midis fqinjëve që janë në pjesën e sipërme dhe më të ulët të rrjedhës. Parimet bazë të Ligjit Riparian përfshijnë përdorimin e barabartë, mosshkaktimin e dëmeve të mëdha, detyrimin për të bashkëpunuar dhe njoftimin paraprak. Sejcili parim zbërthehet në çfarë kuptohet me të.

Rrjedhimisht, është detyrë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropës që, përmes drejtorive përkatëse të organizatave ndërkombëtare, juridike dhe rajonale, të përpunojë dhe të dalë me pozicion të qartë profesional, të argumentuar e të unifikuar për këtë çështje, në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare. Kjo do të evitonte deklaratat patetike patriotike pa përmbajtje.

Pyetje: Situata e luftës në Gjirin Persik, SHBA dhe Izraeli kundër Iranit, ka hyrë në fazë mjaft delikate. Kërcënimet për rifillim lufte dhe vendosje sanksionesh të egra vazhdojnë. Përplasjet janë zgjeruar. A shikoni se do të ketë përsëri rifillim lufte?

Përgjigje: Përgjigja do të jetë disi më e gjerë, me mënyrën se si i interpretoj unë zhvillimet që kanë një dinamikë të madhe, me ndryshime edhe ditore. Në librin e tij “Fusha e Madhe e Shahut”, botuar në vitin 1997, Brzezinski shkruante: “Potencialisht skenari më i rrezikshëm do të ishte një koalicion i madh i Kinës, Rusisë dhe ndoshta Iranit, një koalicion ‘antihegjemonist’ i lidhur bashkë jo nga ideologjia, por nga ankesat dhe padrejtësitë komplementare”. Këto vende konsiderohen “të këqija” dhe u duhen vendosur sanksione. Irani ka 47 vjet nën sanksione, Rusia ka tashmë 5 vjet, si nga SHBA ashtu edhe nga BE-ja me 21 paketa sanksionesh.

SHBA-ja do të fillojë një “fazë të re të luftës ekonomike” kundër Iranit. JD Vance e quan luftë ekonomike. Sekretari i Thesarit rreh gjoksin për fushatën e izolimit më të koordinuar në histori me synimin për të përmbysur qeverinë e Iranit. Sanksionet e reja karakterizohen si “D-Day ekonomik”, ndërsa Irani i quan terrorizëm ekonomik dhe krim kundër njerëzimit, sepse nuk janë vetëm kundër Iranit. E njëjta makineri i shtrëngon lakun Gazës, ku bëhen akte genocidale, i trajton palestinezët si kolateral, rezistencën e quan “terrorizëm”, praktikon dënim kolektiv në shkallë të gjerë dhe sulmon vendet që përkrahin rezistencën palestineze (si Spanjën). Rrjedhimisht, mbrohet hegjemonia, dënohet cilido që nuk pranon aktet drejt shuarjes së Palestinës, bëhet luftë ekonomike jashtë vendit dhe rrethim ushtarak në shtëpi — një hipokrizi e madhe!

Në prizmin ekonomik, Britania, Kina, Japonia, Koreja e Jugut dhe të tjerë po shesin likuiditetet, bondet, kapitalin dhe rreziqet financiare amerikane (menaxhimin midis depozitave të klientëve dhe huave). Kur shitësit janë më të shumtë në numër se blerësit, çmimi i bondeve ulet dhe shkalla e interesit rritet, që do të thotë se huamarrja ka kosto më të lartë për Amerikën. Të huajt nuk duan më të blejnë borxhin amerikan. Për 50 vjet vendet e Gjirit Persik kanë pranuar të shesin naftën me dollarë amerikanë. Ky mekanizëm nuk po ecën më. Arabia Saudite, për herë të parë, nuk i shiti naftë Amerikës. Rregulli “ju duhet të përdorni dollarin” po shfaq krisje masive. Botës nuk i duhen më aq shumë dollarë për të blerë naftë dhe vendet e mëdha ndërpresin blerjen e borxhit afatgjatë amerikan. Kjo nënkupton se sistemi që për dekada ka mbajtur në këmbë huamarrjen e lirë amerikane fillon të thyhet, çka po shihet në kohë reale. Është thjesht matematikë dhe incentiva që, më në fund, po kapin hapin e kohës.

Pyetje: Sanksionet që përmendët do të jenë më të ashprat. A pritet të arrihet qëllimi përse po vendosen?

Përgjigje: Se a janë ose jo legale sanksionet, varet krejtësisht nga vendi që i vendos dhe se si zbatohen ato. Sanksionet që autorizohen kolektivisht nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së janë plotësisht të ligjshme. Sanksionet që vendosen unilateralisht nga vendet janë shumë kundërshtuese dhe shpesh shkelin parimet e të drejtës ndërkombëtare. Ato janë të paligjshme sepse përfshijnë shtrëngime dhe imponime ekonomike, ndërhyrje ose tejshtrirje të ekstraterritorialitetit.

OKB-ja ka pushtet të qartë për sanksionet, sipas Kapitullit VII të Kartës së OKB-së, për të vendosur sanksione ekonomike, diplomatike dhe ushtarake. Masat kolektive janë ligjërisht të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet anëtare të OKB-së. Masat që imponohen nga një vend i vetëm, ose një grup vendesh (si SHBA-ja ose BE-ja) pa mbështetjen e OKB-së, shkelin parimin e njohur të drejtësisë ndërkombëtare të mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti tjetër. Shtrëngimi (restriksioni) unilateral ekonomik mund të jetë i ligjshëm VETËM nëse justifikon vetveten si “kundërpërgjigje strikt ligjore” në përgjigje direkte të një akti të gabuar nga shteti që vihet në shënjestër, gjithmonë duke ruajtur proporcionalitetin dhe nëse përdoret VETËM për të rivendosur zbatueshmërinë e ligjit.

Të dënosh kompani të huaja të një pale të tretë, ose një individ, pse bëjnë tregti me një vend që është nën sanksione (për shembull, sanksionet sekondare që prekin firmat evropiane dhe aziatike se bëjnë tregti me Iranin ose me Kubën) konsiderohen gjerësisht nga shkencëtarët e të drejtës ndërkombëtare si abuzim ilegal i forcës dhe juridiksionit ekonomik (lexo: institucioneve financiare). Embargot gjithëpërfshirëse tregtare që e dëmtojnë popullsinë deri në nivelin e skamjes për ushqime, medikamente ose infrastrukturë bazë, shkelin të drejtat e njeriut dhe detyrimet humanitare.

Duke e parë në këtë prizëm, Kina ka hedhur poshtë me forcë thirrjen e Uashingtonit për të marrë pjesë në zbatimin e sanksioneve të SHBA-së që kanë synim të “shkatërrojnë” ekonominë iraniane. Kina i reziston presionit të administratës së Trumpit për të marrë pjesë në “sanksionet më të ashpra në histori”. Këto sanksione i kanë hapur derën një faze të re të luftës së zgjatur ekonomike, pasi zgjidhja ushtarake gjithnjë e më shumë shihet si jorealiste dhe e pamundur. Kina ka njoftuar kompanitë e saj se nuk duhet të pyesin për sanksionet, por të shpejtojnë e të shtojnë tregtinë, të kapërcejnë përdorimin e dollarit dhe transaksionet të bëhen në juan, t’i injorojnë sanksionet dhe t’u binden vetëm ligjeve kineze dhe jo atyre amerikane, duke shtuar se Kina edhe do e çojë çështjen në gjyq.

Në një intervistë me CNBC të enjten e kaluar, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, tha: “Kjo është dopjo-goditje, ne kemi bllokadën (kundër Iranit) dhe do të imponojmë sanksionet më të ashpra në histori. Kjo do të funksionojë me Iranin dhe ne do ta rrëzojmë regjimin atje”. Ai citoi edhe George W. Bush: “Je me ne ose je kundër nesh”. Kjo retorikë nuk ka aspak të ngjarë t’u bëjë përshtypje kinezëve, veçanërisht kur është e njohur se çfarë ndodhi pas asaj shprehjeje, kur forcat amerikane u përfshinë në Lindjen e Mesme, Afganistan dhe Irak, në ato që u cilësuan në mënyrë cinike si “luftëra të përhershme”.

Agjencia Reuters citoi një përfaqësues të ambasadës kineze në Uashington: “Sa i përket çështjes së Iranit, sanksionet dhe presionet nuk kontribuojnë për paqe”. Plani i ri i Uashingtonit parashikon të ketë mbështetje të fortë te presioni ndërkombëtar ndaj palëve të treta për të izoluar Iranin deri në nivele ekstreme. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, iu përgjigj këtij plani në konferencën e shtypit me gazetarët të premten e kaluar: “Kina i bën thirrje të gjitha palëve të marrin masa të përgjegjshme dhe të zgjidhin problemin me mjete politike dhe diplomatike”. Lidhur me komentet e Scott Bessent, Lin theksoi se: “Të gjitha palët duhet të marrin ‘masa të përgjegjshme’ për të zgjidhur konfliktin. Kina hedh poshtë sanksionet ilegale unilaterale që nuk kanë asnjë bazë në të drejtën ndërkombëtare dhe nuk janë autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”.

Pyetje: Irani këmbëngul në qëndrimet e tij dhe sfidon direkt.

Përgjigje: Irani ka 47 vjet nën sanksione. Si i interpretoj unë zhvillimet ditore: sot Irani merr pothuajse gjithçka nga bota përmes Pakistanit nga njëri krah, dhe përmes Detit Kaspik nga krahu tjetër. Kina i mbështet plotësisht, çka është shumë e rëndësishme për t’i mbijetuar sanksioneve, së paku deri në dhjetor. Në Pakistan është marrë vendimi që të mos bëhet ajo që thotë Amerika se duhet bërë, por të bëhet e kundërta, me mbështetjen e madhe të Kinës si forca që qëndron pas vendit. Një delegacion i madh iranian i nivelit të lartë viziton Islamabadin për festën e Pakistanit dhe zhvillon bisedime me nivelet më të larta respektive pakistaneze. Pakistani nuk do të cedojë, nuk do t’i nënshtrohet presionit të Bessent, nuk do të ndryshojë qëndrim, por do të mbajë hapur gjashtë kalimet kufitare me Iranin, rrugore dhe portuale, pavarësisht rreziqeve që nuk janë vetëm për Pakistanin. Mbështetja kineze për Pakistanin përfshin edhe 10 miliardët që pret të marrë nga FMN-ja, por që mund të bllokohen nga SHBA-ja. Kina mësohet se do e mbulojë atë nevojë. Pakistani mund të kishte qenë, por nuk është anëtar i BRICS (për shkak të rolit të Indisë) apo i Bankës së Re të Zhvillimit (NDB). Kjo bankë duhet të rikonfigurojë statusin e saj që lidhet me dollarin amerikan, pra duhet të bëjë ndryshime të mëdha të statutit të saj. Duhet kohë. Prandaj Pakistanit i duhet FMN-ja tani për tani. Nuk ka vend tjetër në këtë situatë që mund të zëvendësojë rolin e Pakistanit.

Irani ka bërë të qartë se është i gatshëm t’i kthehet Memorandumit të Mirëkuptimit që u firmos nga Trump dhe Pezeshkian. Kina është në favor të këtij qëndrimi dhe kërkon po këtë gjë, si një përcaktim i rrugës që duhet ndjekur për të arritur një produkt më të gjerë afatgjatë. Këtu duhet shtuar vendimi budallallëk i EBA-s që me ngut preu çdo marrëdhënie diplomatike dhe tregtare me Iranin, kur ishte partneri i dytë më i madh.

I vetmi kanal ndërmjetësimi për përcjellje mesazhesh ishte presidenti kurd Barzani, roli i të cilit u zbeh për shkak të një sulmi dhe pse nuk po bën çka i kërkohet të bëjë. Kanali tjetër i bisedimeve direkte, pothuajse ditore, që Trump kishte me Marshallin e Ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, u mbyll; nuk ka më bisedime telefonike. Në këtë situatë, para disa ditësh në Shtëpinë e Bardhë u diskutua edhe opsioni (famëkeq, që flet për dështim të madh) i përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore taktike. Ai u kundërshtua nga ushtarakë të lartë që ishin në takimin përkatës. Të gjitha të marra së bashku tregojnë se nuk kuptohet që Irani nuk është Venezuela, se ka mungesa të mëdha njohurish historike, gjeografike, të hartave (Irani është më i madh se Evropa), të udhëkryqeve me Euroazinë, të mundësive tregtare midis Iranit, Pakistanit e Kinës me rrugë, hekurudha dhe det, plus korridorit veri-jug përmes Detit Kaspik ku nuk mund të ndërhyhet, përveçse ndoshta me ndonjë dron. Pasi e provoi, Ukraina kërkoi ndjesë pasi e kuptoi që Irani dhe Rusia do të kundërpërgjigjeshin.

Nëse do të bombardohen hekurudha apo rrugë lidhëse, kjo do të thotë se po bombardohet Kina, Nisma “Rripi dhe Rruga” (Rruga e Mëndafshtë), etj. Do të vijojnë marrëdhëniet me vendet e tjera anëtare të Organizatës për Bashkëpunimin e Shangait dhe BRICS-it, që mblidhet në shtator në Nju Deli, ku do të ketë shumë takime dypalëshe të rëndësishme Kinë-Rusi-Iran, plus Kazakistanit, Uzbekistanit, etj. Kjo është mënyra se si e interpretoj atë që po ndodh, duke pasur parasysh se dinamikat janë tepër intensive dhe mund të ndryshojnë disa herë edhe brenda ditës.

Pyetje: Lufta në Ukrainë vazhdon, me dëme kolosale në jetë njerëzish dhe materiale. Nuk ka zhvillime shpresëdhënëse.

Përgjigje: Çështja duhet parë më gjerësisht sepse del nga suaza vetëm e Ukrainës. Ursula von der Leyen tha para pak ditësh se Ukraina po e fiton luftën. Kjo deklaratë tregon se duhet lexuar e kundërta. Ajo e di situatën, prandaj ngul këmbë në të pavërtetën e saj të radhës. Historia e rusofobisë është e njohur: ajo ka filluar që nga viti 1815 dhe vazhdon sot e kësaj dite. Njihet gjithnjë e më gjerë se përse globalistët janë kryekëput të vendosur të dobësojnë dhe, mundësisht, të shkatërrojnë Rusinë e të zëvendësojnë Putinin; sepse ai drejton fuqinë e madhe të fundit në Evropë që ka identitet kombëtar, gjuhë dhe kulturë kombëtare dhe që ka themelet e krishtërimit ortodoks. Prandaj Rusia është armike e globalistëve. Nuk shihet arsye tjetër që vendet evropiane u mbytën me të ardhur joevropianë përveçse për të prekur thelbin, për të prishur identitetin tonë kombëtar përmes të ashtuquajturit multilateralizëm, për të prishur kulturën evropiane gradualisht. Rusia ka burime jashtëzakonisht të mëdha minerale, bujqësore, ujore, nafte, gazi e metalesh të rralla. Po të hiqet Putini, mund t’ua marrësh burimet dhe të vetëpasurohesh. Prandaj Rusia duhet prishur.

Shihet një hegjemon i lodhur (pas 400 e më shumë vitesh) që po lufton Rusinë, Kinën dhe Iranin në një garë të rrezikshme për rendin e ri botëror. Mbarimi i Luftës së Ftohtë vendosi një rend unipolar, duke kaluar tek një hegjemon universal që kërkoi të dominonte. Vetë kjo sfidoi sistemin ndërkombëtar. Paqja e Westfalisë bazohej në ekuilibrin e forcës ndërmjet shteteve sovrane, që të mos kishte anarki ndërkombëtare e as konkurrencë për çështje të sigurisë. Ky sistem ra, sepse me mbarimin e Luftës së Ftohtë do të kishte vetëm një fuqi të madhe: SHBA-në. Kjo mendohej se do të shmangte garën për çështje të sigurisë, me hamendësimin te roli i demokracisë liberale dhe të drejtave të njeriut në sistemin ndërkombëtar.

Për një hegjemon kjo është tepër e kushtueshme me kalimin e kohës, sepse edhe harxhohen burimet e tua, edhe duhet të mbash nën vete fuqitë e tjera që po ngrihen. Koha bën të sajën – vetëlodhesh. Fuqitë që po dalin përpiqen kolektivisht të balancojnë SHBA-në që po lodhet gjithnjë e më shumë, sepse ka mjaft probleme brenda vendit me pabarazinë therëse ekonomike, aspektet sociale, polarizimin politik, etj. Ndërkohë, të tjerët përpiqen të krijojnë botën shumëpolare që ekuilibron vijimësinë e aspiratave hegjemone amerikane. Janë dy rryma paralele: hegjemoni kërkon të rivendosë pozicionin e tij duke u përballur e mposhtur kundërshtarin, ndërsa oponenti ngrihet kundër tij. Prandaj bëhet luftë ekonomike me Kinën (për t’i ulur zhvillimin e saj teknologjik e industrial) dhe konfrontim me Rusinë. Ukraina është dukshëm linja ideale ballore, prandaj përdoret si mashë. Shumë drejtues politikë, drejtues të mençur dhe drejtues ushtarakë patën pohuar që në vitet 1990 se Ukraina në NATO do të konsiderohet rrezik ekzistencial për Rusinë. Ajo u injorua nga elitat parazitare politike. Së fundi, e vetmja fuqi qendrore në Lindjen e Mesme që kundërshton hegjemoninë amerikane është Irani, prandaj bëhen përpjekje për t’i dhënë goditje knock-out.

Është e njëjta luftë dy-trekrahëshe, me të njëjtin qëllim: tre fuqi të mëdha në kontinentin e Euroazisë në konflikt me hegjemonin në rënie. Bota po kalon kohëra mjaft të rrezikshme, sepse në thelb kjo është konkurrencë dhe përplasje për rendin botëror. Duket se dominon logjika “ose të fitojmë gjithçka, ose vdesim”. Prandaj palët janë gati të rrezikojnë aq shumë.

Next Post
Biznesmeni rrëzohet nga varka në detin Jon, nuk gjendet. Gruaja e tij e dëgjoi duke bërtitur “fikeni motorin!

Biznesmeni rrëzohet nga varka në detin Jon, nuk gjendet. Gruaja e tij e dëgjoi duke bërtitur “fikeni motorin!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Toronto Star”: Shqipëria në kulmin e bumit turistik: Nga izolimi te destinacioni “must-see” i Evropës

“Toronto Star”: Shqipëria në kulmin e bumit turistik: Nga izolimi te destinacioni “must-see” i Evropës

August 24, 2026
Vrasja e babë e bir në Dukagjin/ Autorët zbrazën kallashnikovin ndaj automjetit të viktimave, gjenden 50 gëzhoja në rrugë

Vrasja e babë e bir në Dukagjin/ Autorët zbrazën kallashnikovin ndaj automjetit të viktimave, gjenden 50 gëzhoja në rrugë

August 24, 2026
Shtyhet vizita e të dërguarve amerikanë në Moskë, përshkallëzohet përballja Rusi–Ukrainë

Shtyhet vizita e të dërguarve amerikanë në Moskë, përshkallëzohet përballja Rusi–Ukrainë

August 24, 2026
Në aksion për inspektimin e lidhjeve të paligjshme, qëllohen me armë zjarri punonjësit e ujësjellësit në Mitrovicë

E rëndë në Kosovë, vritet gruaja shtatzënë, plagoset rëndë një person

August 24, 2026
Midis heshtjes së politikës dhe zërit të një brezi të ri

Mesazhi i unitetit në një kohë përçarjesh

August 24, 2026
Euro vijon rënien në nivele historike! Leku i fortë edhe përballë monedhave të tjera

Kursi i këmbimit, sa shiten dhe blihen euro, dollari dhe monedhat e tjera sot

August 24, 2026
Horoskopi javor sipas Paolo Fox për datat 18 deri me 24 Prill 2022

Horoskopi i Paolo Fox për sot, e hënë 24 gusht 2026: Peshqve u zgjohet sërish pasioni

August 24, 2026
Gati 32% e shqiptarëve në pasiguri ushqimore? Çfarë tregon raporti i FAO-s

Gati 32% e shqiptarëve në pasiguri ushqimore? Çfarë tregon raporti i FAO-s

August 24, 2026
E detyroi të gjunjëzohej dhe më pas e qëlloi, videoja tregon lëvizjet e Altinit para se t’i merrte jetën Luljetës

E detyroi të gjunjëzohej dhe më pas e qëlloi, videoja tregon lëvizjet e Altinit para se t’i merrte jetën Luljetës

August 24, 2026
Biznesmeni rrëzohet nga varka në detin Jon, nuk gjendet. Gruaja e tij e dëgjoi duke bërtitur “fikeni motorin!

Biznesmeni rrëzohet nga varka në detin Jon, nuk gjendet. Gruaja e tij e dëgjoi duke bërtitur “fikeni motorin!

August 24, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com